Mbreti dhe Mbretëresha mbledhin fonde - Nga Avdulla Kënaçi
- Published in Andej-Këtej
Avdulla Kënaçi
Kam qenë disa herë me pushime në Kubë, këtë herë në Grand Hotel Aston në Cayo Coco, gjatë javës së dytë të marsit. Këtu je si në pëllëmbë të Zotit; temperaturat vërtiten tek 28-30 gradë celcius dhe deti është i ngrohtë valë, pra, moti tregohet shumë zemërgjerë edhe në dimër me ne vizitorët që vijmë prej Veriut ekstrem të kontinentit amerikan.
Këtë radhë, gjatë drekës dhe në mbrëmje, më tërhoqën vëmendjen ca mysafirë të rrallë, veshur me kostume karakteristike popullore të Afrikës Perëndimore.
Ai huqi i vjetër i gazetarisë ende nuk më është fikur, më gërryen shpirtin. Nuk më le të rri rehat e t’i gëzohem diellit, rërës si miell krofiat dhe detit valë të ngrohtë të Karaibeve. Digjem nga dëshira të di më shumë rreth këtyre vizitorëve që rrinë pirihuç, si të ngrirë, në kryqëzime rrugicash apo salla hoteli. Janë me nga një poçe balte përpara këmbëve të tyre.
Një shoqëruesi i tyre më tregoi se kjo vajza lëkurëbardhë, ulur direkt në parketin e sallës së koncerteve, veshur me kostum të verdhë, qëndisur me fije ari, kurorë floriri dhe vështrim të përqëndruar, është perëndeshë e fesë afrikane Jorube, pra, është një hyjni që simbolizon pastërtinë, bukurinë, pjellorinë, dashurinë dhe sensualitetin. Nuk është vetëm perëndeshë, por edhe gruaja e mbretit Shango.
Aty më tej, alias Shango është një zezak trupmadh, i veshur me kostum flakë të kuq. Edhe ky qëndron qiri më këmbë, pa folur e pa lëvizur as qerpikun, aq sa të bën të dyshosh në është prej mishi e gjaku, apo prej druri a metali si Çerçiz Topulli ynë në Gjirokastër. Sigurisht që edhe ky ka nje poçe tek kembët, pak më të madhe sesa të Mbretëreshës.
Ja, kështu, Mbreti dhe Mbretëresha mbledhin ndihma nga pushuesit dhe turistët për religjionin e tyre misteriozJorube, besim i importuar nga Afrika Perëndimore gjatë kolonializmit.
Zezakët në Kubë zenë sot 9 përqind të popullsisë 11 milionëshe. Afrikanët e sjellë me dhunë nga kolonizatorët, rreth 300 vjet më parë në Amerikë dhe Karaibe, lidhur me zinxhirë në hambarë vaporësh, nuk sollën këtu pasuri, por zakonet e tyre dhe fenë që edhe sot e ruajnë me fanatizëm, por që ta mbajnë gjallë, u duhen ca ndihma në të holla nga pushuesit e pasur dhe turistët e huaj që vijnë në Kubë.
Harrova t’u them se unë nuk bëj pjesë tek këta të fundit që nuk e vrasin mendjen pse duhet t'i mbushin ato poçet përpara këmbëve të Mbretit dhe Mbretëreshës afrikane.
© Avdulla Kënaçi - Mississauga