Andej-Këtej

Reflektim mbi të ardhmen e industrisë shqiptare të turizmit - Nga Tritan Kalo

Rrënjëzimi në “tokën ku të ka lerë koka”, të ysht të mos bësh indiferentin ndaj gjithçkaje ndodh në “dheun amë”. Më kënaqësi dëgjoj dhe vetë kam observuar mijëra e mijëra turistë që vijnë e zbulojnë bukuritë e pafundme natyrore e historike të Shqipërisë së këndej Drinit. Kjo dukuri të ushqen krenarinë e të qënurit shqiptar, por njëkohësisht të bën të reflektosh se përse:

1- Këtij “bumi historik të ardhjes së turistëve në Shqipëri”, vetë shqiptarët po vijojnë t’i përgjigjen me një bum “turizmi jashtë vëndit” si dhe një bum “thejqafje emigratore” në vëndet e Bashkimit Europian e përtej oqeanit në SHBA e Kanada.

2- Po ata 60% të shqiptarëve, që sipas INSTAT nuk janë në gjëndje të bëjnë edhe një javë të vetme pushimesh brënda vëndit të tyre për të zbuluar e shijuar bukuritë e tij, “nuk e duan këtë gjë”, apo financiarisht ata nuk janë në gjëndje ta realizojnë të jenë pjesë e këtij “bumi turistik”.

3- Turizmi “betonizues” i vijës bregdetare shqiptare a i përgjigjet një politike afatgjatë zhvillimore të këtij turizmi, apo thjesht KÇK, “kap çfarë të kapësh”?

4- Kërkojmë të mbështesim zhvillimin e turizmit dhe shumë mirë bëjmë, po a kemi burime njerzore të mirëpaguara e të mirëarsimuara në këtë drejtim, apo ha sot dhe mendo nesër për këtë gjë, kur ndoshta do të jetë jo pak vonë?

5- Bujqësisë furnizuese me ushqime të freskëta të kësaj “industrie turistike në zhvillim”, a po i kushtojmë vëmëndjen e duhur që t’i përgjigjet kërkesave në rritje të saj me produkte në sasi dhe në cilësi?

6- Sa shpenzojnë mezatarisht në çdo ditë qëndrimi këta turistë në Shqipëri, e përkthyer kjo në të ardhurat tona kombëtare nga ky sektor, “i cili parashikohet që shpejt të realizojë deri në 50% të PNB/GDP-së sonë”, sipas kryeministrit? Po ata qindra-mijëra shqiptarë që largohen për turizëm jashtë vëndit sa shpenzojnë mesatarisht çdo ditë, dhe sa është diferenca në paratë që hyjnë dhe atyre që dalin për shkak të turizmit në vëndin tone?

7- Një model i tillë zhvillimi ekonomik i Shqipërisë është aftatgjatë, i qëndrueshëm e mirëmbrothësues i vëndit dhe i shqiptarëve, apo edhe këtu KÇK, “kap çfarë të kapësh”?

8- A janë më të zhvilluara e më të begata ekonomitë e atyre vëndeve që bazohen kryesisht në turizëm, në raport me vëndet ku harmonizohen politikat e zhvillimit të vëndit në të gjithë sektorët: bujqësi, industri, infrastrukturë, energjitikë dhe turizëm?

9- Sa është në gjëndje të përthithë fuqi punëtore të përhershme “Industria e Turizmit” në vëndin tonë, për të zvogëluar sado pak “hemorragjinë emigratore sidomos të të rinjve” nga Shqipëria?

10- Nëse ndodh një situatë e ngjashme me atë të Pandemisë së Sars-Cov2/Covid-19 kur aktiviteti turistik pothuajse zerohet, çdo të bëhet me shqiptarët e punësuar në Industrinë Turistike? Do ngrohen ata/ato në diell në verë dhe pranë sobës në dimër?

11- A jemi ne të mirëpërgatitur e të mirëorganizuar për të ulur impaktin mjedisor të këtij “bumi turistik”?

12- Mos e pësojmë si “Krahët e Shqipes” së Aeroportit të Kukësit të hapur me plot bujë e shpresa, për të ndikuar edhe në zhvillimin e zonave Veri-Lindore të vëndit, “krahë të shqipes” të cilat nuk lëvizin më nga mungesa e fluturimeve në të?

Më pak eufori dhe më shumë ecuri të mirëmenduar dhe të mirëplanifikuar na duhet në këtë sektor për momentin jetik për ekonominë shqiptare.

Të hamë e të gëzojmë jo vetëm ne sot, por të mendojmë e të punojmë edhe për dhjetëra breza të ardhshëm shqiptarësh e më pak për brezat e sotëm bangladeshasish, indianësh, nepalezësh, pakistanezësh, afganësh, senegalezësh, egjyptianësh etj., të cilët po mbushin si krahë pune hapësirat e lëna bosh nga shqiptarët në çdo sektor të zhvillimit socio-ekonomik të vëndit.

Grykësisë KÇK-iste së “burgjezëve të rinj ish-brekëgrisur e ish-kacidhjarë të djeshëm”, i duhet përgjigjur me politika socio-ekonomike dritëpamëse për mbrothësimin e qëdrueshëm kombëtar!

Quo vadis Shqipëria ime e këndej Drinit?!

© Tritan Kalo - British Columbia