Andej-Këtej

Çfarë mund të mësojmë nga rënia e Romës duke lexuar librin “America’s expiration date”? - Përgatiti Albana Lifschin

Albana Lifschin

Kam në duar librin e një gazetari të njohur amerikan i cili pasi analizon historine e perandorive të mëdha shpreh preokupimin e tij për të ardhmen e shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky libër më kujtoi shqetësimin e presidentit Reagan për të ardhmen e Amerikës, e cila nuk do të qe e sigurtë nëse gjeneratat e reja nuk do të edukohen me virtyte qytetare, me dashuri e respekt për vendin e tyre, nëse nuk do të mësojnë e vleresojne historinë e tij.

“Liria nuk është më larg se një gjeneratë nga humbja. Fëmijët tanë nuk e kane të trashëguar atë në gjak. Ne ua dhuruam atyre që ata të bëjnë të njejtën gjë, ose ndryshe do të vijë një ditë në perëndim të jetës sonë kur do t’u rrefejmë fëmijëve e nipërve se si kanë qënë Shtetet e Bashkuara kur njerëzit e saj ishin të lirë.”

Eshtë e njohur shprehja “Roma nuk u ndërtua brenda një dite”. Por edhe nuk u shkatërrua brenda një dite, shkruan autori dhe vazhdon: “Siç e përmenda më parë, mund të vishesh me toga ose kostum biznesi dhe të sillesh njëlloj në rrethana të caktuara. Kjo ndodhi me Romën. Për 2000 vjet qyteti Baia i Perandorisë Romake (të cilit mund t’i referohemi si Las Vegasi i sotëm) ishte një pikë pushimi e dëfrimi, me pishina të zbukuruara me mozaikë, me statuja mermeri dedikuar kënaqësive tokësore. Baia, jo larg nga Napoli, ishte vend i zgjedhur për kokat më të mëdha të perandorisë si oratori Ciceron, poeti Vigjil, natyralisti Plini etj. Nga Baia gjithashtu dilnin thashethemet e intrigat. Thuhej që Kleopatra iku me anijen e saj nga Baia pasi Cezari u vra ne 44BCE. Gjithashtu prej andej dolën fjalët se Julia Agripina bëri komplot për të vrarë të shoqin, Klaudius, që i biri, Nero, të bëhej perandor i Romës. Në vazhdim të shkaqeve të dekadencës, degjenerimit që përfshiu gjithë Perandorinë Romake theksohen dy faktorë që ndikuan në dobësimin e rënien e saj: Ekspansioni i madh (shtrirja e gjërë gjeografike) siç thotë shprehja “të hash më shumë se të nxe stomaku”, si edhe shpenzimet shumë të mëdha në perandori.

Në kulmin e fuqisë dhe influencës së saj Perandoria Romake shtrihej që nga Atlantiku deri në lumin e Eufratit në Lindjen e Mesme. Roma kishte një sistem të mirë rrugësh por kaq i madh saqë mirëmbajtja e tij sa vinte e bëhej më e vështirë. Perandori Adrian u detyrua (shek. II) të ndërtonte një mur në Britani që të mbante larg Romës armiqtë e tij (shikoni këtu paralelizmin nga Muri i madh kinez deri tek muri i Berlinit, nga muri në Izrael tek muri në kufirin e Jugut të Amerikës). Jo të gjithë muret janë ndërtuar për të njejtin qëllim. Muret gjatë historisë së njerëzimit janë ndërtuar për mirë dhe për keq. Me shtimin e parasë (pasurisë) ishte e pashmangshshme rritja e fuqisë mbrojtëse për të mbajtur pushtetin.

Roma është shembull perfekt i mosndryshimit të natyrës njerëzore. Siç shkruante mbreti Solomon i Izraelit tek Eccleiastres… “Kushdo që shkon pas parasë nuk i duket kurrë se ka bërë mjaft, kush është i dhënë pas pasurisë nuk kënaqet kurrë me të ardhurat e tij”.

E njejta gjë është me perandoritë kur vjen puna tek pushtimet e tokat e reja. E njejta gjë ndodh me elitën e cila nuk kënaqet me atë që ka, por vazhdimisht kërkon më shumë për të kënaqur egon e saj dhe ndjenjën e vetvlerësimit.

Në qytetin e Romës dhe rrethinat e saj njerëzit e thjeshtë të popullit vuanin në një vend ku klasat sunduese mendonin më shumë se çdo të ketë të nesërmen në horizont se sa çfarë kishte popullin në tavolinën e bukës. Hendeku midis pasurisë dhe varfërisë sa vinte e thellohej.

Siç do të ndodhte më vonë në Afrikë, në Britani dhe Amerikë, skllavëria ndihmoi mjaft ekonominë, por vetë klasa punëtore merrte shumë pak. Në kolapsin e Perandorisë Romake nuk ndikoi vetëm një faktor, por seria e një sërë vendimesh të gabuara. Rënia e Romës mori 300 vjet.

Çfarë mund të mësojmë nga rënia e Romës?

Sipas historianit anglez Eduard Gibbon, Perandoria Romake iu dorëzua sulmeve barbare në një masë të madhe për shkak të humbjes së virtyteve të qytetarëve të saj. (A mund të hiqni një vijë paralele me shoqërinë e sotme moderne?) Gibbon-it i mori 6 volume për të shpjeguar shkatërrimin e Romës dhe rënien, por vetëm një paragraf mund të përgjithësojë historinë e gërmadhave të saj. Eshtë një e vërtetë e thjeshtë dhe e dukshme se pse ajo shkatërroi vetveten.

Në vend që të kërkojmë pse Perandoria Romake u shkatërrua duhet të habitemi se si vazhdoi kaq gjatë. Legjionet e lavdishme në luftra, fituan veset e të huajve dhe mercenarëve dhe më pas u “relaksuan” dhe përfundimisht pushuan së qëni. Roma u dogj dhe ndonëse Nero nuk mund të fajësohet për gjithçka, ai ishte pjesë e gjithë linjës perandorake e cila kontribuoi në mënyrë të dukshme në shkatërrimin e perandorisë.