Andej-Këtej

Miqësia - Nga Rushan Xhaferi

«Miqtë e mirë janë si yjet. Ju jo gjithmonë i shihni, por e dini se ata janë akoma atje.» (Anonim)

Gjatë karantinës, mbyllur në shtëpi, dëshira për të ftuar miqtë është e shumtë, por kush të vjen! Në këto momente kemi darka on line dhe kafe nëpërmjet ekranit. Nuk është e njëjta gjë. Ose më saktë është tamam si të shikosh film me pullë të kuqe e të thuash që u kënaqa. Megjithatë, à la guerre, comme à la guerre! Nga ana tjetër, miqësia nuk është medalje që mbahet në kraharor, ajo gjendet thellë në një cep të stomakut.

Para disa kohësh humba një mik. Nuk e di a e humba apo më humbi! A mund ta humbasësh një mik të vërtëtë? Nëse është mik, atëhere ti nuk e humbet kurrë. Nësë e humbet, atëhere ai nuk ka qënë asnjëherë miku yt! Një filozof francez e tregon kështu marrëdhënien që ai kishte me një mikun e tij : « Kur më pyesin pse ishte shoku im u them, sepse ishte ai, sepse isha unë. » Miqësia të lejon të jesh vetvetja, pa shpjegime të tepërta.  « Ka njerëz që janë të pastër sepse nuk kanë pasur kohë të jenë të papastër » thotë Michel Onfray, një tjetër filozof. Por edhe ky i fundit është zhgënjyer shumë nga miqësia në jetën e tij, si dhe ne të gjithë.

Nuk jam i gëzuar për humbjen, por nuk jam as i trishtuar. Nuk qesh, por as nuk qaj. Fundi i një lidhje miqësore ka arsyet e tij. Kur asnjë palë nuk mund të ofrojë asgjë më interesante, rrugët ndahen natyrshëm.  Pa shpjegime. Sepse nëse vëllain ta bën nëna, shokun ta bën zëmra. Dhe zemra ka arsyet e saj shumë të çuditshme. Romakët e lashtë mendonin se miqësia është dashuria e dy njerëzve pa trupin. Kur seksualiteti hiqet nga ekuacioni, ajo që mbetet është një dashuri e pastër për tjetrin që merr formën e miqësisë supreme.

Por kohët kanë ndryshuar. Në Japoni, femrat mund të marrin një mike me qera për të ngrënë një drekë. Në një faqe interneti, mund të zgjedhesh një fytyrë, një profil, në bazë të disa të dhënave ekzakte për të kaluar disa orë. Nëse kjo është miqësia në kohët moderne, është e trishtuar. Nga ana tjetër, sa miq apo mikesha hiqen si shokë e shoqe ngaqë u paguan drekën apo u jep dhurata, në çdo kënd të botës? Në 2013, George Clooney, aktori amerikan, u ofroi 14 miqve të tij më të mirë një valixhe (secilit) me 1 million dollarë.  A do të jenë ata miq më të mirë apo më pak të mirë mbas kësaj dhuratë kaq bujare?

Asnjë njeri nuk është i kulluar! Për këtë arsye, miqësia është nevoja sociale e cila kërkon gjithmonë më të mirën edhe kur zhgënjehet. Vetëm në miqësi, nuk duhet ti frysh kosit kur digjesh nga qulli. Miqësitë e vjetra zhgënjyese, kanë rëndësinë e tyre sepse janë një e shkuar e cila bën pjesë integrale në jetën tonë. Për më tepër, ne i kujtojmë gjithmonë me të qeshur ato momente me miq të humbur. Nga ana tjetër, miqësi të reja mund të bësh lehtë, paçka se çdo bashkëkombës i panjohur nuk mund të bëhet mik me një fjalë goje. Duhet kohë, shumë kohë për miqësinë, sidomos në vënd të huaj. 

Pranvera e Coronavirus-it, ku ditët ripërsëriten, të jep kohë të mendosh edhe mbi shoqërinë sepse miqësia është thelbësore, mjafton të hapësh zemrën dhe të jesh bujar. Dyshimi dhe ngurtësia ndrydhin shpirtin dhe plakin mëndjen, vdesin njeriun, groposin njerëzimin dhe sidomos vetveten.

©Rushan Xhaferi