Andej-Këtej

Frigoriferi

Nga: AGIM XHAFKA

Sa herë dal sipër te Qafa e Llogarasë më kujtohen pushimet verore në komunizëm. Ishim me fat që shkonim familjarisht në Qeparo, por ishim dhe pa fat kur deri sa arrinim kalonim një kalvar të vërtetë. Niste nga grumbullimi i ushqimeve. Hiqnim mënjanë që në maj mish, gjalpë ,pulë dhe vezë. I futnim në frigorifer e i lidhnim me një fjongo blu, që të mos i hanim padashje. Janë të detit,-i thoshim vetes. Pastaj siguronim biletat e autobuzit të Himarës. Pastaj merrnim ushqimet dhe rrobat në çanta e suleshim drejt valëve. Sa mbërrinim shpërndanim ushqimet nëpër banorët e pallatit ku do rrinim dy javë. Kishin frigorifer dy familje, një kishte te pallati tjetër e dy ishin në fund të fshatit. I ndanim njerëzit sipas ditëve. Për shembull, Gaqo ishte dita e hënë, pra te frigoriferi i tij ishin vezët dhe mishi i grirë për qofte. Athinaja ishte e marta, kishim pulë. E mërkura ishte bosh, bënim fasule. E enjtja qe Jorgji. Kishim mish viçi me bishtaja. E kështu kullandriseshim deri sa iknim. U thoshim familjeve me frigorifer mirëupafshim vitin tjetër e ata na përqafonin me mall. 

Kështu disa vite deri sa Gjergji shoku ynë, që pushonte me ne, propozoi që ushqimet mos t’i sillnim me çanta në Qeparo. T’i sillnim me frigorifer. Ta mbushnim plot e t’ja ngarkonim babait të Llaqit, që kishte një furgon të shpërndarjes së librave e gazetave. U kujtuam që Mihali këtë rrugë bënte. Por na doli e papritura e parë. Do na shkrinte frigoriferi për gjashtë orë pa qenë në prizë. Si do e ruanim freskinë? U dha zgjidhja që shofer Mihali të hajë një paçe në mëngjes sa të arrijë në Durrës dhe frigoriferin ta vinte në korrent te restoranti. Me të do udhëtonte dhe Gjergji. Më tej një kafe e shlodhje në Fier e fut prizën te kafja, pastaj në Llogara e në fund në Qeparo. Gjergji mori me vete një zgjatues korrenti e mbërriti dita e nisjes. Ata, Mihali, Gjergji, çuni i tij dhe frigoriferi me furgon qysh në pesë të mëngjesit. Ndërsa ne të tjerët me autobus në orën 7. Dukej se çdo gjë vajti vaj. Kur ne arritëm në mbrëmje ushqimet dhe frigoriferi ishin te dhoma ku do pushonim. Por tek dyshemeja ishte një rrëke uji.
-Ka shkrirë?- pyeta Gjergjin.
-Po. Bëmë gomë në Dhërmi. Po vonohej Mihali se nuk kishte krik me vete. Mos u shqetëso,- i thashë. Pashë një Zis me gurë që po vinte. Iu luta të më merrte me frigoriferin deri në fshat, dy kilometër larg isha. Pranoi dhe sa e zbrita te restoranti, bëra gati prizën, kur kamarieri më tha se kemi dy ditë pa drita. Po fat që nuk u vonua Mihali. E hypa prapë frigoriferin dhe ecëm. E, ja tani u qullën ushqimet nga nxehtësia, por deri nesër do i forcojë akulli.
Na doli gjysmake zgjidhja që gjetëm. Por në darkë erdhi lajmi bombë.
-Të kërkon mamaja nga Tirana në telefon,-më tha fqinji Gaqo. Numrin e tij e kisha lënë që të lidhej nëna nëse kishte ndonjë problem. U bëra meit. Vetëm halli të telefon- mendova.
-Alo, mama, si je?
-Mirë, por te ushqimet e frigoriferit është dhe mishi i Niqkës. E ka lënë për pilafin se do i bënte të 40-tat burrit që i vdiq. E ka me fjongo bojëqielli.
Hapa derën dhe gjeta dy pako të saj. I pamë si blutë tona dhe i morëm me vete.
-Po si të t’i nis? Do prishen deri në Tiranë se vapë e madhe.
-Jo, jo, mos i nis. Bëjeni pilaf në një tenxhere të madhe e mishi i zjerë rron deri 24 orë.
Kështu pa u shlodhur fare iu futëm pilafit. E mbajtëm Mihalin me raki e gënjeshtra deri sa tenxherja e piu ujin. Orizi ndriste. Thelat ia vumë sipër dhe e nisëm drejt përkujtimit të burrit të Niqkës.
Natën e parë nuk e kisha mendjen te zhurma e valëve. Dëgjoja frigoriferin “Obodin” si gulçonte e gëzohesha. Se ai ishte restoranti im dyjavor, plot me pesë yje.