Shëndet

Kujdes nga Ortoreksia!

Jetojmë në epokën kur ushqimi është bërë një problem i madh. Nëse dikur njerëzit hanin për të mbijetuar pasi ushqimi nuk ishte në sasi të bollshme, sot ushqim ka plot, por cilësia e tij dhe origjina na ka zhytyr në dilema që i shfaqim dyqaneve, restoranteve apo tregjeve ku blejmë. Dhe sikur të mos mjaftojë kjo sa po vijnë e po shtohen njerëzit që jo çdo gjë pranojnë ta hanë. Disa kanë hequr dorë nga kafeja sepse i dëmton zemrën, të tjerë nga perimet se janë me kimikate, ka plot që kanë hequr dorë nga buka se është me ngjyrues, nga mishi se është me hormone, nga bulmeti se është me shtesë niseshteje për shembull. Dhe çfarë u mbetet për të ngrënë? Ata shkojnë në kërkim të ushqimeve që u duken të shëndetshme. Ndoshta këtë ka patur në mendje Bashkia e Torontos në projektin pilot të lejimit të rritjes së pulave në kopshtet e shtëpive. Specialistët deklarojnë se po shtohen rastet e ortoreksisë, këtij çrregullimi të të ngrënit që ka të bëjë pikërisht me fiksimin ndaj ushqimeve të konsideruara të shëndetshme. Disave ky lloj fiksimi mund edhe t’u shkatërrojë jetën ashtu siç u ndodh edhe atyre që janë të dhënë pas dietave. Ortoreksia mund të çojë në probleme të tjera. Nëse personi ka dyshime për origjinën e ushqimeve që konsumon, ai fillon të shfaqë simptomat e çregullimeve si anoreksia apo bulimia.  Si përfundim, e mesmja e artë mbetet zgjidhja më e mirë edhe sa i përket mënyrës së ushqyerjes. Të hamë shëndetshëm, por ndonjëherë mund edhe ta shkelim, ëmbëlsirat mund ti konsumojmë në ndonjë rast, ose një kafe në mëngjes nuk na bën dëm.

©Flasshqip.ca