Andej-Këtej

Ju tregoj një vend magjik!

Nga: JETA DEDJA

Ti thjesht magjepsesh kur shkon atje…njëlloj si të biesh në dashuri, në atë dashurinë marramendëse që të mbërthen brenda sekondash. Pastaj ti kupton që dashuria është ndezur përtej disa sekondave, të ka rrëmbyer zemrën bashkë me emocionet për shumë ditë. Ti ndjen çdo gur historik që shkel gjatë shëtitjeve nën fëshfërimat e aheve dhe aromat e pishave çudibërëse. Aty dëgjohet pareshtur muzika e natyrës, njëlloj si muzika që shoqëron dashurinë romantike. E pastaj, gjithë vendi të përkëdhel, njëlloj si në një përkëdhelje dashurie, ku zemra shpeshton rrahjet, diafragma të ngrihet peshë e ti ndihesh një çast e pafrymë, për tu mbushur më pas me jetë. Ti del në rrugë dhe porta nuk mbyllet pas teje.

Bujtinat në Voskopojë zgjohen me porta të hapura dhe flenë të pakyçura natën. Aty çarçafët ndrijnë nga bardhësia dhe bujtësit kanë shpenzuar vetëm 2 mijë lekë nata. Të zotët e bujtinave janë njerëz punëtorë e të thjeshtë, me të cilët të lezeton njëçik muhabet. Banorët e shtëpive gurëskalitura, mikëpritës deri në habi, të përshëndesin paqësisht nga oborret e tyre, ku nën rrezet e diellit bëjnë kumbulla të thara ose oshafe. Pas shtëpive të tyre dallohen rreshtuar zgjojet e bletëve fatlume që kullotin e kokrrojnë polenin e bimëve të shumta kodrave e pyjeve fatmirësisht të padjegura. Kush ka takàt dhe shpirt aventure, çdo mëngjes ngjitet deri në manastirin e Shën Joan Pararendësit mbathur me atlete dhe kapelë në kokë. Janë 1320 m rrugë deri atje dhe po të kesh fëmijë me vete, mund ta përshkosh për rreth 90 minuta, duke llogaritur selfie-t që mund të bësh rrugës. Ose mund të shkojë pak më gjatë nëse llogarit ndalesën për një kafe tek ish-Akademia e famshme që sot është katandisur në një hotel/bar me bahçe. Gjithsesi aty oksigjeni gjendet në formën e O3 dhe hoteli është populluar me pushues në kërkim të rikuperimit të shëndetit. Më pas arrin në manastirin e vjetër, portën e të cilit e gjen të hapur dhe nëse pret deri në orën 8.30 vjen kujdestari, i cili e ruan me përkushtim dhe dashuri kishën. Nga aty mund të kundrosh peisazhin e mrekullueshëm, pa e ndjerë orën që kalon, ndërsa në kishë do shohësh pikturat murale të mbetura nga djegiet e hershme. Mund të freskohesh në çesmën e manastirit, ku uji nuk ka nevojë për filtra e para se të zbresësh në fshat, të shlodhesh nën hijen e akacies në oborr të kishës dhe të rrish pa folur për disa minuta. Thjesht ndjen si davaritet gjithçka që të ka trishtuar më parë dhe jeton dashurinë e paqtë që të përshkon për vendin tënd, sidomos kur takohesh me historinë.

Rrugëve të fshatit, në Voskopojën ku u projektua për herë të parë krijimi i shqipes së shkruar, do dëgjosh të flitet në 3 gjuhë, çobançe, greqisht dhe shqip. Kavaljoti do të mërzitej pak nga ky fakt, dhe aq më tepër nëse mesha nuk do të mbahej në shqip. Por ke fatin të takosh priftin, e ta pyesësh. Ai është një njeri i qeshur dhe tepër miqësor, i cili është i gatshëm në çdo orë të ditës t’ua tregojë Kishën e Shën Kollit turistëve, edhe pse është me llaç duke u rikonstruktuar. Kisha ndodhet në zemër të fshatit, ku pavarësisht besimit fetar, të shumtë janë vizitorët që ndezin qirinj e vendosin ndonjë monedhë në arkën e bamirësisë. Brenda kishës, të duhet të memorizosh rreth 100 figura biblike në afresket e pikturuara nga David Selenica, fotografimi i tyre nuk lejohet  ( me të drejtë).

Dëshira për të prekur magjinë që të fal ajo kulturë e lakmueshme nga artistët, historianët por edhe hajdutët e ikonave, apo për të thithur ajrin e pastër, të huaj për Tiranën apo Elbasanin, të shtyn të ecësh në këmbë ose edhe me biçikletë në rrugët që po rikonstuktohen në epokën e rilindjes urbane. Çuditërisht, askush nuk bezdiset, as punëtorët që gdhendin gurët ndërkohë që turistët kalojnë përmes, dhe as turistët që i zbresin biçikletave për të kaluar me kujdes. Të paktën në portret nuk u lexohet ndonjë emocion negativ. Kur e nis rrugëtimin të duket sikur do shkelësh në një pëllëmbë vend, por pasi ke shëtitur duke shijuar çdo element, programi i celularit të ka matur mijëra hapa. Dikush mund të ankohet se aty dita nuk kalon shpejt, pasi nuk ka det apo pishinë. Se aty mund të hash vetëm lakror në saç dhe mish të pjekur në hell, apo pengjir dhe kos me mjaltë. Por unë një gjë e them me siguri. Në Voskopojë nuk të mbyt as vapa, as dëshpërimi nga shërbimet hilanjose alla-shqiptarçe, sepse Voskopoja është ende magjike. Nëse ti shkon sot atje, ty mund të të zgjasë magjia derisa t’i kthehesh përditshmërisë. Por nëse bie në dashuri me Voskopojën, magjia do të të zgjasë për aq kohë sa të kesh ëndërrime.