Arkitektura e fshehtë e Uashingtonit - Nga Burim Bardhari
- Published in Andej-Këtej
Hyjnizimi i Xhorxh Uashingtonit
Në librin “Arkitektura e Fshehtë e Kryeqytetit Kombëtar”, shkruar nga David Ovason, thuhet se themelimi i Uashingtonit u bë sipas rreshtimit me Yjësinë Vajzë (Virgjëreshë që shquhej për çiltërinë dhe shenjtërinë e saj për të lindur hyjin), më saktësisht rreshtimi është me yllin Spica (lexo Spika), ndërsa disa teori konspirative si teoritë e rastësive, reshin imtësira të tjera kureshtare.
Kongresi në Kodër, vendi i qëlluar ngase “kodra është zanafilla e jetës në tokë”, shkridhet si shkëmb, si kepi mbi ujin (ku nisi jeta), por njëkohësisht është pika më e lartë për perenditë, “Mojsiu u ngjit në mal që të këshillohej prej Zotit tij”, si Zeusi në malin Olimp; rrjedhimisht shumë godina kuvendesh dhe tempuj të shenjtë u ngritën mbi kodër, si Piramidat në rrafshnaltën Giza, Akropoli, Vatikani etj.
Arkitektura e kësaj “shtëpie” të Kongresit është ndërtim romak si dhe ligjvënia përkatëse është poashtu nga kodi romak, përplot me mbishkrime latine (“e pluribus unum”). Në drejtim të shtëpisë së Kongresit paraqitet një bosht i mahnitshëm historik, boshti i trashëgimive perandorake; në mes është lapidari egjiptian pikëmbështetës ndërsa në skajin tjetër të boshtit të njëjtë është ngritur Memorial-i përkushtuar Linkoln-it, që i ngjason Akropolit Athinian.
Perandoria Romake ishte trashëgimtare e Egjiptit të lashtë dhe Shqiponjës, simbolit të diellit jetëmbështetës, pas pushtimit të trashëgimtarëve paraprakë të Lekës së Madh, dinastisë së Ptolemenjëve me faraoneshën e fundit Kleopatra, ndërsa Amerika trashëgimtarja e radhës e perandorisë romake.
Përfytyrimi i Unazës me 12 rrugë rrezaton në 12 drejtime, simbol i diellit tonë që përshkon 12 yjësitë qëndron edhe në Paris, Qyteti i dritave (drita e diellit), besimit të diellit jetëdhënës, prandaj egjiptianët e lashtë më të drejtë besonin se gjithë jeta buron nga drita ose më saktësisht nga yjet, sepse yjet “gatuajnë” elementet kimike, bashkangjisin protonet e atomeve dhe sajohen elementet nga të cilat ndërtohet lënda dhe natyra bashkë me gjallesat, ndërsa lumi Potomak, krahasimisht është simboli i lumit Nil, më të madhit në botë që vërshonte bekimthi për shtim të begatisë, gjatë diellndodhjes verore (solsticit veror, që zakonisht bie në datën 20 ose 21 qershor, e diela e tretë që përkon me Ditën e etërve / baballarëve, ose Atit në qiell, diellit).
Distrikti i Kolumbisë (Amerika me sovranitet të dyfishtë njihet edhe si “Lady Columbia”, Zonja Kolumbiane-shë ose tërthorazi zonja Pëllumbeshë) është “supra-shteti” (mbishteti i pavarur që nuk i takon asnjë shteti brenda “yjësisë” së 50 shteteve me dy territore shtesë) por në mes të dy shteteve të përshtatshme, “Maria Virgjineshë” nga “Maryland and Virginia”, thuhet se aludon Isidën, hyjneshën egjiptiane virgjëreshë, edhe si Athina Parthenos, poashtu virgjëresha ose Athina e çiltër.
Matanë kryeqytetit që mban emrin e kryetarit themeltar Uashingtonit, poashtu përshtatshmërisht në Aleksandri të Virgjinisë është ngritur edhe Memoriali Murasonik i Kryetarit të Parë, atje spikat edhe flamuri me shkabën dykrenare por me sfond të bardhë; vizitojeni memorialin dhe binduni vetë dhe meqë është në Aleksandri, godina duket si far (faros) ose fanar deti, (fener deti - lighthouse), si dikur në Egjiptin e lashtë, përsëri simbol i dritës së diellit ose yllit që është një ndër simbolet më të përhapur në botë, stolis edhe flamujt kombëtarë, fetarë por edhe flamujt ideologjikë.
Meqë u themelua një “Republikë e re”, me trashëgimtar të ri, por me ideale të mirëfillta, qoftë si Egjipti i lashtë legjendar, qoftë si “Roma e re”, u përvijuan përpjekje që të (antropomorfizohej) “njerizohej” hyji ose perendia, me tipare ose paraqitje të njeriut, ose anasjelltas, të hyjnizohej njeriu, në këtë rast Xhorxh Uashingtoni do të cilësohej si në mitologji “Jupiteri i ri” suprem ose barasvlertas Zeusi, shih shtatoren e tij me gjoks të shpalosur dhe me shpatë në dorë, por si duket nuk pati mbështetje universale dhe nuk u adhurua si hyj i ri nga toka e trimave.
Ndërrimi periudhor epokal i protagonistëve mitologjikë quhet “tipologji”, ruhen tiparet e tipit ose prototipit por ndryshon emri dhe ndoshta vendi, përshtatje kohëvendore (kronotopike), si për shembull krahasimi i Jupiterit dhe Zeusit me Amun Ra të Egjiptit të lashtë. Megjithatë, kjo arkitekturë e veçantë e Uashingtonit është si një libër i lakmuar mbi mitologjinë falë ndikimit të saj mbi lashtësinë, sepse mjeshtërit e lashtësisë zotëronin (nga fjala “zot” - veprimi parësor dhe me epërsi) aftësinë e përcjelljes së moralit dhe mësimeve pikëlidhtas me “yjeshkrim” mbi pëlhurën qiellore por edhe me “gurshkrim” ndërtimor mbi pëlhurën tokësore.