Andej-Këtej

Kalorësi i fundit - Nga Dashnor Kokonozi

Një histori që më la gojëhapur

Kur më 1938 Gjermania nisi operacionet për pushtimin e Çekisë, në vend pati lëvizje të shumta e protesta, por jo ndonjë rezistencë të armatosur.

Pa dashur t’ia dijë për gjëra të tilla, Hitleri nisi tanket, i sigurt se fuqitë e mëdha të kohës do të mbyllnin gojën, sikundër e mbyllën.

Tanket e para gjermane nisën operacionin e aneksimit duke e kaluar kufirin në fshatin çek Šumava Bučina.

Në çastin kur një divizion i tërë po çante përpara me zhurmë e rrapëllime e duke rrënuar gjithçka ndeshte, në majën e një kodre në të hyrë të fshatit u shfaq një kalorës i veshur me armaturë hekuri.

Duke shtrënguar kalin që mezi përmbahej, i la tanket të afrohen dhe në distancën që e gjykoi të arsyeshme për sulm, uli vizoren e helmetës së tij, tërhoqi e siguroi takëmet e kalit, shtriu përpara heshtën e gjatë dhe u dha fort yzengjive.

Nuk ishte shumë lart repartit të karrocuar të ushtrisë naziste dhe tek vështronte cilit t’i sulej më parë, tanket nisën të ndalojnë me radhë. Ekipet e drejtimit, hapën kapakët e dyert anësore dhe nisën të dalin në fushë me sytë nga kalorësi që po vraponte me tërsëllimë drejt tyre.

Të tjerë qëndruan të vështronin nga lartësia e kullave të tankeve. Ndonjëri shkrepi edhe ndonjë fotografi, por askush nuk bëri as edhe gjestin më të vogël t’i drejtonte ndonjë grykë zjarri apo të nxirrte pistoletën nga këllëfi.

E vështronin me kureshtjen më të madhe. Shumë menduan se do të ishte ndonjë budalla lokal.

E lanë të kalonte flurimthi midis tankeve, pa e fshehur habinë dhe kureshtjen e madhe. Pastaj u kthyen në postet e tyre të luftimit dhe vazhduan rrugën për aneksimin e vendit.

Kjo ishte e vetmja rezistencë e armatosur që ndeshën, por pa e marrë vesh mirë nga doli dhe nga shkoi ai kalorës.

Më vonë u mor vesh se ishte fjala për Josef Menčík, dikush që kishte blerë një kështjellë në ato anë dhe i pëlqente të jetonte si në kohëra e vjetra, e madje përpiqej t’u ngjallte të rinjve dëshirën për të njohur historinë e vendit të tyre.

Shpesh priste edhe nxënës shkollash në kështjellën e tij për t’u folur për epopetë e dikurshme të kalorësisë.

Do të vdesë pak kohë më vonë, nga marazi që e pa vendin e tij të pushtuar.

©Dashnor Kokonozi