Psikologji

Hapuni rrugë Grandiozëve

Mos e ngatërroni me delirin e madhështisë, që të mos hyjmë në sektorin e psikozave, është tjetër gjë. Grandioziteti i referohet ndjenjës jorealiste të superioritetit. Personi e sheh dhe konsideron veten si më të mirë se të tjerët dhe beson se tipi i tij/saj mund të kuptohet nga shumë pak njerëz në këtë botë.  

Grandioziteti patologjik shihet të jetë tipar i çrregullimit bipolar (për të cilin do publikojmë së shpejti) ose çregullimit të personalitetit narcisist, duke krijuar një nëntip të këtij çrregullimi me tiparet e mëposhtme:

  1. Ka mungesë të kuptuari rreth ndikimit të sjelljeve të tij/saj tek të tjerët
  2. E rregullon vetëvlerësimin përmes mbivlerësimit të vetes
  3. Refuzon të njohë gabimet, dobësitë e veta ose sjelljet e papërshtatshme
  4. Zemërohet shumë kur nuk i realizohen pritshmëritë
  5. I zhvlerëson menjëherë njerëzit që kërcënojnë vetë-vlerësimin e tij/saj
  6. Ka kërkesa për mirënjohje, pret që të tjerët ti shprehin falenderime
  7. Vetëdije e ulët mbi mospërputhjen që ekziston mes pritshmërive dhe realitetit
  8. Shfaq fantazi të tejskajshme kur ndihet mirë në ndonjë ambient
  9. Kur ka ndonjë konflikt me dikë, sigurisht që faji është i tjetrit
  10. Personi ekzagjeron talentet, aftësitë dhe arritjet në jetën e tij para të tjerëve
  11. Beson se është i paarritshëm dhe nuk i njeh kufijtë e vet.
  12. Beson se nuk ka nevojë për të tjerët.

Për këtë çrregullim studiuesit mendojnë se shkaqet gjenden në mënyrën e edukimit. Sa më shumë i edukuar aq më të mëdha gjasat për të zhvilluar grandiozitet.

Dikush tjetër mendon se ka lidhje rradha e lindjes. Fëmijët më të mëdhenj, ndihen më superiorë ndaj motrave e vëllezërve të vegjël dhe gjithë jetën besojnë se rendi kronologjik i lindjeve përcakton edhe rendin intelektual.

Ka të tjerë që thonë se martesa dhe llojet e lidhjeve sentimentale ndikojnë në formimin e përforcimin e çrregullimit. Zakonisht personat që kanë kërkesa partneriteti që në adoleshencë u përforcohet grandioziteti deri në moshën e rritur të vonë. Të tjerë mendojnë se është gjenetike, të tjerë i gjejnë shkaqet në formimin e hemisferave të trurit, anatominë ose dëmtimet dhe disa shkojnë deri në inflamacionet e trurit të quajtur encefaliti japonez.

E megjithatë tipat grandiozë pavarësisht shkaqeve apo faktorëve që qëndrojnë në themel të sjelljeve e mendimeve të tyre, ndonjëherë janë të këndshëm kur janë në fazën e fantazisë, por shpesh herë bëhen të padurueshëm kur mendojnë se janë më të mirët. Prandaj marrëdhëniet me ta duhen mbajtur nën vëzhgim konstant me pak doza tolerance për të cilat shumica ankohet pasi u duket se sa më shumë tolerohen grandiozët aq më shumë u theksohet grandioziteti.  Megjithatë pak ndihmë nga jashtë është e nevojshme.  Nuk është fundi i botës nëse bën një konsultë me psikiatrin.

 

©FlasShqip.ca