Andej-Këtej

Pushtuesi nuk është vëlla-Kosova larg kthetrave të Turqisë!

Nga: Ndue Ukaj

Kur shkrimtarja austriake, Ingeborg Bachmann, shkruante: “historia mëson, por nuk ka nxënës”, ajo fliste për raportet e përhershme problematike ndërmjet popujve dhe kujtesës së tyre. Për më tepër, ajo fliste për popuj të topitur, që nuk kanë kujtesë, pra për popuj që nuk mësojnë asgjë nga historia. Duke e stigmatizuar këtë raport, ajo i thërriste popujt që të mësojnë nga kaluara.

Historia e popujve europianë, është e mbushur me ngjarje dhe momente të shumta dramatike, por nuk di të ketë ndonjë popull, që mos të ketë mësuar asgjë nga e kaluara, si shqiptarët. Për ne, deri me tani, historia qe një mësuese e kotë. Ajo na ka mësuar dhe këshilluar përherë, por ne nuk qemë nxënës të mirë, përkundrazi, qemë nxënës të këqij. Çuditërisht, vazhdojmë të jemi nxënës të tillë dhe mos të mësojmë asgjë nga ajo.

Të kthehemi te raportet ndërmjet shqiptarëve dhe turqve. Ato gjithmonë kanë qenë dramatike, por ndër ne, kemi patur nxënës të këqij, të cilët, këto raporte dhe mosmarrëveshjet historike, kanë tentuar t’i kamuflojnë me do farë dokrrash, sajimesh dhe trillimesh nga më të çuditshmet, në thelb ahistorike.

Botërisht dihet që Perandoria Osmane shqiptarët i la më të prapambeturit në Europë. Pikërisht kjo e vërtetë, gjatë viteve të fundit, u tentua të kamuflohet dhe të mohohet. Nga liderë, klerikë, historianë dhe nga publicistë. Madje, shumë shqiptarë, gjatë kësaj kohe ranë në delir, duke i shpjeguar këto raporte si vëllazërore dhe, duke e krahasuar Perandorinë Osmane me NATO-n. Kjo është marrëzi!

Secili që guxoi të fliste apo të shkruante kundër këtij ligjërimi, u stigmatizua dhe u anatemua keq, nga qarqe të shumta neoosmane ndër shqiptarë. Kështu, u promovua një diskurs linçues ndaj perëndimit, vetëm për t' ia përkëdhelur pafundësisht sedrën Sulltanit të ri të Stambollit.

Vetëm tani kur ra maska e Turqisë, shqiptarët filluan të kuptojnë agresionin turk karshi shqiptarëve. A në fakt, ky agresioni nuk ka filluar sot, por ka filluar qyshkur kemi lejuar të harrohen krimet e shëmtuara që bënë osmanët mbi ne dhe, të njëjtit i quajtëm "vëllezër."  Dhe kjo "vëllazëri", gjatë këtyre viteve është shndërruar në një bestytni primitive, të cilës, i besuan jo pak shqiptarë mendjerobër e kokëkrisur.

Në emër të kësaj vëllazërie, janë bërë allishverishe dhe veprime të dëmshme për Kosovën dhe Shqipërinë, në fushën e ekonomisë, të trashëgimisë kulturore dhe të arsimit. Po në emër të kësaj vëllazërie, ka vepruar Hashim Thaçi, i cili u bë vegël në duar të tiranit të Stambollit, qeverisja e të cilit, në masë të madhe është bazuar te intrigat dhe aftësia për të bërë intriga sa më shumë.  

Gjatë këtyre viteve, kemi dëgjuar predikime të vrullshme, përbuzëse, patetike, për gjoja një “bashkëjetesë” përgjatë sundimit të gjatë osman dhe jo për pushtim.

Gjatë këtyre viteve, kemi përjetuar përçmime dhe përbuzje nga ma të ndryshmet. Për shembull, kemi hequr Gjergj Kastriotin nga zyret tona, kur një gjë e tillë është kërkuar nga Stambolli. Pastaj, ua kemi falur pjesën vitale të ekonomisë. Madje, për hir të kësaj vëllazërie, kemi dashtë Skënderbeun ta paketojmë, dhe ta shpallim një mit të kotë që ka prishur Pax Otomania.  Dhe marrëzia ka shkuar aq larg, sa, në emër të kësaj vëllazërie, neve mbetjeve osmane, na është kërkuar ta ndryshojmë dhe retushojmë historinë tonë, në këmbim të një historie të shkruar nën diktatin turk.

Të tentohet të kamuflohen raportet e tensionuara dhe dramatike me do farë sentimentesh primitive, është njësoj sikur të tentohet të mbulohet dielli me shoshë. Kështu jemi sjellë deri tani kur ra maska e turpit. Dhe ky është moment i mirë që ta ushtrojmë kujtesën dhe të fillojmë të bëhemi nxënës të mirë. Ta kuptojmë se Turqia, ka ushtruar pushtet politik dhe jo politik që një dekadë e më shumë në Kosovë dhe në Shqipëri. Dhe kjo është bërë e mundshme, në saje të politikanëve palaço, pa parime dhe pa vlera të Prishtinës dhe të Tiranës.

Kërcënimet e Erdoganit, ulërimat dhe britmat e të sëmurit të Bosforit, secili shqiptar i ka të njohura dhe të qarta. Ato i ka dëgjuar shpeshherë në histori. I kanë ardhur nga Stambolli dhe nga Beogradi.

Hashim Thaçi, me qeverisjen e tij bashibozuke, pas vdekjes së Ibrahim Rugovës i ka dëmtuar raportet e Kosovës me perëndimin, dhe e ka futur atë nën kthetrat e Turqisë. Ai ka qeverisur me mentalitet tipik erdoganian. E ka sfiduar shumë herë sinqeritetin e perëndimit, ka manipuluar skenën politike dhe opinionin publik, me dokrra, duke i premtuar Europë, por duke e afruar me Turqi.

Tani duhet ta themi qartë. Ndikimi shumë i madh turk në Kosovë, ka ardhur përmes qeverisjes orientale të Thaçit. Ai, për vite të tëra predikoi hapur vëllazërinë me Erdoganin. Prandaj, ai është përgjegjësi kryesor për kapjen e disa segmenteve të Kosovës nga Turqia.

Ne gjithmonë kemi besuar se hija e Gjergjit ende i tremb të sëmurit e Bosforit. Dhe besojmë se agresioni turk mund ta ndalet vetëm duke e forcuar aleancën me perëndimin. Ashtu siç vepronte dikur Ibrahim Rugova.

Kjo thyerja e fundit e raporteve ndërmjet shqiptarëve dhe turqve, është një shans që të bëhemi nxënës të mirë. Pra, përfundimisht ta shkapim Kosovën nga Turqia. Sepse aleancat me të për ne gjithmonë kanë qenë të kobshme.

Kosova, duhet të kultivojë raporte korrekte me Turqinë dhe kjo mund të ngjasë vetëm atëherë kur të krijohen kushte për raporte të qarta politike dhe jo raporte nënshtruese, përbuzëse, gjoja vëllazërore, sepse në politikë, raportet e tilla nuk ekzistojnë dhe janë mashtrim.