Andej-Këtej

Droni amerikan mbi Detin e Zi, gënjeshtrat dhe realiteti - Nga Dritan Goxhaj

Në mëngjesin e datës 14 Mars të këtij viti, mbi ujërat e Detit të Zi në zonën e Gadishullit të Krimesë ndodhi një incident midis një droni amerikan i tipit MQ 9 dhe dy avionëve rusë të tipit Su-27.  

Më poshtë disa pjesë të deklaratave të të dy palëve, asaj ruse dhe asaj amerikane.

Të dy palët kanë dakordësi në deklaratën se droni ishte i paarmatosur, pasi edhe amerikanët e kanë deklaruar këtë në deklaratat e tyre publike por edhe rusët kanë deklaruar se gjatë identifikimit të dronit në ajër nga avionët rusë nuk ishte armë. Dhe kjo pjesë e deklaratës së të dy palëve vërteton që në rastet kur këta avionë janë të paarmatosur ata janë në mision survejimi ISR (Intelligence Surveillance Reconnaissance).

Po ashtu palët duket se janë dakort edhe në faktin që droni ka qënë duke fluturuar pa e ndezur transponderin e identifikimit, këtë e kanë pranuar edhe amerikanët më pas, por edhe rusët kanë deklaruar në deklaratat e tyre zyrtare se droni e kishte transponderin të fikur.

Ajo çfarë palët sërish bien dakort është se droni po fluturonte në hapësirën ajrore ndërkombëtare, por në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të përcaktuar në raste të tilla kur ka konflikte të armatosura.

Kjo do të thotë se amerikanët nuk e njohin këtë si zonë të tillë, pasi ata nuk e njohin Krimenë si pjesë të Rusisë, ndërsa rusët e konsiderojnë si të tyre dhe në bazë të kësaj kanë zgjeruar Zonën e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore (ZIMA). Kjo është një zonë ajrore që shtrihet mbi det dhe ujë përtej hapësirës ajrore të shtetit, të cilën një vend e përdor për të lokalizuar, identifikuar dhe kontrolluar çdo avion, qoftë civil, qoftë ushtarak, që hyn në këtë zonë për interesin e vet kombëtar.

Këto lloj zonash deklarohen në mënyrë të njëanshme nga shtetet e ndryshme, pasi nuk është një koncept i dakordësuar nga marrëveshje ndërkombëtare, por as mohuar ndërkombëtarisht. Zona shtrihet nga 12 milje nautike (22 km) deri në 200 milje nga bregu. Dhe kjo bëhet me qëllim që shteti që e ka deklaruar këtë zonë të ketë kohë për të ndërrmarrë veprime në rast se mendon se avioni është avion armik.

Të dyja palët në deklaratat e tyre kanë pohuar se nuk janë përdorur armë për rrëzimin e dronit dhe se nuk ka pasur kontakt fizik midis dronit dhe avionëve.

I mora këto copëza të deklaratave të palëve, pasi nëpërmjet kësaj do të mund të analizojmë se çfarë ka ndodhur me të vërtetë, ose çfarë unë mendoj se ka ndodhur.

Ashtu siç edhe shihet, palët pothuajse janë dakordësuar në gjithçka, por me deklarata jo të përbashkëta.

Secila nga to ka dhënë versionin e vet, se si ka rënë droni pa pasur asnjë kontakt fizik dhe pa përdorur armë.

Amerikanët thonë që rusët kanë hedhur karburant mbi dron duke nxjerrë kështu jashtë përdorimit motorrin dhe helikën e dronit. 

Duke lexuar këtë deklaratë të amerikanëve më erdhi në mendje një episod i ngjashëm në aviacionin ushtarak që e pata lexuar para disa viteve në një revistë ushtarake dhe që më pas e rigjeta për këtë rast.

Në vitin 1985, në Flotën Ajrore ruse gjëndej një pilot që kish mbaruar Akademinë e Aviacionit Armavir Aviation School. Piloti quhej Vasili Tsimbal. Ai përshkruhej si tipi i pilotit që i pëlqente të përmbushte misonet e tij ushtarake nëpërmjet metodave jo standarde dhe që shpesh herë nga komanda e aviacionit konsideroheshin si të jashtëzakonshme. Dhe një nga këto ishte edhe hedhja e karburantit.

Një veprim të tillë Vasili e bëri kur po fluturonte mbi det, ndërkohë që një anije japoneze lufte sapo kishte hyrë në ujërat terrotoriale të Bashkimit Sovjetik. Vasili fluturoi lart dhe pastaj u sul pikiatë në drejtim të anijes duke e niveluar fluturimin e tij 5-6 metra mbi anije dhe me fuqinë e ajrit që shaktojnë gazrat e motorrit arriti të rrëzonte një helikopter që ndodhej mbi anije. Në atë kohë japonezët u kthyen 180 gradë nga kishin ardhur, por Vasili nuk u mjaftua me kaq, ai u kthye sërish mbi anije në një lartësi 15-20 m, hapi valvulën e   derdhjes së karburantit dhe e mbuloi anijen me vajgur avioni.

Pas këtij incidenti komanda ruse e aviacionit e transferoi Vasilin në Gadishullin Kola ku edhe këtu në 1987 Vasili sërish përdori këtë marifetin e tij, por kësaj here ndaj nja dy avionëve amerikanë që kishin hyrë gabimisht në hapësirën ajrore të Bashkimit Sovjetik mbi Detin Barens. Edhe Vasili Tsimbal atëherë fluturonte me një avion Su-27 të gjeneratës së parë.

Rusët e mohojnë kategorikisht këtë opsion dhe thonë që droni ra për shkak të manovrare të menjëhershme të gabuara të pilotit të dronit.

Të dy palët edhe pse kanë mbi 45 minuta filmime të këtij incidenti, kanë zgjedhur të publikojnë vetëm disa minuta.

Këta lloj dronësh kanë fluturuar në të njëjtin korridor duke nisur që nga data 24 shkurt e vitit që shkoi kur edhe nisi operacioni ushtarak rus mbi Ukrainë.

Lind pyetja përse rusët zgjodhën pikërisht këtë radhë të ndërhynin në këtë mënyrë?

Shumë e thjeshtë dhe vetëm për dy arsye sipas meje.

E para, ka të bëjë me pajisjen të cilën po përdorte ky lloj droni këtë radhë, që quhet Gorgon Stare. Ky lloj droni i përkiste gjeneratës së 5-të të këtyre tip dronëve dhe së bashku me Gorgon Stare, ka edhe një sërë sensorësh të tjerë të cilët mund të bëjnë regjistrimin e pamjeve video të sakta, pamje termike, fotografime të radarëve, të bazave dhe aseteve ruse, regjistrim të emetimeve elektronike dhe të dhënave sinjalizuese të shtabeve të komandave ruse në terren (C3), vendet e radarëve dhe pozicionet e tyre.

Po përse amerikanët zgjodhën që të përdornin kësaj radhe dhe në këtë afërsi këtë lloj sistemi i cili në vetvete përmes një programi të quajtur DARPA AI përmes një sistemi programor të quajtur Syri i Mendjes (Mind’s Eye) bën analizën e avancuar të të dhënave të regjistruara në terren ku AI (Artificial Inteligence) mund të gjurmojë/lokalizojë/vlerësojë dhe transmetojë objektivat më vete duke i etiketuar ato me meta-data të ndryshme dhe në kohë reale? (Për këtë do flas në një shkrim tjetër.)

Amerikanët kësaj radhe ishin të interesuar të lokalizojnë disa vend-komanda të ushtrisë ruse në zonën e operacioneve ushtarake për t’ia kaluar më pas të dhënat forcave ukrainase në terren, të cilat të mund t’i bombardojnë këto komanda me anë të raketave HIMARS, si një operacion hakmarrjeje kundër Rusisë për eleminimin që kjo e fundit i bëri më datë 10 Mars me anë të 6 raketave hipersonike Kinzhal Komandës Strategjike që NATO-s kish ndërtuar në Kiev për të drejtuar operacionet e ushtrisë ukrainase dhe ku humbën jetën gati 40 oficerë madhorë të NATO-s, shumica amerikanë dhe disa oficerë të lartë të CIA-s.

Për këtë arsye amerikanët të nesmën më datë 11 ngritën në fluturim një avion bombardues strategjik B-52 që përdoret për të lëshuar rraketa nukleare dhe e nisën në fluturim në drejtim të Shën-Peterburgut, duke e kthyer pak pa hyrë në hapësirën ajrore ruse.

Ky incident nuk erdhi rastësisht, nga gjithë kjo ngarje dhe duke parë deklaratat e palëve që qartësisht po mundohen të fshehin të vërtetën, kuptohet se rusët nuk e bënë rastësisht këtë manovër tani dhe unë jam i bindur se ky ishte një veprim i planifikuar paraprakisht, pasi Rusët zgjodhën vendin dhe kohën për të rrëzuar këtë lloj droni duke përllogaritur që ky të binte në një pikë të Detit të Zi ku gjendeshin 8 anije luftarake ruse të vendosura në një formë gjeometrike të tipit drejtkëndësh duke bllokuar kështu çdo lloj anijeje tjetër për t’iu afruar vëndit të rrëzimit të dronit dhe sepse anijet maerikane nuk hyjnë dot në Detin e Zi, për shkak se ua ndalon Konveta e Montros.

Arsyeja tjetër përse të dyja palët po gënjëjnë në deklaratat e tyre është se për të rrëzuar këtë dron rusët kanë përdorur armë elektronike për të bllokuar valët e komandimit të tij.

Kjo mund të shihet lirisht në videon që amerikanët kanë lëshuar, ku sa herë që avioni rus i afrohet dronit, kamera e dronit ndalon se transmetuari filmimin.

Pra po gënjehet, sepse amerikanët nuk duan që opinioni publik të mësojë që rusët kanë arritur të krijojnë teknologji më superiore se e tyre dhe që mund të rrëzojë edhe dronët më të avancuar, ndërsa rusët nuk duan të bëjnë publike që ata posedojnë një teknologji të tillë.

Plus kësaj, rusëve iu intereson i gjithë sistemi elektronik që ka droni dhe që e përmenda më lart. Pavarësisht se amerikanët deklaruan se i kanë fshirë dhe shkatërruar të gjitha paisjet elektronike të dronit, rusët e dinë mirë që kjo nuk ka ndodhur, pasi ata kanë bllokuar sinjalin dhe kjo është edhe arsyeja që droni ra pasi nuk mund të merrte më komanda.

Dhe rusët tashmë kanë deklaruar se e kanë lokalizuar dronin në thellësinë 900m pikërisht në mes të anijeve të tyre luftarake dhe kanë nisur në atë drejtim të vetmen anije që posedojnë për rikuperim të objekteve detare deri në thellësinë 1km (1000m) me emrin Komuna.

Megjithatë, e gjitha kjo nuk është videolojë edhe pse në pamje të parë ngjan si e tillë. Pasi me anë të këtij veprimi Rusia ka dashur t’i japë SHBA dhe NATO-s një sinjal të qartë se ajo nuk do të lejojë më mbledhjen e pandërprerë të informacioneve dhe të inteligjencës që mund të përdoret për planifikim dhe goditje në operacione ushtarake kundër forcave ruse në Ukrainë.

Dhe po të shihet, sot sërish amerikanët kanë ngritur mbi Detin e Zi një avion tjetër zbulimi, por jo MQ9. Këtë radhë ai ka fluturuar gati 100 km nga kufiri i zonës së identifikimit të mbrojtjes ajrore.

© Dritan Goxhaj