Andej-Këtej

Streha e fundit - Nga Faruk Myrtaj

Faruk Myrtaj - Toronto

Turma ia gjeti sërish vend-strehimin.

Punonjësi i Policisë që ruante te dera e jashtme, e njoftoi se dhjetëra njerëz, banorë të kësaj zone, kishin rrethuar shtëpinë dhe, si tërë herët e tjera, si kudo tjetër, kërkonin nxjerrjen, largimin e tij.

Një tjetër makinë policie, e forcave të gatshme, do të arrinte shpejt. Si zakonisht edhe kjo.

Ende nuk ishte nxjerrë në gjyq. Ai vetë gati besonte se ky gjyq nuk do të bëhej kurrë. Ishte plakur shpejt kohëve të fundit. Dhe ishte dobësuar shumë. Duket sikur kishte vdekur një herë, por e kishin nxjerrë jashtë, edhe prej varrit, vetëm që ai të shihte se si mendonin njerëzit për kohët nën sundimin e tij.

Tashmë nuk i numëronte dot shtëpitë dhe apartamentet që i është dashur të ndërrojë. Tërë qeveritë pas tij kujdeseshin të mos binte në duar të atyre që kishte munduar me të tepër. Turmat po ato, njëlloj edhe fjalët që lëshojnë, por ai s’kujtohet dot për turmat që dikur e duartrokitnin kur shfaqej tribunave…

Ai sinqerisht habitet me këmbënguljen për ta zbuluar kudo ku strehohej, por edhe me qetësinë e vet. Ata bërtasin, si të trishtuar mbase nga që qenë rebeluar me vonesë dhe, po aq çuditërisht, edhe kur e pikasin ku është fshehur së fundi, nuk nxitojnë ta godasin, as ta prekin me dorë.

Mbase ngaqë në krye të tyre vendosen gjithnjë një varg nënash me rroba të zeza, që vetëm shtrijnë duart e drejtuara nga qielli. Janë nënat e të rinjve vrarë në kufi. Të djemve në përpjekje të arratiseshin prej sundimit të tij…

Kërkojnë vetëm largimin e tij prej shtëpisë dhe lagjes ku është. Vetëm kaq.

Policia, e shtetit të pasrënies së tij, e ruan nga afër. Kur masa e njerëzve aty jashtë rritet shumë, e hipin në makinë të sigurt, me shenjat e shtetit që tashmë nuk komandohet prej tij, dhe e nisin për diku tjetër.

As ai nuk e di, madje as është kurioz se ku dhe se si do jetë shtëpia tjetër e radhës. Mezi pret që, sa të arrijnë aty, të plandoset në shtratin që sigurisht ia kanë bërë gati dhe të flejë, të flejë pa fund, edhe pse është i sigurt se edhe atje ku po shkojnë do ta gjejnë prapë.

Në rrugë për atje, por edhe pasi arrin, në intervalet kur i del gjumi deri sa të humbasë sërish në gjumin tjetër, shtron gjithnjë të njëjtën pyetje: sa kohë do t’i duhet turmës ta zbulojë sërish strehimin e tij dhe të vijnë për ta dëbuar sërish. Shteti i ri bën gjithçka ta mbajë të fshehur qenien e tij, por ngaqë dikush duhet të rrijë aty jashtë, ta ruajë, dhe ngaqë duhet t’i sjellin ca furnizime dhe do duhet një mjek të vijë ta vizitojë, fshehja e tij mbetet lajm i ri…

Në gazetat e ditës, që ia sjellin të gjitha, që janë shtuar shumë, në vend të së vetmes gazetë, të së vetmes parti që vetëm ai e kryesonte përjetshëm, dikur, lexoi se ishin më shumë se 99 parti të reja. Në kohët që erdhën, në të gjitha gazetat thuhej se politika ishte streha e fundit e atyre që s’dinin tjetër të bënin veç të premtonin dhe të vidhnin, por emri i më të resë prej tyre e ngazëlleu dhe e fiksoi: “Partia, Zoti, Shtëpia, Familja”.

“Nëse do të më pranonin, do të nënshkruaja kërkesën për tu pranuar tek kjo parti! Më tremb një çikë fjala Zot, Familjen e kam humbur por, për një Shtëpi nga ku s’do të më largonin sërish, do lutesha...”, i tha policit që rrinte te dera.

“Kam përshtypjen se më në fund keni të drejtë, zotëri! Pikërisht kjo parti, u premton votuesve të saj burgimin tënd të përjetshëm!”, i tha polici duke marrë sërish drejtqëndrim.

I ruajturi prej uniformave quhej Honeker, por kjo asnjë rëndësi s’kishte.

©Faruk Myrtaj