Andej-Këtej

Amishët, popull i “çuditshëm” i Amerikës - Shënime udhëtimi nga Albana Lifschin

Nga: Albana Lifschin

Më është bërë zakon që kudo ku shkoj për udhëtime turistike të blej “mags”. Këta janë filxhanët e mëdhenj të kafesë që përdorin amerikanët. Shpesh ata kanë dekoracione, pamje të ndryshme që përfaqsojnë vendin apo shtetin ku blihen, një ngjarje historike, apo thjesht një simbol të tij. P.sh. filxhani nga Bostoni ka një pikturë të masakrës së Bostonit, një mag nga “qyteti i mëkatit" Las Vegasi, ka letra bixhozi. Nga fshati Sleepy Hollow, Nju Jork, kam një filxhan me figurën e kalorësit pa kokë, sipas legjendës për të cilën kam shkruar edhe më parë. Nga shteti i Dellëuerit kam një mag nga i cili mëson se ky shtet dha të parin regjiment për ushtrinë e Xhorxh Uashingtonit. Nga Merilandi kam një…  Janë bërë shumë për t’u numëruar e në çdo mag është shkruar një histori.

Ky koleksion i magëve, hob i imi, tashmë ka kaluar edhe përtej Atlantikut, por qëllimi im këtë herë është të ndalem pikërisht, këtu, tek një komunitet i veçantë që ka Amerika, Amishët.  Nga vendi ku banojnë ata (Amish county, Pensilvania) kam tre relike. Filxhani ka tabllone tipike, më tipike amishe: një karrocë e vogël e tërhequr nga një kalë, me urimin e mirseardhjes në vendin e amishëve. Relikja e dyte, është nje “sculpture” e vogël që paraqet një grua amishe, me futë (përparëse), me kapuç në kokë, duke rrahur dybekun. E treta, është figurina e një gruaje në moshë që po qep një jorgan, mbi prehërin e saj. Gruaja me dybek, më kujton shumë gjyshet tona në kohën e tyre, kur gjalpin e djathin e zinin vetë, e gjithçka tjetër në shtëpi pothuajse ishte produkt i duarve të tyre.

 Mirëpo, këto objekte të vogla arti, që flasin, nuk janë punuar nga ndonjë artist nostalgjik i kohës së shkuar, por janë simbole të jetës amishe të sotme, që vazhdon ende origjinalitetin e vet shekullor dhe ruhet me një fanatizëm të pashoq. Dhe kjo është ajo çka e bën këtë komunitet të jetë krejt ndryshe nga shoqëria moderne amerikane, edhe pse jeton në gjirin e këtij shteti.

* * *

“Welcome to Intercourse!”

Ishte një fundjave i ngrohtë, kur vendosëm të shkonim në vendin e amishëve në shtetin e Pensilvanisë.  U ishim afruar disa dyqaneve të vogla buzë rrugës dhe i thashë tim shoqi të ndalonte makinën.  Këto lloj dyqanesh, janë në shënjestren time sepse tek ato gjej antikitete. Zbritëm nga makina dhe para se të kapërcenim rrugën, mbajta këmbët para një tabele vendosur në një shtyllë të lartë: Welcome to Intercourse!  

-Mos jemi gabim këtu? i thashe Pollit disi e shokuar, sikur papritur u ndodha para një moteli famëkeq.

- “Intercourse” duket është emri i këtij fshati. Shikon? Nën përshëndetje thotë që është krijuar 258 vjet më parë.

 -258 vjet dhe s’ka dalë një i mençur të sugjerojë ndërrimin e emrit të fshatit? thashë sikur po flisja me vete.  Pollit nuk iu duk se i bëri përshtypje “vërejtja” ime.

Hymë në një dyqan, tip kinkalerie ku shikoje orendi të natyrave të ndryshme, të punuara me dorë. Midis tyre, kishte edhe mags, ku shkruhej “Përshëndetje nga Intercourse, Pensilvania”. Mora njërin prej tyre në dorë. Tablloja tipike e karrocës së vogël me kalë, mbulonte faqen e filxhanit.

-Bleje, - më tha im shoq, duke vënë buzën në gaz, - mos bë përjashtim nga rregulli. Shitësja ishte një vajze e re që mbante në kokë, një kapuç të vogël, të zi, karakteristik nën të cilin kish mbledhur flokët. Qe ulur në karrige, në një kthinë të dyqanit, si në kuvlinë e saj dhe dukej se qe përqëndruar në një qëndisje. Më bëri përshtypje indiferenca e saj, kur në dyqan kishin hyrë të huaj. E tërhequr nga veshja e saj, nxora aparatin.

-A mund t’u bëj një fotografi?  pyeta.

Ajo më refuzoi në mënyre të sjellshme, por të prerë.

“Pse vishen në mënyrë kaq të veçantë”, pyeta veten.  Në kthim, duke gërmuar nëpër libra mësova se veshja e tyre e thjeshtë, pa ngjyra, (me saktë mbizotërimi i të zezës) ka të bëjë me devotshmërinë ndaj Zotit.Veshja e tyre shërben si një flamur etnik. Amishët vetë janë një grup etnik dhe fetar. Amishët refuzojnë stolitë, dekoracionet në veshje, varëset prej floriri apo perlash, madje edhe orën e dorës, pasi ato shprehin dëshirën e individit për t’u admiruar nga të tjerët. Veshja e tyre uniformë ka të bëjë me besimin që çdo kristian duhet të jetë i barabartë dhe kjo shprehet edhe në veshjen e thjeshtë e të njejtë për të gjithë. Ata besojnë se duke larguar vëmendjen nga paraqitja i hapet rruga ndriçimit të virtytit. Ai bie në sy. Idea e thjeshtësisë shtrihet deri tek godinat fetare. Ata e gjykojnë lluks ndërtimin e kishave e shumë prej tyre preferojnë t’i luten Zotit në shtëpitë e tyre.

Im shoq, më bëri shenjë duke më drejtuar tek një kënd i dyqanit me sergjene.

Pikërisht aty, më ranë në sy edhe ato dy skulpurat e vogla, gruaja me dybek dhe “nënokja” që qepte jorganin. Sepse më kujtuan gjyshen time labe.  Isha fare e vogël atëherë, por kujtesën e kam më të fortë për vegjëlinë time, se sa për ç’ndodh sot. E shoh si tani me sytë e mendjes gjyshen time, ja ashtu, përkulur mbi një jorgan të ri. Martohej djali më i vogël i familjes dhe ajo qepte jorganin me dorë; qe një copë me lule shege, e kuqe flakë. Kjo, e kësaj nënokes amishe, qe si me copa të ndryshme të bëra bashkë me njera tjetrën nga gjilpëra, një farë mozaiku fort i pakombinueshëm. I mbështolla me kujdes këto relike, të cilat i ruaj ende në bufenë time, që nga ajo ditë.

 

Pas atij dyqani morëm rrugën për në fshat, thellë. Ecëm në këmbë deri atje ku dukej një shtëpi dy katëshe pranë një are me grurë. Në faqen ballore, (apo ashtu m’u duk mua) shtëpia kishte një banak të hapur, në të cilin dukej sikur s’të priste askush. Pritëm me durim, ndërsa kundronim gjithçka kishte dyqani. Im shoq, tha se shpresonte që këtu të gjente edhe “root beer”. Mua, më zunë sytë në një qosh të banakut një libërth. Ishte në madhësinë e fletoreve 16-çe, si i quanim dikur, fletët e se cilës sikur qenë qepur me dorë. E çfletova dhe gjeta në të edhe pjesë këndimi, edhe gramatikë, edhe matematikë, edhe histori. Ishte e shkruar nga një mësues i fshatit për nxënësit e shkollës fillore.  Mendova se faktet historike qe kishte libri, të dhëna në mënyre të thjeshtë, por interesante, hera herës si gjë e gjëza, duhet të ishin të mira edhe për emigrantët fillestarë të Amerikës.

-Po këtu nuk paska njeri, -thashë më në fund e paduruar. Si e kanë lënë dyqanin pa njeri?

-Poshtë është dyqan, por lart është shtëpi. Duhet të kenë dëgjuar me siguri që dikush është në dyqan, - tha Polli

-A ka njeri këtu? Lëshova zërin unë.

-Prit. - tha  ai duke më treguar një zile si këmborë të varur mbi banak. E tërhoqi dhe këmbora u dëgjua e fortë jo vetëm në dyqan, por besoj edhe më përtej. Në dyqan hyri një grua me veshjen tipike amishe, me të cilën isha mësuar tashmë.  Unë bleva libërthin enciklopedik   i cili më bëri punë   kur u jepja anglisht emigrantëve fillestarë dhe im shoq disa shishe nga pija e tij e preferuar “root beer”.

* * *

Por cilët janë amishët dhe pse janë kaq të veçantë? Është pyetja e natyrshme që bën çdo vizitor. Popullsia amishe ka ardhur disa shekuj më parë në Amerikë. Ata përbënin një nga grupet kristiane anabaptiste me rrënjë në reformimin protestan në Evropë, në shek. e XVI.  Mirëpo nuk ranë dakort as me katolikët dhe as me protestanët në disa pika dhe dolën si lëvizje më vete që u quajt “Anabaptizëm”. Ata filluan të vijnë në Botën e re, pas vitit 1700. Natyrisht edhe atyre si të gjithë evropianëve të parë u është dashur të përballojnë sulmet e refuzimin e popullsisë vendase, që Kolombi i ka quajtur "indianë'. Pra shumë syresh ranë të vdekur nga shigjetat e indianëve. Në librat e historisë së amishëve janë regjistruar incidente të paharruara, ku tregohet se sa "kokëfortë" ishin amishët në respektimin e fesë dhe edukatës së tyre paqësore. Parimi i tyre ishte “Duaj Zotin dhe fqinjin tënd”.

Në librin e autorit Stiven Nolt, tregohet episodi i familjes Hocestler që ra viktimë e një sulmi nga vendasit, për shkak të përkushtimit ndaj parimeve të tyre paqësore e mësimeve të besimit të tyre që ata respektonin me devocion. Rrëfenja e trashëguar nga gjeneratat amishe, (ngjarja ka ndodhur në fillim të shekullit të XVIII) na thotë se në një natë shtatori, një nga djemtë e familjes Hocestler hapi derën e shtëpisë për të parë se përse lehnin qentë. U godit menjëherë nga shigjetat e vëndasve që kishin rrethuar shtëpinë. Dy vëllezërit e tjerë rrëmbyen çiftet e gjahut për t’u mbrojtur, por babai i ndaloi djemtë sepse ai ishte i lidhur nga parimi i “mosmarrjes hak”, duke respektuar mësimin e Krishtit, “të goditën në një faqe, kthe tjetrën” dhe nuk mund t’i shikonte djemtë e tij të bënin të kundërtën. E gjithë familja u fsheh në bodrumin e shtëpisë dhe “indianet” i vunë zjarrin shtëpisë. Në përpjekje për të shpëtuar duke dalë nga dritarja e qilarët, familja u kap rob.”

 Amishët përbëjnë një popullsi krejt të veçantë të Amerikës me zakone e tradita që e dallojnë nga e gjithë popullsia e saj. Amishët kërkojnë të jetojnë të shkëputur nga bota si një mënyrë për të ruajtur pastërtinë e besimit të tyre dhe respektuar traditën e mënyrën e jetesës së stërgjyshërve të tyre.  Ju ecni në një rrugë automobilistike dhe në të dy anët e rrugës shikoni shtëpi te bukura, kryesisht dykatëshe, tipike amerikane, të gjelbëruara për rreth, të pastra të rregullta, por nuk ka makina të parkuara para dyerve të tyre. Amishët nuk përdorin makina, as elektricitet dhe kanë parimet e traditat e tyre të cilave u qëndrojnë besnikë. Ata janë kundër luftës dhe për pasojë nuk e njohin regjistrimin në lista rekrutimi. Martesat bëhen vetëm brenda fesë së tyre dhe komunitetit amish dhe çdo përjashtim nga ky rregull është me pasoja të rënda për atë të ri apo të re që e thyen atë. Ai ose ajo ekskomunikohet, (çkishërohet) dhe braktiset nga familja dhe shoqëria për jetë.

Amishët, ndryshe nga shoqëria amerikane, njohin e respektojnë të tjera vlera. Ata respektojnë identitetin e grupit mbi atë të individit, bindjen mbi inisiativën individuale, modestinë e përuljen mbi krenarinë, kooperimin mbi indipendencën. Flasin tre gjuhë: një për jetën e përditshme, një për në kishë dhe e treta për tregëtinë me botën që i rrethon. Gjuha e tyre e trashëguar është një degë e gjermanishtes që quhet gjermanishtja e Pensilvanisë.  Pas ardhjes në Amerikë, ruajtja e gjuhës së tyre, u kthye në simbol të ruajtjes së mbijetesës së origjinalitet të tyre, të identitetit të tyre, traditave,veç nga bota amerikane. Fëmijët mësojnë anglisht kur shkojnë në shkollë, por ajo kurrë nuk bëhet si gjuhë e nënës për ta. Gjuha e Zotit, është gjermanishtja e vjetër në të cilën lexojnë Biblën, thonë lutjet dhe këndojnë himnet e vjetra. Anglishtja është gjuha e biznesit. Gjithësesi, shumica e amishëve jetojnë e punojnë në ferma dhe anglishtja është e kufizuar vetëm për aq sa u duhet, kryesisht për shitje produktesh e komunikimin me blerësit.

Në shtëpi amishët nuk përdorin telefonat, radion, televizorin e paisjet elektrike. Gratë gatuajnë ende në soba me dru. Siç përmenda më lart, nuk përdoren makinat dhe kali mbetet simbol i jetës së tyre. Pikërisht këtë simbol mbante edhe filxhani, të cilin bleva në udhëtimin e parë në vëndin amishëve të Pensilvanisë.

Shkurt, 2012