Psikologji

Si ta mbajmë të shëndetshme marrëdhënien në çift!

Dihet që me kalimin e viteve ka mundësi që marrëdhënia në çift të shfaqë problemet e veta. Diku venitet pasioni, diku komunikimi, diku përkushtimi. Nëse dikur ka ekzistuar dashuria, ajo mund të ekzistojë ende. Mjafton pak përkujdesje dhe vëmëndje. Një pjesë e madhe e çifteve nuk e shohin divorcin si zgjidhjen e parë kur konstatojnë probleme në çift. Dhe mirë bëjnë…prandaj është e nevojshme që të kihen parasysh disa hapa në mënyrë që një marrëdhënie ta mbajmë të shëndetshme dhe sa më larg divorcit. 

Komunikimi është çelsi. Dhe këtu nuk kemi në mendje mesazhet për blerjen e bukës apo qumështit. Por gjetjen e kohës për të diskutuar më thellë për çështje personale për të mbajtur lidhje të vërtetë shpirtërore me partnerin. Nëse i mbajmë përbrenda shqetësimet dhe nuk i diskutojmë me partnerin, kjo mund të sjellë pakënaqësinë e palës tjetër. Studimet kanë treguar se stili i komunikimit është më i  rëndësishëm sesa niveli i angazhimit, tiparet e personalitetit apo ngjarjet stresante në përcaktimin nëse çiftet e lumtura të martuara do të shkojnë drejt divorcit. Modelet negative të komunikimit si debatet me zemërim, inat e përbuzje çojnë pa diskutimin drejt ndarjes.

Në çdo partneritet ka edhe mosmarrëveshje por veçanërisht  stilet luftarake të diskutimit janë shkatërruese. Çiftet që përdorin sjellje destruktive gjatë debatit, si ulërimat, kriticizmin ndaj gjërave personale, ose tërheqjen nga debati, kanë më shumë gjasa të prishen mes tyre sesa çiftet që diskutojnë në mënyrë konstruktive. Si shembuj të strategjive konstruktive për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mund të përmendim përpjekjet për të gjetur ose kuptuar se si ndihet partneri, të dëgjuarit e pikpamjeve të tij/saj dhe përpjekjen për ta bërë atë për të qeshur.

Bëje interesante vazhdimisht

Mes fëmijëve, karrierës dhe angazhimeve të tjera, mund të jetë e vështirë të mbetesh i lidhur emocionalisht me partnerin për një kohë të gjatë, edhe pse ka arsye të forta për të qënë të tillë dhe për të bërë përpjekje. Shumë studime e kanë konfirmuar rrezikun e lodhjes nga martesa pas vitit të shtatë dhe aq më shumë në vitin e nëntë. Për ta mbajtur gjallë marrëdhënien, disa çifte fillojnë ti kthehen jetës së natës së bashku. Por edhe të dalurit nëpër të njëjtat bare e restorante, mund të sjellë mërzitje e konsum emocional. Prandaj në këto raste këshillohet thyerja e rutinës dhe të provuarit e gjërave të reja.

Intimiteti gjithashtu është  një komponent kritik i një marrëdhënieje. Disa çifte që kanë jetë të ngarkuar profesionale e shohin si zgjidhje planifikimin e seksit në kalendar. Mund të mos jetë spontane të kesh intimitet me grafik, por edhe mund të ndihmojë kjo rregullsi për të plotësuar nevojat fizike e emocionale.

Sigurisht ju e dini që çdo marrëdhënie ka ulje e ngritje, por disa faktorë mund të jetën përcaktues në krijimin e të çarave të thella në lidhje. Çështjet ekonomike dhe prindërimi shpesh shkaktojnë konflikte. Për të njejtin problem çifti mund të ketë të njëjtin debat herë pas here. Në këtë rast psikologu mund të ndihmojë çiftin të përmirësojë komunikimin dhe të gjejë mënyra të shëndetshme të tejkalojë konfliktin. Por edhe nëse nuk kërkoni ndihmë të specializuar, ju mund të uleni me njëri-tjetrin e të kujtoni se sa ditë të lumtura keni kaluar së bashku. Ringjallja e emocioneve të dikurshme mud t’ju kthejë pozitivitetin në komunikim duke bërë që partneri t’ju duket sërish ai ose ajo e bukura që ju ka marrë mendjen dhe errur sytë njëherë e një kohë.