Andej-Këtej

Dita e Verës dhe Vitit të ri të lashtë - Nga Burim Bardhari

Besimi Diellor me Horoskop e Zodiak - Yjësia Vajza Virgjëresha dhe Ujori në Mitologji

Mitologjia habitshmërisht është më e fuqishme se e vërteta e prekshme faktike sepse njeriu i pastërvitur dhe pa pranguar nga arsimi shkencor, natyrisht i paspërvojshëm, më lehtë i përvetëson mësimet dhe dituritë përtej logjikës së thatë që burojnë nga rrëfimet e lashtësisë së mugët e mistike ose fatthënies me Horoskop, si filmat me tregime trimërish e dashurish, kallzime me zana e shtojzovalle apo kanosja nga orët dhe në përgjithësi frika nga e panjohura duke i përshkuar ato me prirje zmadhimesh e zbukurimesh mitike të cilat prekin shpirtin me frymëzim përfytyrimi dhe zgjojnë kureshtjen e mundësive të pahulumtuara.

Dielli ynë është ngulitur në qendër të vetëdijes njerëzore qoftë si dikur për njohuri mitologjike ose si sot për njohuri shkencore sepse është burimi kryesor i energjisë jetike, dritës dhe nxehtësisë por edhe pjellorisë, si shkaktar i tërthortë i stinëve, prandaj qëndron si bërthamë në mes të kopshtit tonë yjor lëvizor; jo siç hamendësohej deri në Rilindje se ishte toka amë, anija jonë kozmike. Nga ky këndvështrim që në lashtësi shquhej besimi pagan diellor dhe kudo adhurohej Dielli, ylli ynë sepse është burimi kryesor jetëmbështetës dhe palojafjalthi çdo gjë sillej rreth Diellit dhe 12 yjësive (sajim pikëlidhtas) që përshkon Dielli ynë gjatë udhëtimit qiellor në rrethepërqarkje të njohur si Viti i madh ose Viti Platonik në kohëzgjatje rreth 26 mijë vite. Luigji i 14-të, mbreti frëng dikur, quhej “Zoti Diell” si Amun Ra (Amin Ra ose Amon Ra) në Egjiptin e lashtë. Kreshta e nderuar e hënës poashtu nënkupton adhurimin e diellit por tërthoraz, sepse nuk është trup ndriçues qiellor dhe nuk duket pa dritën e diellit.

Kështu që, nuk është rastësi por urtësi mahnitëse e dijetarëve të lashtësisë, “intelektualëve paganë”, të cilët ishin pishtarët dhe rrugëhapësit e feve pasardhëse njëhyjnore monoteiste, sidomos shpikja e zgjuar e Zodiakut që nënkupton “rrip gjallesor” (“Kafsharrip-I”) ngase tërthoras i nënshtron në besëlidhje të gjithë banorët botërorë ta lidhin datëlindjen e tyre me diellin duke parë orën (ditën dhe muajin) e lindjes ose barasvleras me atë që njihet si “Horoskop” (që në latinisht nënkupton shikim të orës).

Nga mitologjia përkatëse qëllimisht për ta adhuruar shkëlqimin e diellit që përshkon 12 yjësitë, ndërsa përtej tyre vezullojnë edhe yjësitë tjera, gjithsej 88 që ndërtojnë pikëlidhtas vizatimin e ndonjë personazhi mitologjik si Vajza Virgjër ose Shigjetari si dhe Dashi apo Ujori simbolik dhe si zotësi e veçantë bartin rrëfimin e synuar me “yjeshkrim” në pëlhurën qiellore që të mos zhduken mësimet madhore kurrë (relativisht “kurrë” sepse yjet shembin), ndonëse për shembull figura femërore nuk zbulon gjendjen e çiltërisë së Vajzës virgjëreshë, por ka të bëjë thjesht me besimin lidhur me virgjëreshën e cila duhet të jetë e panjollë dhe pamëkat që të “mbarset” mitikisht nga “Hyji Dielli” që e përshkon atë në mars dhe “anasjelltas” pas nëntë muajve mbrapsht nga shenja e Shigjetarit në dhjetor ajo cilësohet si “Virgjëresha Hyjlindëse”.

Virgjëreshat e çiltra përmenden që nga lashtësia egjiptiane siç njihet hyjnesha Isida e cila ishte e ëma e Horasit, “Hyjit” mitologjik që lindi ajo si nëna e foshnjës së bekuar dhe me ndërhyrjen e tërthortë të prindit të tij atnor të pajetë por nga palla e ringjallur për punë si në përralla. Më vonë edhe të tjera si virgjëresha Athina “Parthenos” dhe Maria tokësore (ose Meriem, Mereme), madje edhe vetë mbretëresha e parë Elizabeta e Anglisë që nuk u martua dhe cilësohej si Mbretëresha virgjëreshë edhe pse kishte patur të dashur, por parapëlqeu të njihej si e shenjta virgjëreshë nënë e popullit.

Dielli natyrisht dhe adhurimthi shënon katër pikë të rëndësishme që kanë të bëjnë edhe me “kryqin” e katër stinëve të vitit; dy solstice (që nga latinishtja nënkupton “diellpushim” ose “diellndalje” apo thjeshtë diellndodhjet që shënojnë “pikën e pushimit” të diellit, verës më 21 qershor dhe dimrit më 21 dhjetor) si dhe dy ekuinokse ose baraznet-ët; baraznata e pranverës në datën 21 mars dhe e vjeshtës në datën 21 shtator sepse rrezet e diellit bien pingul mbi ekuatorin (ose barazvijën e përfytyruar që ndan botën polarisht veri-jug).

Ekuinoksi ose Baraznata shënon(te dikur) vitin e ri sepse paralajmëron ardhjen e pranverës dhe rizgjimit të jetës bimore nga lëvizja e lëngjeve kur periudha e ftohtë ose acarit merr fund nga baraznata dhe fillon të zgjatet dita me rrezet e ngrohta, rindizet edhe adhurimi i shkëlqimit të diellit jetëmbështetës për hir të pjellorisë e begatisë.

Rrjedhimisht, paganët e Mesopotamisë mesdylumshe dhe Egjiptit të lashtë fqinjor ose kishin trashëguar dituritë dhe mësimet e rëndësishme nga qytetërimet e qarqeve epokale të zhdukura pararendësisht, ndoshta edhe qëllimisht i mbuluan si të mugëta e mistike vetëm për pasardhësit e tyre, por disa njohuri i ruajtën me vizatime njëmijëfjalëshe në xunkth dhe pëlhurën qiellore, “rrëfim me yjeshkrim”. me të cilën shpikje gëzuan lavdinë, ose ndoshta kishin fat që hulumtuan e hetuan dhe përçuan dijen se gjatë diellpushimit ose solsticit veror Dielli ynë i dytë Syriu, si yll më i madh “riparaqitet” (pas humbjes së përkohshme pakmuajshe) dhe shkrin dëborën nga malësia e Etiopisë e cila dikur në mungesë të reshjes së shiut ndikonte në vërshimin e lumit të bekuar Nil që shpërthente mbi brigjet duke shpërndarë ujin nëpër fushat pjellore dhe si “mrekulli mojsiake” befas shërbente si ujitje hyjnore ose natyrore për rritjen e ushqimit, prandaj egjiptianët e lashtë që shquheshin me pasuri të grurit dhe shpikës të birrës mezi e prisnin diellndodhjen ose solsticin gjatë 21 qershorit si ogur i mirë i begatisë.

Krahas e përballas edhe lashtësia parashqiptare adhuronte diellin duke e cilësuar baraznatën si Dita e Verës që është zhvendosur për një javë më herët mirëpo përpara thuhet se shënonte të njëjtën ditë më 21 mars pasiqë ky muaj i përkushtohet hyjniut emnak mitologjik “Mars”-it, perëndisë romake të luftës ose barasvlerës së tij “Ares” në helenisht por që paraqitet si figurë e Dashit në rripin gjallesor të Zodiakut, pra nuk është rastësi por besim ose filozofi.

Në atëbotën e lashtësisë, nga mitologjia e kudopërhapur por e larmishme, Zeusi është barasvleras hyjniu egjiptianlashtë Amin Ra. Dashi në mitologji përfaqëson të birin e Zeusit dhe Herës (Era shqip), mirëpo epoka e Dashit njihet edhe si epoka e fisit hebraik dhe hebrenjtë i frynin bririt të dashit si bori, ndoshta edhe simbolikisht si theror flijimi ose kurban adhurimi ndaj hyjit, ngjasim me Isakun biblik të traditës fetare Abrahamike (të boshtit hebraik-krishter, ose ndryshe Ismaili i Ibrahimit sipas besimit të myslimanëve).

Therori ose flijimi i kurbanit huton sepse asnjë zoti të plotëfuqishëm nuk i duhej adhurimi i tij ose lutja atij me derdhje gjaku të gjedhit apo largqoftë njeriut, por dikush përfitonte ose nga frikësimi i vegjëlisë ose nga tregtia si edhe tatimi fetar, sidomos paria e priftërinjve dhe perandoria. Epokës hebraike me dash i paraprinte epoka e Egjiptit të lashtë me demin. Zeusi e vendos dashin si yjësi (sipas mitologjisë helene) prandaj epërson dhe spikat si simboli i parë i Zodiakut, por dikur edhe muaji i parë i vitit para se të shtoheshin dy muajt kalendarik më vonë, janari (kallnori) dhe frori (shkurti), ngase i përkushtohet hyjniut sipëror mitologjik dhe datën që shpalos ky simbol, jo rastësisht por bie pikërisht në 21 mars (shih Horoskop-in), në “barazditën” e verës dhe zgjimit e ringjalljes, prandaj edhe shënohej si viti i ri i lashtësisë.

Ngjashmërisht si flijimi i Jezu Krishtit për shlyerjen e mëkatit të mirëfilltë (origjinal), nga vitlindja e së cilit (përafërsisht) fillon numërimi i viteve paravajtësisht, nga 1 dhe rritje në 2 e 3 me vazhdimësi, fillimi i epokës dhe historisë së re, ndërsa njëkohësisht për disa astrologë fatrrëfyes shënon edhe ndërrimin e epokave zodiake dymijë e disa vjeçare pasiqë në vitin 1 kalohet nga epoka e Dashit në epokën e re të figurës së Peshqve që tërthoras lidhet me Krishtin e krezmuar, ngase biblikisht Jezui ushqeu 5 mijë veta me 2 peshq - dy Peshqit. Së “shpejti” (pas dhjetëra vitesh) duhet të kapërcejmë në epokën e Ujorit sepse dielli orbiton galaktikën në drejtim të akrepit të orës, për shembull nga epoka e Demit egjiptianlashtë tek Dashi hebraik dhe pastaj tek Peshqit e krishterimit deri më vonë te Ujori i ardhshëm ndërsa vetë Dielli sillet në drejtimin kundërkahës të akrepit të orës, bashkë me planetet.

Mitologjia mahnitëse për nga dituria e pashoqe rreth Astronomisë, njëkohësisht përfshin edhe ngjarje si tek telenovelat televizive (të Holivudit ose Turlivudit), Zeusi shtiret si demi dhe rrëmben bukuroshen Europën ose si mjellma dhunon Ledën. Ujori në mitologji njihet edhe si i “dashuri” i Zeusit, (një nga shembujt e lashtë të pederastisë helene, madje thuhet se edhe Sokrati i martuar kishte një ndjekës nxënës të dashur por edhe fjala lezbike buron nga ishulli “Lesbos”), si në Babiloni ose Meslindje ku dallohej edhe pedofilia me fëmijë të mitur. Zeusi me dhunë rrëmbeu bariun e ri Ganimid-in (Ganimed-in) bukurosh në moshën 15-vjeçare duke shtatshndërruar (nga anglishtja: “shapeshifting”) veten si shqiponjë e stërmadhe, e ngre çunin e rrëmbyer përpjetë dhe e çon në malin shtëpiak Olimp që t’i shërbejë atij si sjellës i pijes për hyjnitë e mitologjisë, Ambrozia me nektar por më pas edhe si shpërndarës uji (ujor-i) për 12 hyjnitë e malit Olimp.

Kërshërisht ose jo, numri 12 përsëritet aq herë saqë zbulon veten se nuk është rastësi por qëllimësi e besimit të lashtë, duke e përsëritur për shumëçka është bërë gjë e zakonshme por e pahetueshme dhe pavërejtshme sepse mendja shikon atë që kupton dhe i shpërfill psikologjikisht gjërat e pakuptuara edhe kur gjenden mu para syve, prandaj kemi edhe 12 perënditë e Olimpit ose 12 fiset hebraike, 12 rrugët e bigëzuara nga qendra e Parisit apo 12 muajt e vitit, 12 sende në një tufë dyzeni, poashtu edhe sistemi numerik babilonik me 60 prej ku burojnë 60 minutat e sekondat por me ndihmën e numrit 12 duke përdorur gishtat e dorës; së pari, pulqeri i njërës dorë ulet dhe nuk numërohet, pastaj njehsohen 4 gishtat tjerë në shumëzim me nga 3 nyje të gishtave përkatës baraz me 12 dhe pastaj shumëzim 12 me 5 gishtat e dorës tjetër, baraz me 60.

Sipas kalendarit romak dikur muaji Mars ishte muaji i parë i vitit, mirëpo u zhvendos nën ndikimin e kalendarit diellor më prijatar e përparimtar me 365 dite që buron nga Egjipti i lashtë dhe u përvetësua nga romakët të cilët shtuan edhe dy muajt që mungonin në kalendarin e tyre dhjetëmujor, julian (nga Jul Çezari), janari ose kallnori dhe frori ose shkurti, prandaj edhe në gjuhën e shenjtë shqipe për nga lashtësia, nuk përputhen muajt me numrat rendorë, duke filluar nga shtatori deri te dhjetori, shtatori u zhvendos në muajin e nëntë, sepse shtatori nuk është muaji i shtatë por ishte dikur dhe kështu me radhë për muajtë pasues, si rrjedhojë e ndryshimeve kalendarike ose ndoshta nga ndikimet tjera u zhvendos edhe Dita e Verës.

Baraznata e 21 marsit ende cilësohet si Viti i Ri në gjuhën persishte me emrin “Novruz” që si gjuhë shquhet posa e vjetër, prej ku buron edhe fjala “parajsë” (dhe nuk është huazim nga helenishtja) sepse Persianët atëbotën e lashtë kishin pushtuar edhe Babiloninë edhe Egjiptin e lashtë dhe dallohen si perandoria e parë globale botërisht, ndonëse historianë të ndryshëm parapëlqejnë Egjiptin e lashtë pasiqë nga Afrika e bashkangjitur pushtoi edhe fqinjësinë meslindore por nuk e shtriu sundimin përtej në kontinentin europian si persianët dhe këto dy kultura meslindore matanë Mesdheut ndikuan si qendra e tretë e qytetërimit europian ngase boshti europian heleno-romak që nënshtroi Egjiptin e lashtë si dhe Babiloninë u pushtua mbrapsht me mësimet mistike të mugëta nga kulturat më të lashta, ndërsa më pas Europa i tejkaloi dhe dallon dukshëm si kërthiza e zhvillimit shkencor tog me pasardhësit e saj amerikanë që vajtën në Hënë dhe synojnë planetin Mars përkushtuar emnakut mitologjik.

Si përfundim, shkëpusim të vërtetën se edhe Perandoria romake la gjurmë të thella në vetëdijen shoqërore, sidomos atë Perëndimore, jo vetëm për nga pushtimi periudhor më i gjatë në botë, mbi njëmijëvjeçar, por edhe për ndikimin e mitologjisë derisa vetë përfundimisht solli ndryshime sepse zëvendësoi mitologjinë qiellore me fenë tokësore, (si me urdhër të prerë dhe përshtatshmërisht dikush e zbriti hyjin në tokë që në fillim të epokës së re) dhe më pas romakët e përvetësuan.

Romakët korrigjuan edhe kalendarin nga 10 muaj në 12, qoftë për hir të së vërtetës së epërsisë të kalendarit të lashtë Egjiptian me 365 ditë ose adhurimit të tërthortë diellor me numrin 12 që zëvendësonte numrin tjetër tejet të rëndësishëm latin, “X” dhjetëshen romake, apo kryqin si ngadhnjim mbi shqiponjën siç shpalli Konstandini i Madh, vallë vërtetë ose vetëm frymëzim, mirëpo shqiponja prapë vazhdoi të spikatet dukshëm në ballinën e godinës së Vatikanit.

Kjo perandori madhore në lashtësi shkaktoi edhe dëme të mëdha duke nënshtruar shumë popuj të pafajshëm vegjëlitarë, përfshirë shpartallimin e kundërshtarëve të përbetuar, fqinjin helen në vitin 146 p.e.s.  si dhe Ilirët, të cilët i nënshtroi para tyre në vitin 168 p.e.s., por nuk e zhduku ilirishten, sepse rekrutonte ushtarakët e dalluar perandorakë si vetë Konstandinin e Justinianin, ndërsa sot edhe Amerika (Roma e re) edhe Bashkimi Europian përbëjnë vetëm një vazhdimësi të drejtpërdrejtë të Perandorisë romake, duke rishpikur veten largpamësisht dhe shpresimisht për të mirën e përgjithshme të Bashkësisë dhe jo vetëm të parisë. Çdo gjë sillet e përsëritet si Dielli në udhëtim, por periudhtas ndodhin edhe ndërhyrje e ndryshime.

© Burim Bardhari

 

Dielli ose Ylli ynë (Ylli vjen nga fjala "Hyll" që shndërrohet "Hyj-i" ynë) bashkë me planetet sillet në kundërkahje/kundërdrejtim të akrepit të orës (shih shigjetat në vizatim), por rrethepërqark galaktikës udhëton në kahje (drejtim) të akrepit të orës, që nënkupton se pas Virgjëreshës ose Vajzës, Dielli ynë kalon nga shenja Luani deri te Shigjetari për 9-muaj (nga Shqipja Hyjnore).