Andej-Këtej

“Gabimi i madh” - Nga Albana Lifschin

Albana Lifschin - SHBA

Në njërën nga netët e rrëfimeve, pa mbaruar as java nga ardhja e gjyshit, rregulli disi u prish, pasi im vëlla, doktori, u vonua. Nëna pa orën.

- Ndoshta ndonjë pacient në spital, - tha ajo.

Kur ai u dha në derë, pyeti me një vështrim të shqetësuar:

- Ka ardhur njeri këtu?

- Jo, - u përgjigjëm. Ne po të prisnim ty.

Ai hyri në banjë. Mua më ra në sy se im vëlla nuk e ndezi dritën. Dera e banjës qe hapur. Seç ndjeva. U ngrita dhe unë. Iu afrova dritares dhe ashtu në errësirë hodha vështrimin poshtë. Në rrugicën ku hyje te godina jonë kishte ndalur një benz i zi. M’u drodh zemra. Ato lloj makinash ishin të Ministrisë së Punëve të Brendshme...

Të nesërmen, në shtëpi plasi Sigurimi i Shtetit. Ishin dy oficerë. Nëna u priu në dhomën e miqve. Ata i bënë shenjë të mbyllte derën. Nuk ndenjën shumë, por kur dolën, nëna u kthye në kuzhinë e bërë limon në fytyrë. I kishin dhënë ultimatumin që plaku duhej të kthehej nga kishte ardhur.

- Është bërë një gabim, kuptoni? Është bërë një gabim në ambasadën tonë në Itali. Plakut nuk duhej t’i jepej vizë.

- Përse? Përse, xhanëm? Ç’ka bërë? - pyeste nëna.

- Ne jemi këtu për të bërë detyrën, - thanë ata. – Ai duhet të largohet brenda dyzet e tetë orëve.

Si mund t’i thoshte babait të kthehej nga kishte ardhur, se “qe bërë një gabim?” Si qe e mundur të qe bërë një gabim 'kaq i madh'?

Plaku vuri re se diçka nuk shkonte atë mbremje. E kuptoi që qeveria po merrej me të. E kishin paralajmëruar miqtë e tij para se të nisej nga Nju-Jorku. I kishin thënë të mos kthehej në Shqipëri. Ai kishte heshtur e pastaj kishte vepruar si i kishte thënë mendja e tij. Sidoqoftë, një parandjenjë e kishte bërë që të mos lajmëronte askënd për ardhjen e tij. Po kthehej në familje pas 45 vjetësh.

- Babë, a don të pish diçka? - foli nëna. Nuk guxonte të hapte bisedën që e kishin urdhëruar të bënte.

- Jo, asnji send.

Qe shumë e vështirë për të që t’i thoshte babait se ç’po ndodhte. Si mund t’i thoshte: “Ik, o baba nga ke ardh se qeveria këtu nuk të do!” Dhe kush e dinte se si do t’i përgjigjej plaku. “Ç’punë ka qeveria? Unë jam baba juj. Kam ardhë te fëmijët e mi, në shtëpinë teme!”

Unë e shikoja e heshtur dhe brenda vetes përjetoja një ndjenjë të çuditshme, si ata që e dinë që njeriu i tyre do të vdesë së shpejti.

- A don ndonjë ambëlsinë? Ty të pëlqejnë ambëlsinat. Plaku heshtte dhe bluante. Dikur i bëri shenjë nënës t’i shkonte pranë. Ajo bëri siç i tha.

- Dëgjo, moj bijë. Mos u tremb, se mu nuk kanë se çfarë të më bajnë. Unë jam shtetas amerikan. Më mbron pasaporta amerikane. Por këta do ta mendojnë mirë kët punë, se asht e lehtë me e hedhë një plak, por nuk asht e lehtë me u turpnu një qeveri.

***

Sigurimi i Shtetit u dha përsëri në shtëpi të nesërmen. Nëna nuk e kishte zbatuar urdhrin. Kësaj here, bashkë me ta kishte ardhur edhe një tjetër. Dukej më autoritar. Duhej të qe edhe më i madh në pozitë. Ai hyri drejt e në kuzhinë, ku rrinte gjyshi. Mbi tryezë, në taketuke, qe bërë një pirg i madh bishtash cigare. Ai toku një gotë raki me të. U habita me sa lehtësi e bëri këtë. Kishte tokur gotën me ‘armikun e popullit’ dhe nuk u tremb se vartesit mund ta spiunonin tek eprorët e tij.

- Ju mund të vini në Shqipëri më vonë, ndoshta, por tani duhet t’ju nisim përsëri në Amerikë. Është bërë gabim për ardhjen tuaj. Ambasada në Romë, që ju ka dhënë vizën, do të mbajë përgjegjësi për këtë gabim.

- Ani, ani, - tha plaku qetësisht, - gabime bahen. U duk sikur qe i përgatitur për këtë. Gjakftohtësia e tij u dha zemër të gjithëve në familje. Natën e fundit, para nisjes, kur rreth tryezës u mblodhëm të tërë, gjyshi ngriti lart gotën e rakisë dhe na tha:

- Tokeni këtu, se unë jam i pari që e theva perden komuniste dhe ju siguroj se ky pushtet nuk zgjat ma shumë se dy vjet. Për të tjerat mos u shqetësoni, se unë do largohem vetë pa ju hap telashe e do të vi prapë pas ranies së komunizmit.

Të nesërmen, në aeroport e përcolli im vëlla me nënën dhe vëllai i nënës, Frani. Kur avioni hyri në re, ata panë njëri-tjetrin. A do të zbriste sërish në këtë tokë babai, vallë?

Të nesërmen im vëlla ndjeu që gjurmohej nga Sigurimi. Ishte fundi i vitit 1989.

(Shkëputur nga libri "Yjet nuk janë të kuq")