Jepi një mendje të lehtë… - Nga Vangjush Saro
- Published in Andej-Këtej

Pamflet
Ndoshta gabohem, por më duket sikur marrëzia ka marrë dhenë... Shumë syresh, të gjithfarë rendi e pozite shoqërore, i shoh pothuaj të tjetërsuar, u pëlqen vetja llahtarisht dhe bëjnë veprime që lënë për të dëshiruar. Nga ta kapësh më parë? Po i lë mënjanë ca (me gjasë) show që tërbuan dynjanë. Po kujtoj se si një “i mençur”, nga këta që TOP-i i nxjerr për të çuditur njerëzit, foli për të kaluarën, tregoi... si na çonin në çerdhe e në kopësht (po ku të na çonin, o trung?) dhe se si “që atje mësoheshim me dhunë”. Uau!
“Ja, - vazhdoi trungu, - që nga ajo kohë jemi edhe sot të dhunshëm”. Tani ne e dimë ç’ish ajo kohë, me të mirat dhe marrëzitë e veta, por ani, ç’është more gjithë ky vrer (?!) Këta shpifin ditën për diell. Për atë incidentin (e “asaj kohe”) te tuneli i Porto Palermos, ai “i zgjuti” i Klanit tha se qenkëshin vrarë 100 vetë (!) Pastaj, doli një inxhinier që kishte punuar dhe ish plagosur vetë atje dhe tregoi që ishin vrarë tre dhe ishin plagosur disa të tjerë...
E kanë nga Covid-i apo kanë roitur ashtu vetiu?! Një nga gjuhëtarët që po përpiqen të marrin në dorë flamurin e... (as vetë s’e di të kujt) ligjëronte në TV: “Kur unë dorëzova dy librat e mi atje - fliste për një institucion diku, qoftë edhe akademi, ka aq shumë të tilla nëpër botë - ata njihnin vetëm X-in dhe Y-in...” (Këtu, personi në fjalë përmendi nja dy emra.) Pastaj kur u pyet nga drejtuesi kallp i TV për gjuhëtarin Eqrem Çabej, ai bëri ca grimasa. Dhe tha: “E di, kam lexuar disa libra të Eqremit (vini re: “të Eqremit”) por...” Nga erdhi, more, kjo skotë që s’e ka fare ndjenjën e modestisë e të realitetit?!
Hë, meqë ishim në fushën e dijes e të kulturës. Përveç shpërthimit të gjithfarë grafomanëve e manjakëve, shoh aty-këtu ndonjë që shkruan e boton në dialekt. Punë e tyre, s’kam asgjë me kolegët. Problemi është… a mund t’u japë atyre çmim një institucion që mbahet nga taksat e qytetarëve dhe nga shteti që, me sa di, nuk ka hequr dorë nga Gjuha Letrare, përndryshe Standard-i? Është kështu apo… Shqipëri hesapi, dhi e zgjebosur - bishtin përpjetë, rroftë snobizmi e tangërlliku (?!)
Dhe që të mos rrimë pa bërë pak politikë: Ndonjë (apo disa) kufoma të kësaj kuzhine na lodhën dhe na e zvordhën gjithçka, për dekada të tëra. Por, çuditërisht, prapë ua vënë veshin… Dhe unë pyes: Mos ndoshta kjo tregon se një pjesë e shqiptarëve e kishte hak diktaturën (?!) Jo mo, jo. Them, punë demokracish hibride. (“Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja.” F. Kafka)
Tani, marrëzia po kap kë të mundet. Del një pasanik atje diku dhe merret me Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, a thua s’ka kush u del zot (?!) Cari kërkon Balltikun. Z. Trump, pa filluar ende punë, e bën çorbë botën. Në fakt, ai sikur nuk kishte premtuar çorbë; ai, bie fjala, kish thënë se do ta bëjë sërish “të madhe” Amerikën (SHBA-të, de). E mbase u gjet se si: duke... aneksuar Groenlandën. Gallatë, hë! Po me Kanadanë ç’pati? Ore, këta politikanët fodullë e patetikë nuk mbahen në dorë. Kryeministri shqiptar tha një herë që të krahasosh Amerikën me Kanadanë, është sikur të krahasosh Vlorën me Selenicën (?!) Sa i zoti more! E ditka ç’është Kanadaja, së cilës duhet t’i vijë anës.
Ore, më në fund një gjë nuk kuptoj. Kanë ekipe këta njerëz? Kanë këshilltarë? Unë e di se në shtetet demokratike vepron ndonjë kabinet, përpara se të dilet me konkluzione dhe kërkesa të “rënda”, serioze, flitet, rrihen mendimet, bëhet një konsultim me ca këshilltarë. Apo... futja qorres!
Që ta përmbyll, punët nuk duken mirë askund, andej e këtej, me të mëdhenjtë e me të vegjlit, me të pasurit dhe me të varfërit, me të diturit dhe me budallenjtë. Ani. Si thoshte Dostojevski: “Unë jam njeri i thjeshtë, pa zbukurime, nuk mundohem të dukem. Krenohem që nuk jam njeri i madh, por i vogël”.
E kështu de, i them vetes: Ti fjalën ke, shoku; dhe një publik që, falë Zotit, të ndjek, (paçka se me hope). Kjo ishte një zgjedhje; janë të ndara detyrat në këtë botë. Shprehu, lufto, por me raste… jepi një mendje të lehtë; mbase vijnë ditë më të mira. Si e tha, aq shtruar, A. Dumas: “Prisni dhe shpresoni!”
© Vangjush Saro
Fotoja: Ucluelet - Nëntor, 2024