Andej-Këtej

E vërteta akuzuese e Meduzës - Përshtatur nga Artan Gjyzel Hasani

 Artan Gjyzel Hasani

Meduza është një figurë me një kompleksitet tragjik në mitologjinë antike greke, shpesh e parë si simbol i bukurisë të kthyer në tmerr.

Në qindra libra, filma, drama apo poema Meduza është simbol i së keqes, frikës dhe tmerrit.

Por a është vallë kështu?

Ajo fillimisht ishte një grua vdekatare e njohur për bukurinë e saj tronditëse dhe flokë valvitës të gjatë. Meduza shërbente si priftëreshë në Tempullin e Athinasë, perëndeshës së Dijes dhe Luftës, ku ajo ishte betuar të qëndronte e pamartuar dhe t’ia kushtonte jetën e vet perëndeshës.

Sidoqoftë, fati i Meduzës mori një kthesë të errët kur ajo tërhoqi vëmëndjen e Poseidonit, perëndisë së fuqishëm të Deteve.

Në shumë variante të këtij miti thuhet se Poseidoni e perdhunoi Meduzën brenda kufijve të shenjtëruar të Tempullit të Athinasë. Ky akt perdhunimi nuk ishte vetëm një sulm mbi Meduzën, por gjithashtu një përdhosje dhe dhunim i shenjtërisë së Athinasë.

Fabula e mitit ndriçon një aspekt thelbësor të tragjedisë së Meduzës: ajo nuk e kërkoi vetë atë fat të cilin nuk e dëshironte aspak. Meduza ishte viktimë e dëshirës së Poseidonit.

E nevrikosur nga dhunimi i tempullit të vet Athinaja zgjodhi të ndëshkonte Meduzën e pafajshme dhe jo përdhunuesin Poseidon që kishte kryer atë akt përdhosës.

Ky vendim i Athinasë pasqyron natyrën shpesh arbitrare dhe të padrejtë të drejtësisë hyjnore në mitologjinë greke. Në vend që t’ia ngarkonte Poseidonit barrën e përdhosjes, Athinaja e shndërroi Meduzën në Gorgonjë, një krijesë që në vënd të flokëve kishte gjarpërinj dhe një vështrim që mund të kthente në gur cilindo që shikonte. Ky ndëshkim e zhveshi Meduzën nga bukuria dhe mirësia njerëzore që ajo kishte dhe e ktheu në një figurë të tmerrit dhe izolimit.

Si Gorgonjë Meduza u privua nga shoqëria dhe ata që dikur e adhuronin tashmë e injoronin dhe e neverisnin. Ajo u tërhoq në një shpellë të humbur bashkë me dy motrat e saj, Steno dhe Evriali të cilat gjithashtu vuajtën të njëjtin mallkim. Ndryshe nga motrat e saj që ishin të pavdekshme, Meduza ishte e vdekshme, e paracaktuar tashmë nga transformimi ndëshkues të jetonte mes frikës dhe vetmisë, e urryer dhe e sulmuar nga të gjithë.

Ndër vite dhe shekuj historia e Meduzës u përhap kudo në botë duke e paraqitur atë jo si viktimë, por si Keqbërëse.

Narrativa tragjike e Meduzës arrin kulmin kur heroi Perseus u ngarkua me detyrën për ta vrarë atë. Mbreti Polidectes i Serifos, që donte të martohej me nënën e Perseus, Danae, dërgoi Perseusin në atë mision pothuajse të pamundur: të vriste Meduzën. Pa dijeninë e tij, misioni nuk ishte thjesht një provë e forcës, por një përballje me padrejtësinë që kishte pësuar Meduza.

Para udhëtimit, Perseus mori dhurata nga Perënditë: anije me rrema nga Hermes, një mburojë që shkëlqente nga Athinaja, një shpatë nga Hefesti dhe një përkrenare të padukshme nga Hadi. Armatosur më tërë këto mjete të shenjta ai u nis të përballej me Meduzën.

Perseus iu afrua me kujdes shpellës së Gorgonjës. Për të shmangur vështrimin e tmerrshëm të Meduzës, Perseus përdori jo vetëm mburojën me shkëlqim të Athinasë, por ai sulmoi kur Meduza kishte mbyllur sytë për gjumë. E qëlloi fort dhe shpejt me shpatë duke ia këputur kokën. Në atë moment ai kishte vrarë monstrën, e bashkë me të, edhe mbetjet e fundit të mirësisë njerëzore të saj.

Me kokën e prerë të Meduzës në dorë, Perseus arriti të dalë nga shpella dhe të shpëtojë nga zemërimi i dy motrave të saj, gorgonja edhe ato.

Edhe pse në kokën e prerë, sytë e Meduzës akoma e kishin aftësinë e shndërrimit në gur të cilitdo që e shikonte, Perseu e perdori atë aftësi në aventurat e tij të ardhshme duke mundur përbindëshin e detit Cetus dhe duke shpëtuar Andromedën dhe ndërsa buja e heroizmit të tij sa vinte rritej, historia tragjike e Meduzës u tret në hije.

Më në fund Perseus kthehet në Serifos ku me anë të kokës së Meduzës kthen në gur Mbretin Polidectes dhe pasuesit e tij, çliron të ëmën nga kërkesa e padëshirueshme e mbretit dhe në fund ia dhuron kokën e prerë të Meduzës perëndeshës Athina e cila e vendosi atë në mburojën e vet Aegis si simbol mbrojtës.

Historia mitike e Meduzës shërben si një reflektim i fuqishëm mbi natyrën vrastare dhe shpesh të padrejtë të ndëshkimit hyjnor.

Dikur një grua e bukur, transformimi i Meduzës në përbindësh nuk ishte pasojë e veprimeve të saj, por paradoksalisht një mjet ndëshkimi ndaj një akti të kryer kundër saj.

Në fund Meduza mbetet një figurë tragjike, simbol i bukurisë njerëzore, pasojave të zemërimit qiellor dhe padrejtësive me të cilat përballen viktimat në një botë të sunduar nga Perëndi kapriçioze.

E parë ndryshe nga sa jemi mësuar, historia e Meduzës vë një pikëpyetje të madhe mbi sistemin e drejtësisë, dje dhe sot dhe kudo në botë. Fati i Meduzës mund të konsiderohet edhe si një alegori mitologjike që dëshmon se nganjëherë rrënjët e padrejtësisë së aplikuar duhen kërkuar te drejtësia e pretenduar.

Meduza është viktima e parë e njohur e një përdhunimi të dyfishtë, nga përdhunuesi i saj dhe nga sistemi i drejtësisë.

Sot Mitologjia ia ka lënë vendin jetës reale e cila akoma ka Poseidonët, Athinatë dhe Meduzat e saj…

© Artan Gjyzel Hasani - Toronto

Foto: Koka e meduzës nga Caravaggio