Hapsirat shqiptare: Qeverisje pa moral, politika të dështuara, liderë që nuk dorëhiqen - Nga Lisen Bashkurti
- Published in Bota Shqiptare
Bota shqiptare në hapsirat e saj në Ballkan po përballet me sfidat e tranzicionit të gjatë. Në Shqipëri drejt konsolidimit të demokracisë. Në Kosovë drejt shtet-formimit. Në Maqedoninë e Veriut drejt integrimit të gjithanshëm të shqiptarëve në shtetin ku jetojnë. Në Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës drejt afirmimit të identitetit etno-kulturor dhe social-ekonomik. Në të gjithë rastet është politika shqiptare që ka ndikuar dhe po ndikon në ecurinë e këtyre proceseve.
Etërit e politikës dhe të shkencave politike, Aristoteli, Platoni, Sokrati, Lasswell e të tjerë deri në kohët tona e definojnë politikën si “tërësi veprimtarish që lidhen me vendim-marrjen në grup, ose si forma të tjera të pushtetit ndërmjet individëve për ndarjen e burimeve dhe statuseve”; si “marrëveshje midis popullit, që të mund të jetojnë së bashku në grupe të caktuara, duke pasur një formë qeverisje”; ose “ si diçka që lidhet me qytetin dhe qytetarët”; ose e definojnë politikën “si vendime qeverie me theks lidhjen midis qëllimeve politike dhe mënyrave politike të përdorura për realizimin e tyre”; ose e lidhin politikën me “idetë më të fuqishme të të drejtave të njeriut në kohën tonë”.
Rrjedhur nga këto përcaktime mbi politikën definohet edhe politikani, si një person aktiv në grupe, organizata apo parti politike që mban ose kërkon të mbajë një pozicion në qeveri. Qëllimet e politikanit lidhen me mbështetjen dhe krijimin e ligjeve ose politikave që qeverisin një territor dhe që shtrihen mbi popullin që ka lindur dhe zhvillon identitetin dhe statusin e tij etno-kulturor dhe social-ekonomik në atë territor dhe nën ato ligje dhe politika.
Institucioni i moralit është nga më themelorët për politikën dhe politikanët. Morali si kategori universale ndan të mirën nga e keqja, të dobishmen nga e dëmshmja, të ndershmen nga e pandershmja, legjitimen nga jolegjitimja, të ligjshmen nga e kundraligjshmja, shoqëroren nga egoistja. Morali është tejet i lidhur me politikën dhe politikanët. Çdo moral ka politikën e vet, por asnjë politikë nuk mund të mbijetojë pa moral. Kur politika ose politikanët humbasin moralin atëhere politika dhe politikani kanë humbur të drejtën, të dobishme dhe legjitimitetin të ekzistojnë.
Morali është institucion më vete. Morali përgjithësisht dhe në politikë veçanërisht, lidhet me marrëdhëniet njerëzore, me vlerat njerëzore, me dobishmërinë njerëzore, me drejtësinë njerëzore. Rënia e moralit do të thotë ndërprerja e lidhjes së politikës me njerëzit, do të thotë cënimi ose shkelja e vlerave njerëzore, do të thotë humbja e dobishmërisë shoqërore, do të thotë mungesa e drejtësisë shoqërore.
Institucioni i moralit në politikë është gjykim njerëzor, opinional, sa përceptimor aq dhe real i qytetarëve mbi politikën dhe politikanët. Përsa kohë institucioni i moralit buron nga vlerësimi, gjykimi, opinioni dhe përceptimi i shoqërisë për politikën dhe politikanët, ky institucioni është dhe duhet të jetë vetëreflektues, vetëreagues, vetëkorrigjues ose vetëdorëheqës.
Politika dhe politikanët aktualë në botën shqiptare përgjithësisht nuk e njohin dhe as nuk e respektojnë institucionin e moralit. Është kjo arsyeja që politika dhe politikanët e botës shqiptare në Ballkan nuk vetëreflektojnë ndaj rënies së moralit, nuk vetëreagojnë ndaj vlerësimeve, gjykimeve dhe opinioneve të qytetarëve, nuk vetëkorrigjohen nga mendimi kritik politik, opinional, mediatik apo ndërkombëtar dhe thuajse nuk e njohin vetëdorëheqjen për shkaqe morale.
Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, politika dhe politikanët kanë rrëshqitur prej kohe nga tërësia e parimeve, standarteve dhe parimeve morale që rrjedhin nga kodi i politikë-bërjes, vendim-marrjes dhe implementimit që kanë baza në një filozofi të caktuar, në një besim fetar, në një kulturë ose në standarte universalisht të njohura dhe të respektuara rreth koncepteve të së “mirës’ dhe të së “drejtës”.
Qeveritë, politika dhe politikanët shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, kanë mungesë të theksuar etike politike, e njohur si moralitet politik ose etikë publike. Qeverive, politikës shqiptare dhe politikanëve shqiptarë të këtyre vëndeve u mungon dukshëm praktika e bërjes së gjykimit moral rreth mendimeve, qëndrimeve dhe veprimeve politike të aktorëve politikë.
Qeverive dhe politikanëve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut u mungon dukshëm moraliteti në dy fusha: së pari, në etikën e proceseve ose të zyrës, që ka të bëjë me zyrtarët publikë dhe së dyti, me metodat që ata përdorin në punët publike. Politika është çështje etike. Qeveritarët, politikanët shqiptarë aktualë në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, në masën më të madhe nuk e konsiderojnë si të tillë.
Në mënyrë të veçantë vitet e fundit në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut janë shtuar gjykimet kritike, opinionet qortuese dhe përceptimet negative për qeveritë dhe liderët që drejtojnë agjensitë ekzekutive në këto vende. Qeveritë, qeveritarët dhe politikanët shqiptarë po akuzohen për veprimtari kriminale ose të lidhura me krimin, si vrasje, droga, trafiqe të paligjshme, vjedhje, dhunime e përdhunime, gënjeshtra e mashtrime, shkelje premtimesh dhe shantazhime mbi kundërshtarët politikë, biznese, administratë publike dhe media. Këto dukuri janë moralisht të ndaluara, janë moralisht të papranueshme, janë dukuri që nuk duhen bërë kurrsesi dhe aq më pak nuk duhen përsëritur pambarimisht.
Qeveria Rama në Tiranë dhe drejtuesit kryesorë të saj janë kampionë në rënien e moralitetit në zyrë, në mënyrën sesi po punojnë zyrtarët e tyre publikë dhe në metodat e drejtimit që po ndjekin në qeverisje. Ndërkohë qeveritë e viteve të fundit në Kosovë dhe liderët e tyre si Hashim Thaçi e Isa Mustafa dhe pasuesit e tyre, po udhëheqin dukshëm pa moralitetin e duhur, duke u ndeshur në rritje me mendim kritik qytetar, me opinione përherë e më qortuese dhe me përceptime gjithnjë e me negative. Përfaqësuesit shqiptarë në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, në mënyrë të veçantë Ali Ahmeti e Menduh Thaçi, po gjykohen gjithnjë e më shumë nga qytetarët për humbje të moralitetit në politikë, po përballen me opinione gjithnjë e më kritike dhe po ballafaqohen me përceptime gjithnjë e më negative.
Disa prej këtyre liderëve si Rama, Thaçi apo Ahmeti, kapen pas rezultave të zgjedhjeve. Por, tanimë dihet e njihet ndërkombëtarisht se tranzicionet e tejzgjatura në Ballkanin Perëndimor po krijojnë demokraci hibride. Në demokracitë hibride, zgjedhjet nuk janë gjithnjë indeksi më real i moralitetin në politikë. Madje, si në rastin e Shqipërisë, por aty këtu edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, zgjedhjet janë indeksi më i dukshëm i mungesë së demokracisë
Liderët e lartpërmendur shqiptarë si Rama, Thaçi, Mustafa, Ahmeti dhe shumë kolltukmbajtës të tyre, drejtojnë prej dekadash partitë, prej shumë mandatesh qeverisin, kanë lënë një mal dështimesh, kanë krijuar shumë zhgënjime e dëshpërime në popull, në intelektualë dhe rini. Me këtë krizë morale që kanë prodhuar këta liderë aktualë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut kanë krijuar patologjinë sociale të braktisjes së trojeve shqiptare.
Kurrë më parë nuk ka pasur një patologji sociale të braktisjes së trojeve shqiptare si në këto vitet e fundit. Patologjia sociale e braktisjes së trojeve shqiptare është akuza më e rëndë morale mbi këta liderë politikë. Por, megjithatë, asnjë nga liderët e lartpërmendur nuk e ka parë të arsyeshme të vetëkorrigjohet dhe aq më pak të vetëdorëhiqet nga politika.
Të gjithë liderët a lartpërmendur kanë zënë myk ndër zyra. Ata janë të gatshëm të qeverisin këto troje edhe pa popull. Ata po injorojnë përballjen me një krizë të thellë morale. Ata po e hanë turpin me bukë. Kjo krizë e krijuar prej tyre sa më shumë të zgjasë aq më shumë do jetë varrmihëse për vetë ata si dhe do shtojë agoninë e hapsirave shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut e gjetkë.
Pavarësisht hapsirave, statuseve dhe niveleve të zhvillimit, e gjithë hapsira shqiptare në Ballkan po përballet me disa sfida të përbashkëta. Hapsira politike shqiptare në Ballkan ka si nevojë kapërcimin cilësor, kapërcim të cilin po e vonojnë dhe pengojnë vetë qeveritë, politika dhe politikanët që po zënë myk ndër tempujt e pushtetit, të ndotur përherë e më shumë nga humbja e moralit, të kalbur nga pengimi i rotacioneve demokratike, të inkriminuar e korruptuar deri në fyt nga kultura e mosndëshkimit nga drejtësia.
E megjithatë, tre institucioneve të pastrimit të qeverisjeve, politikës dhe politikanëve siç janë morali, rotacioni politik dhe ndëshkimi i drejtësisë nuk i shpëton dot as hapsira Shqiptare në Ballkan. Deri tani institucioni moral nuk po funksionon tek këta liderë. Prandaj, mesa duket po hyjnë në punë dy institucionet e tjera, rotacioni politik dhe ndëshkimi nga drejtësia.
©Lisen Bashkurti