Andej-Këtej

Robotët do t’na marrin punën!

PhonlamaiPhoto | Getty Images

Nga Elvin Meka

Bota po shkon drejt idiotësisë dhe terminatorëve të çdo lloj fushe të jetës, që do na kenë në dorë, ose që do të na skllavërojnë në fund të skenarit robotik.

Aspekti më idiot është sugjerimi që përfitimi që kanë kompanitë nga robotika të përdoret për të ritrajnuar punonjësit për aftësi dhe profesione të tjera, a thua se është detyrë e kompanive të shpikin dhe t’u gjejnë punë atyre që dalin tepër nga fuqia punëtore.

Por aspekti më idiotesk është që njerëzit duhet të auditojnë punët që bëjnë, për të kuptuar më mirë se si është balanca midis aftësive që kërkohen nga puna njerëzore (që nuk mund të zëvendësohet nga robotët) dhe ajo që mund të zëvendësohet nga robotët!

Pra në finale duhet të gjithë të kemi mbaruar për mekatronikë dhe robotikë, që të kuptojmë se çfarë aspektesh pune do zëvendësohen dhe çfarë jo nga robotët!

Bota është e mbushur me një tufë gjigante idiotësh!

Ky Revolucion i Katërt Industrial po e budallalleps gjithë planetin. Përveç se po zhduk nga i gjithë sistemi arsimor global lëndët dhe kurrikulat e Humaniteteve, në favor të kurrikulave STEM, së fundi po minon gjithë modelin e organizimit të botës humane të ndërtuar në dhjetra shekuj!