Andej-Këtej

Enigma e emrave paradoksalë dhe Mitologjia - Nga Burim Bardhari

Rilindshmëria qëllimi lapidar i jetës - Treshja: Virgjinia, Nostradamus dhe Xharie (konkubinë: grua bashkëfjetëse pa kurorë)!

Paradoksi më i madh haset tek emri i mirënjohur ‘Virgjinia’ sepse në latinisht mirëfilltas buron nga vetë fjala ‘vajzë’, prandaj shqip yjësia përkatëse nuk quhet 'Virgjëresha' por 'Vajza' sepse vashat dikur, sidomos në lashtësi i nënshtroheshin moralit të ndalesës epshore ose marrëdhënieve të ndaluara pa kurorë, rrjedhimisht ishin të 'çiltra' (helenisht: parthenos) ose virgjëresha të padefloruara apo të paprekura, si hyritë as nga dora e njeriut as nga dora e xhindit, derisa të promovoheshin si gra kur përgëzohej e konsumohej martesa natën e parë (latinisht: prima nocta).

Ky paradoks dhe kjo përplasje logjike është si 'dardha me bishtin prapa'. Njëri nga variantet me ndikim të gjithanshëm është se ky emër i kudopërhapur lidhet me 'vajzërine' (çiltërinë) e hyjneshës mitologjike egjiptiane Isida e cila u mbars virtualisht, pas vdekjes së të shoqit dhe njëkohësisht vëllait saj Ozir-it me gjymtyrën (pallën) e gjetur të trupit të tij të copëtuar e të hedhur në lumin Nil dhe ajo lindi të birin Horas-in, që në biologji njihet si lindje e çiltër vajzërore pa mashkull ose 'parthenogjeneza', pasiqë 'Virgjëresha' është parimisht e rëndësishme sepse lind hyjin mitologjik dhe duhet të jetë e njomë, ‘e pastër dhe e pafajshme.’

Egjipti i lashtë ishte parashembull dhe precedent për shumë dije e arritje ndërsa ky sot mjerisht është mbuluar nga pluhuri shkretinor, i lashtë por edhe i vjetëruar. Atëbotë para rreth pesëmijë vitesh atje u ndërtua piramida e famshme e faraonit Kufu (Keops) që përmban fshehtësi shkencore si konstante ose vlera të përjetshme të gjithësisë si numri Pi e Fi. Dallohet si vendi i zbulimeve nismëtare të gjeometrisë së shenjtë, astronomisë, fesë dogmatike dhe mitologjisë. Atje shpiket qelqi, birra dhe ndoshta synetimi etj. Rrjedhimisht, kushdo që e pushtoi Egjiptin më vonë, u pushtua mbrapsht nga kultura superiore.

Jo kot pushtuesit përfshirë Lekën, Cezarin, Saladinin por edhe shqiptari Mehmetaliu ynë, cilësoheshin krenarisht si trashëgimtarë e pasardhës të Egjiptit të lavdishëm, qoftë si helenet të cilët huazuan shumë mësime prej tyre, thjesht në disa raste vetëm mbivendosën mbishkrimet e tyre. hyjnesha Sopdet u ripagëzua Sothis dhe hyjniu Sah u shqua si yjësia e gjuetarit Orion, mirëpo edhe para pushtimit prej tyre të Egjiptit, siç e pagëzuan hyjneshën e tyre mitike Athina, si Athina virgjëreshë (Athina Parthenos), ndërsa romakët hyjneshën Vesta.

Po ashtu Rea Silvia, nga mitologjia romake, e ëma e binjakëve folklorikë Romulit dhe Remit, që të shpëtonte kokën nga dënimi me vdekje zgjuarsisht arsyetoi veten para mbretit fronrrëmbyes Amuliu(s), ungjit të saj, se si virgjëreshë Vestale ishte përdhunuar dhe mbarsur nga Marsi, hyjnia e luftës sepse kush guxonte ta kundershtonte Marsin e marrë e të tërbuar, madje përfiton nga adhurimi e nderi hyjnor. Më vonë nga shembulli tokësor i mbretëreshës Elizabeta e I (Parë) mësohet se edhe ajo u cilësua si Mbretëresha Virgjëreshë e cila jo se nuk kishte patur të dashur por ngeli e pamartuar që të mbronte vendin e saj nga ndërhyrjet ngatërrestare diplomatike apo ato luftarake dhe befasisht shpartalloi detarët spanjollë të pamposhtur deri atëherë.

Nga tipologjia si doktrinë, emri i personazhit ose prototipit periudhtas mund të pësojë ndryshime kohëvendore, por rrëfimi duhet të mos humbasë thelbin sepse ruhet vijimësia nga lashtësia, si rrëfimi ‘virgjëreshor,’ me figurën e Marisë Virgjëreshë ose Meriamit, apo Meremesë, së paku krahasimisht falë disa ngjashmërive. Yjësitë pikëlidhtas përcaktojnë një figurë si demi, dashi apo cjapi por edhe të përfytyruar si binjakët nga dy yje kryesore (Polluks e Kastor, njëkohësisht përfaqësojnë edhe Romulin e Remin), mirëpo derisa mund të duken si figura në pëlhurën qiellore ato nuk mund të rrëfejnë gjendjen e çiltërisë të femrës, prandaj shqipja përkon me logjikën dhe nuk e quan si yjësia Virgjëresha por Vajza, ndonëse përcaktimi 'virgjëresha' është më i qartë për sot dhe për rrëfimin mitologjik, pasiqë dielli (ylli, hyji, ati mitologjik) në muajin Mars e përshkon ‘shtëpinë ose yjësinë’ Virgjëresha në mes dhe e mbars ndërsa pas nëntë muajsh në dhjetor (gjatë solstici-t dimëror ose diellndodhja) lind biri dhe nga viti në vit adhurimthi përjetësohet tregimi.

Në Amerikë, në ‘tokën e re,’ jo rastësisht dy shtetet emnake qëndrojnë ngjitur, Maryland dhe Virgjinia (Maria Virgjëreshë) ndërsa Uashingtoni është në mes. Në këtë kryeqytet, boshti i treshit të famshëm, egjiptian - helen - romak përfaqësohet nëpërmjet arkitekturës mahnitëse të kryeqendrës ku lapidari (i njohur si gjilpëra e Kleopatrës, shih lapidarin në Nju Jork) është vendosur me rëndësi qendrore, mes godinës së Kongresit mbi kodër me arkitekturë romake dhe asaj në fund të boshtit si Akropoli helen. Lexoni librin 'Arkitektura e Fshehtë e Kryeqytetit Kombëtar,' e Uashingtonit nga David Ovason dhe do të mësoni se vetë kryeqyteti është themeluar në shenjë adhurimi të yjësisë Vajzë, më ngushtësisht në rreshtim me yllin ose 'yllzën' Spika.

Megjithatë, nëse biri i saj lindi në 25 Dhjetor, atëherë si hebraik dhe sipas dogmës fetare hebraike, synetimi i djemve kushtëzohet me ditën e tetë (numëroni vetë, 25, 26, 27, 28, 29, 30, 31 e 1) dhe kjo ditë bie më 1 Janar për vitin e ri, prandaj synetimi i meshkujve është tejet i rëndësishëm për dy nga tri fetë monoteistike, sepse vetë patriarku përkatës, stërgjyshi i përbashkët Abrahami ose Ibrahimi, i cili nuk e shpiku synetimin sepse njihej që në Egijptin e lashtë por edhe gjetkë, pastaj cila është lidhja e arsyeshme mes fesë me synetimin (ose 'çlafshim-in') e gjymtyrës epshore; prandaj besëlidhja e parë ose marrëveshja e parë me zotin e tij (sipas tij) ishte përkitazi me synetimin.

Ai kryen synetimin e të birit Isakut (apo edhe Ismailit, sepse kishte dy djem, nga Isaku trashëgohet kultura fetare hebraike dhe ajo e krishterë evropiane ndërsa nga Ismaili kultura fetare myslimane) dhe sipas tij, zoti i tij i premton lavdi për popullin e tij i cili popull vërtetë u bë jashtë mase i njohur sepse nga feja e tij me gjurmë egjiptiane të cilët pararendësisht e njihnin shpëtimin e shpirtit si dhe matjen e mëkateve, më pas huazuan dy fetë pasardhëse edhe të krishterët edhe myslimanët, me përjashtim të synetimit në Krishterim që mori tjetër kuptim fetar apo figurativ. Më vonë, vetë Moisiu (ose Musai) mëkatoi pahiri por 'zoti i tij e kërkonte ta vriste' sepse kishte harruar ta bënte synet të birin ditën e caktuar, (sipas Eksodit shih vargjet 4: 24-26) turravrap ndërhyri e shoqja e tij 'Zippora' e cila me briskun prej urori rrëmbimthi ia preu lafshën të birit dhe ia hodhi bashkëshortit në këmbë që ta shlyente mëkatin dhe ta shpëtonte profetin nga dënimi i rëndë.

Emri i dytë Nostradamus ka të bëjë po ashtu me latinizimin mashkullor të emrit të 'Zonjës Sonë', 'Notre Dame' duke shtuar mbaresën latine 'us', emër i sajuar nga dialekti frëng i barnarit parashikues Mikel Nostradamus që bën profeci të pabesueshme edhe sot pasvdekshëm, kinse matanë varrit, ndonëse më shumë tingëllojnë si hamendësime se sa të vërteta faktike. Sidoqoftë, pothuajse nuk ka shtet perëndimor që nuk ka kishë të ngritur për adhurimin e 'HyjLindëses' edhe pse themeluesi është vetë i biri Jezui, madje dikur edhe emri i qytetit frankofon kanadez Montréal quhej ‘Ville Marie,’ por ka edhe qytezë 'Marieville.'

Emri i tretë buron nga arabishtja dhe shpalos se disa klerikë në mungesë të stërvitjes nëpër qendra teologjike myslimane ose të përvetësuar si zanat babe por edhe vetë dëshira e flaktë e disa fetarëve të panxënë që tymthi shkëpusin fjalë nga libri i shenjtë pa e kuptuar domethënien e fjalës kanë bërë gabime të hatashme duke i emëruar fëmijët e tyre me fjalë kallëp si  emri ‘Xharie’ (Jariya) për vajza që mjerisht nënkupton 'konkubinë', fjalë e huazuar prej latinishtes dhe nënkupton grua pa kurorë, vetëm për ‘bashkëfjetje’ siç ishin gratë nëpër hareme.

Si përfundim, si mitologjitë e huaja edhe fetë e shartuara meslindore ofrojnë vetëm qasje të ndryshme për njohjen e Mendjes Hyjnore, prandaj detyrë e shenjtë e klerikëve dijedashës shqiptarë mbetet që t’i përkthejnë jo vetëm librat e shenjtë, por edhe t’i shqipërojnë lutjet bashkë me shërbesat fetare, sepse bëhet unisimi i vetëdijësimit që të shmangen hutimet, sidomos gabimet e (pa)qëllimshme ngase shqiptarët besimtarë kanë vetëm një sovran hyjnor, Zotin në qiell dhe një lojalitet, Besën shqiptare.