Andej-Këtej

Dy fjalë për multikulturalizmin dhe identitetin - Nga Flurans Ilia

Në kapërcyell të çerekshekullit, shumica e shqiptarëve në mërgim u përballën ndër të tjera me fenomenin e multikulturalizmit. Ata filluan të përshtaten në një botë shumë herë më të madhe se bota nga e cila vinin. Një diagramë me kurba nga më të çuditshmet, e cila përbën progres dhe regres njëherazi për jetën e tyre në mërgim, gjersa u krijua një brez i dytë që si vendlindje dhe banesë nuk ka më teritorin amë me të cilin e lidhin rrënjët dhe gjaku, por një “Tokë të Premtuar” të ndryshme për nga hapsira dhe mentaliteti. Një “tokë të trashëguar” tashmë, jo nga qielli apo stërgjyshërit e lashtë, por, në saj të sakrificave të drejtpërdrejta të brezit të parë në funksionin e urës ndërmjet dy brigjeve.

Multikulturalizmi si fenomen merr pamje dhe jetë nga lëvizja dhe ndërthurja masive e kulturave qoftë kjo në formë fizike të (e)migracionit, apo edhe si mentalitet bashkësie me fshatin global. Bota ndryshon nga çasti në çast e bashkë me të edhe njerëzit të cilët përshtaten me ‘të. Kulturat ndërmjetësojnë krijimin tashmë të një fytyre globale krejt të re të mbarë njerëzimit. Mozaiku. Gjer këtu nuk ka asnjë problem. Dihet është diçka që ka të bëjë me ndryshimin dhe të përgjithshmen. Njeriu është i kapur në ‘të, qoftë si shkak-pasojë në sajë të përzgjedhjeve dhe vullnetit të tij të lirë, edhe si ingranazh i pavullnetshëm në rrotë të historisë.

Ekzistenca brenda një shoqërie multikulturale i kushtëzon disa faktorë themeltarë qenies. Një ndër këta faktorë është identiteti. Mendoj se është “Thembra e Akilit” në procesin e integrimit. Përqafimi, mbarështrimi dhe funksioni i rolit të qytetarit në bashkësinë multikulturale është dhe do të jetë përherë i-d-e-n-t-i-t-e-t-i. Pikë. I përngjan kurbës së ADN-së të cilën e ke me vete qoftë si trashëgim nga gjeneza së cilës i përket, edhe si konfigurim tërësisht unikal dhe të papërsëritshëm , çka në fakt të lidh me un-in tënd, një identitet tejet vetjak i cili dëshmon se çdo krijesë e kësaj bote është një qenie unike, tërësisht unikale. Bashkimi, shumfishimi, riprodhimi, rigjenerimi i këtyre identiteteve në një format të shumfishtë, bën që multikulturalizmi të jetë një fenomen krejt origjinal, jo vetëm për nga koloriti i larmishëm i ngjyrave, por edhe në rrafshin e ideve, çka në fakt nëpërmjet elitave lëviz shoqëritë në avangardë.

Përmenda pak më sipër me një fjalë të vetme “mozaikun” për të portretizuar fytyrën e shoqërisë multikulturale. Mendoj se çdo guralec i vogël i saj është identiteti i gjithkujt. Përplasja e këtyre fenomeneve natyrisht që është progresive në procesin lëvizës të botës dhe banorëve të saj. Por, pa ngurim do të thoshim se pa identitet nuk do të kemi një shoqëri multikulturale së cilës i jemi përkushtuar tashmë duke investuar jetët tona dhe fëmijëve tanë në ‘të. Lënia në harresë, fshirja e kujtesës individuale për hir të krijimit të një kujtese kolektive, krejt të re në shembullin e shoqërisë multikulturaliste, është një gabim madhor që dashur pa dashur vetëdija e politikave të caktuara, pavetëdija e brezit paraardhës në përpjekje e sipër për të përfunduar ndërtimin e plotë të urës dhe bashkëngjitur produktin e inkorporimit në këtë proces të domosdoshëm integriteti, përpjeka e brezit të ri për të kaluar nga roli episodik në atë parësor, nga pozicioni i rishtarit në atë të mësuesit, është dhe ngelet një nga sfidat e kohës tonë. Sepse, pa identitet fytyra e multikulturalizmit do ishte një pamje amorfe, pa origjinalitet.