Podiumi i së keqes: Lenini, Stalini apo Hitleri? - Nga Ernest Nasto
- Published in Andej-Këtej
Ernest Nasto - SHBA
Dita e sotme e 21 janarit 2024 shënon 100 vjetorin e vdekjes së Vladimir Iliç Leninit, personit të tretë, krahas Marksit dhe Engelsit, të trinisë së marksizëm-leninizmit.
M'u kujtua me këtë rast që zv.presidenti i kompanisë ku punoja para ca kohësh mbante në tavolinën e zyrës së tij një portret të frymëzuesit dhe udhëheqësit të "Revolucionit të Tetorit". Zv.presidenti ishte frëng dhe m'i kish pohuar kalimthi bindjet e tij majtiste, por kurrë s'pata rastin të angazhohem me të në diskutime më të thella se çfarë saktësisht kuptonte ai me këtë fjalë. Shihej qartë se ai portret s'u bënte ndonjë përshtypje të veçantë atyre që hynin e dilnin në atë zyrë, dhe nganjëherë pyesja veten nëse reagimi do të kish qenë i njejtë sikur portreti në tavolinë të ishte ai i Stalinit apo, larg qoftë, i Hitlerit.
E vërteta është se shembëlltyrat e Leninit në portrete, buste e statuja mund të shihen sot në një numër të madh vendesh (pa llogaritur këtu Rusinë dhe ish-republikat e tjera sovjetike), ato të Stalinit shumë më pak, ndërsa ato të Hitlerit pothuaj askund. Duket qartë që Iliçi ruan ende një përshtypje pozitive, madje edhe në vendet perëndimore, dhe më shqetësuesja është se pozitiviteti shkon në përpjestim të zhdrejtë me moshën e të anketuarve. Më të rinjtë janë pra ata të cilët në Shtetet e Bashkuara, Britani, Kanada e gjetkë e shohin me simpati rolin e tij në histori, gjë që konfirmohet edhe nga sondazhe të ndryshme.
Përse vallë ky diferencim me të tjerë aktorë famëkëqinj të historisë?
Askush nuk kundërshton faktin që ishte Lenini ai që drejtoi marrjen e pushtetit nga bolshevikët rusë, pikënisja e një sundimi gjakatar prej 7 dekadash mbi atë popull të shumëvuajtur. Por pasojat e asaj ngjarjeje u shtrinë shumë më tej kufijve të ish-perandorisë ruse, duke përfshirë tërë Europën Lindore, përkatësisht edhe Shqipërinë tonë, Kinën dhe vende të tjera aziatike, Kubën në hemisferën perëndimore, si edhe variante të ndryshme në disa vende afrikane. Në të gjitha ato, pa asnjë përjashtim, regjimet komuniste shkaktuan mundime të panumërta e krejtësisht të panevojshme, të kurorëzuara me disa qindra milionë viktima.
A ishte Vladimir Iliçi udhëheqësi i një revolucioni popullor kundër regjimit të korruptuar carist dhe klasës feudale që e mbështeste? Kjo s’është aspak e vërtetë sepse nëse do të flasim për një kryengritje popullore anti-cariste, e tillë në Rusi ishte vetëm ajo e shkurtit 1917, të cilën historiografia sovjetike (dhe ajo Lindore) e pat pagëzuar, për interesat e saj praktike, si "revolucion demokratiko-borgjez". Lenini ishte asokohe në mërgim, në Zyrih, pa pasur asnjë ide se ç'ndodhte në Petrograd, dhe nëse flasim për merita të bolshevikëve në atë ngjarje, ato i takojnë padyshim vetëm Leon Trockit.
Lenini u kthye në Rusi me mbrojtjen dhe financimin e gjermanëve, pasi u kish dhënë këtyre premtimin për ta nxjerrë Rusinë nga lufta botërore që kish filluar më 1914. Në pushtet në Rusi ishte qeveria e përkohshme e kryesuar nga një parti e majtë, Partia Socialiste-Revolucionare (të famshmit eserë të teksteve tona shkollore të viteve '70 - '80) e kryeministrit Kerenski. Ngjarjet e tetorit ‘17 pastaj ishin një grusht shteti klasik (1), kur një masë marinarësh e gardistësh të kuq u ngritën kundër asaj qeverie, e arrestuan, dhe shtinë në kontroll kryeqytetin, prej ku regjimi bolshevik u përhap mandej në të gjithë Rusinë.
Akoma më i pavërtetë është edhe pretendimi tjetër i simpatizantëve leninistë se të paktën ngjarja dhe regjimi në fjalë përfaqësonin interesat e masave të gjera të popullit rus. Absurditeti i këtij pretendimi dëshmohet nga episodi i trishtuar i zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese: bolshevikët e mbajtën në fakt premtimin për të organizuar zgjedhjet për një asamble të tillë, e cila duhej të ligjëronte qeverinë e tetorit dhe të vendoste për formën e regjimit të ri rus. Zgjedhjet u zhvilluan gati tri javë pas "revolucionit" dhe partia e ish-kryeministrit Kerenski fitoi shumicën relative me 40 përqind të votave, ndërsa bolshevikët vetëm 24 përqind. Dhe si reaguan me këtë rast këta të fundit nën drejtimin e Leninit? Kur asambleja u mblodh në fillim të janarit 1918 dhe refuzoi të ligjëronte qeverinë e tyre, delegatët bolshevikë dhe aleatët e tyre, eserët e majtë, e braktisën atë, e rrethuan me trupat që kishin nën kontroll dhe e shpërndanë. Me kaq "u zgjidh" edhe çështja e kontrollit të pushtetit.
Lenini ishte kësisoj nismëtari dhe pararëndësi i të gjitha prapësive që bëri më vonë Stalini, pavarësisht nga ndryshimet e natyrshme të lidhura me karakterin vetjak të secilit dhe kohën e qendrimit në pushtet. Lenini ishte ai që mori masat e para për vendosjen e kontrollit të plotë të pushtetit sovjetik mbi ekonominë, me politikën e njohur si "komunizmi i luftës": shtetëzimin e plotë të industrisë dhe drejtimin e centralizuar, kontrollin e tregtisë së jashtme, ndalimin e menjëhershëm të grevave dhe disiplinën e rreptë për punëtorët, detyrimin e shtresave të tjera të punonjësve për të marrë pjesë në punë fizike ("punë vullnetare"), sekuestrimin e çdo teprice të prodhimit bujqësor, racionimin e ushqimit në qytete, kontrollin ushtarak mbi hekurudhat, etj. Rezultatet katastrofike që pasuan i detyruan më vonë bolshevikët të adoptojnë përkohësisht një seri masash liberalizuese të njohura si "politika e re ekonomike" (NEP).
Lenini ishte gjithashtu nismëtari i terrorit politik, sepse ekzekutimi barbar i car Nikollës dhe i tërë familjes perandorake u krye me urdhërin e tij të drejtpërdrejtë. Dhe në të njejtën mënyrë filloi edhe ngritja e sistemit të kampeve të riedukimit nëpërmjet punës, të njohura si rrjeti famëkeq GULAG, kampe të vërteta përqëndrimi, të përsosura më pas nga Stalini dhe Hitleri. Sipas direktivave personale të Leninit ata duhet të krijoheshin në çdo provincë "për të mbrojtur republikën sovjetike nga armiqtë e klasës" dhe deri në fund të 1920 në tërë vendin kishte tashmë 107 të tillë. Terrori u zbatua gjithashtu mbi klerin ortodoks, duke grabitur pasuritë e kishave e manastireve e duke ekzekutuar brenda dy viteve të para të pushtetit sovjetik më se 30 peshkopë dhe 1,200 famullitarë. Një hap cilësor në ngritjen në art të përndjekjes së kundërshtarëve politikë ishte padyshim edhe krijimi i policisë sekrete CHEKA, edhe kjo e stërholluar më vonë në format pasardhëse si NKVD dhe KGB.
Ishte po ashtu Lenini ai që autorizoi terrorin masiv, me përdorimin e gazit helmues kundër fshatarëve kryengritës në revoltën e Tambovit më 1921. Lidhur me këtë dhe duke krahasuar Leninin me Stalinin, njeri nga bashkëpunëtorët më të afërt të të dyve, V. Molotov, për një kohë të gjatë edhe ministër i Jashtëm, ka shkruar se "të dy ishin të ashpër dhe mizorë, por padyshim më mizori ishte Lenini".
Në disa raste mizoritë dhe masat e ashpra janë përpjekur të justifikohen me gjendjen e luftës civile që zgjati deri më 1922, por nëse zgjidhet kjo linjë justifikimi s'duhet harruar se shkaku i vetë luftës civile ishte pikërisht grushti bolshevik i shtetit i drejtuar prej Leninit. Dhe kurorëzimi i tërë asaj paligjshmërie ishte shkelja e hapur e vullnetit të popullit të shprehur në zgjedhjet e lartpërmendura për asamblenë kushtetuese.
Edhe për të drejtat e grave dhe sukseset në industrializimin e vendit zor se mund t'i njihet ndonjë meritë e veçantë Leninit dhe regjimit sovjetik, sepse ishte qeveria e përkohshme e Kerenskit ajo që kish dekretuar të drejtën e votës për grate, dhe përveç kësaj ajo ishte një e drejtë që po autorizohej gradualisht asokohe në shumë vende europiane e në Amerikën veriore (2). Sa për industrializimin, nën drejtimin e pasardhësit të tij Stalinit, kjo është e vërtetë, por asnjë arritje s'mund të justifikohet me një kosto aq të lartë në vuajtje e mjerim njerëzor, përndryshe do të duhej të vinim në të njejtin rang edhe faraonët egjiptianë për veprat e tyre madhështore.
E vërteta është që Vladimir Iliç Lenini mbetet një figurë madhore ndoshta sepse askush në historinë moderne s’mund të krahasohet me të për nga masa e vuajtjeve të shkaktuara, nga numri i viktimave dhe nga lumenjtë e gjakut të derdhur. Pa Leninin s’do të kish pasur “revolucion të tetorit” dhe ndoshta as regjim sovjetik. Pasardhësi i tij Stalini e përsosi veprën e tij kriminale, dhe pas Luftës së Dytë klonët stalinianë si Enver Hoxha, Mathias Rakoshi, Mao Ce Dun, Kim Ir Sen, Ho Shi Min e shumë të tjerë, për të arritur deri tek Pol Pot, vazhduan të bëjne kërdinë mbi popujt përkatës, gjithmonë të frymëzuar nga idhulli i tyre, Vladimir Iliçi.
Në këtë kuadër, dhe duke pasur parasysh se sundimi hitlerian në Gjermani zgjati vetëm 13 vjet dhe shkaktoi rreth 10 milionë viktima, do të thosha se diferencimi për të cilin po flasim është një nga dëshmitë më të prekshme të aforizmit se "historia shkruhet nga fitimtarët". Kjo sepse Stalini, në sajë të rreshtimit me Aleatët në Luftën e Dytë, u shpëtoi kritikave therëse të shtypit e të propagandës perëndimore, duke u trajtuar, përkundrazi, me nofkën dashamirëse “uncle Joe” (3). Kjo megjithë faktin e pakundërshtueshëm e të vërtetuar nga të gjitha dokumentat historike se mizoritë dhe viktimat e tij ua kalojnë në një masë të madhe atyre të homologut të tij gjerman.
Edhe në Shqipërinë tonë regjimi komunist na e kujtonte shpesh se Avni Rustemi kish kërkuar të mbahej zi në Parlament për vdekjen e Leninit me justifikimin se qeveria e këtij kish denoncuar Traktatin e Fshehtë të Londrës të vitit 1915 që parashihte copëtimin e Shqipërisë. Por përveç simpatisë së atentatorit Rustemi për një regjim vrastar, do të ishte një kuturisje e theksuar e tipit “what if” të diskutohej rëndësia e kësaj ngjarjeje për fatin e mëtejshëm të Shqipërise. Kështu ndoshta pa Leninin dhe regjimin sovjetik, luftën do ta kishin fituar Fuqitë Qendrore të cilat historikisht kishin qenë shumë më dashamirëse ndaj çështjes shqiptare krahasuar me ato të Antantës. Por siç thashë këto mbeten vetëm kuturisje.
Nga ana tjetër s’do të ishte kuturisje supozimi se pa grusht-shtetin e Leninit teoria marksiste do të kish pasur një zhvillim reformator, duke qëndruar në terrenin e saj, në vende të zhvilluara kapitaliste, sepse kjo ndodhi në praktikë në Europën Perëndimore e në vende të tjera të zhvilluara si Kanadaja, Australia apo edhe Shtetet e Bashkuara. Rezultat i reformave në ato vende ishin dhe janë sistemet e përziera dhe ato social-demokrate me arritjet e tyre tepër të dukshme në çdo fushë, pa pasur nevojë për gjakderdhje e mizori. Një rrugë e tillë s’do të qe aspak e pamendueshme në një Rusi me kushtetutë demokratike e me procese të rregullta ligjore.
Nuk do të kishim kësisoj përvoja të “socializmit real” me marksizëm të arnuar leninisht, si ato që përshkruam më lart, as nevojë për kopjim të tyre në fushat e Myzeqesë, në Malësinë e Madhe, në orizoret e Kinës apo në xhunglat indokineze. Dhe as shndërrim të marksizmit në një instrument të ekspansionit rus e sllav, as shqetësim të Antonio Gramsci-t për vonesën e plasjes së revolucionit në Europë, prej ku ideja e marksizmit kulturor dhe e “pushtimit të institucioneve” që vazhdon edhe sot e kësaj dite në Perëndim, me wokizmin si përshfaqjen e saj më të fundit. “Revolucioni i vazhdueshëm” dhe i dhunshëm leninisto-trockist do të kish mbetur një përpjekje e dështuar, e harruar në fund të koshit të historisë.
Për t’u kthyer tashti tek portreti i Leninit që përmenda në fillim, të jetë rastësi fakti që një numër udhëheqësish komunistë të botës janë njohur me atë ideologji vrastare në universitetet frënge? E kam fjalën për të tillë si Enver Hoxha, Çu En Lai, Ho Shi Min, Pol Pot e ndonjë tjetër. Kuptohet që s’mund të ketë siguri në supozime të tilla, por dihet se kaosi i shkaktuar nga revolucioni frëng i 1789 ishte në një masë të madhe pararendësi i kaosit të shumëfishuar, rrjedhim i bolshevikut të 1917 (4).
Nga të gjitha sa thamë më lart Vladimir Iliçi mund të cilësohet si personaliteti historik me veprën më negative e më shkatërrimtare të shekullit XX, jehonat dhe efektet e së cilës vazhdojnë në forma të ndryshme edhe në ditët tona. Nuk ka asnjë arsye se përse figura e tij të diferencohet nga ato të Josif Stalinit e të Adolf Hitlerit.
***
2) në fakt në elitën e lartë sovjetike s'pati kurrë ndonjë grua dhe e para anëtare e byrosë politike, E. Furceva, e cila u zgjodh më 1957, qëndroi në atë post vetëm 4 vjet;
3) xhaxha Xho, sipas emrit Josif Stalin;
4) https://peizazhe.com/2016/10/11/amerikani-apo-frengu/
© Ernest Nasto