Brengat e mia pas 41 viteve punë në shëndetësi - Nga Dr. Tritan Kalo
- Published in Bota Shqiptare
Disa brenga pas 41 viteve të ofrimit të përkujdesit në ruajtjen e mbrothësimin e shëndetit të bashkatdhetarëve të mi, nga “një pension-shtyrë” jashtë çdo konflikti të çfarëdoqoftë interesi. Vizioni dhe misioni, jo vetëm për të tashmen por edhe për të ardhmen, që “brain-drain” të mos shndërrohet si fatalitet për ofrimin e Shërbimit Shëndetësor, që dijedhënia e dijemarrja të mos bjerret, por përkundrazi të cilësohet dita-ditës.
Le t’i shtjellojmë shkurtazi ato:
1. Misioni i çdo mjeku bëhet e mundur të realizohet në harmonizim me vizionin e tij, për ofrimin e një Shërbimi Shëndetsor humanist e cilësor dhe në labirinthin e mundësive objektive të plotësimit të këtij misioni. Ruajtja e moralitetit të Betimit të Hipokratit, kësaj Bible/Kurani/Tore të shenjtë për profesionin tonë, e bën të domosdoshme përpjekjen tonë të përminutshme, në ruajtjen e panjollësisë së mantelbardhësisë së gjithkujt, që krenarisht kërkon të gjurmëzohet në kujtesën e popullit
2. Puna, përkushtimi, profesionalizmi dhe përkujdesi ynë nuk i shërben vetëm së tashmes, por edhe të ardhmes së Shërbimit Shëndetësor në Shqipëri. Cënimi i raporteve mjek-pacient, mosvlerësimi real financiar nga Ekzekutivi, i punës dhe i përpjekjeve të mjekut, mospërpjekjet e këtij të fundit për të marrë atë çka i përket nga financuesit e Shërbimit Shëndetësor, por të shohë me bisht të syrit “xhepin e të sëmurit” si një mekanizëm kompensues, do të sjellë progresivisht uljen e shkallës së mirëkuptimit dhe të mirëbesimit pacient-mjek, pra thyerjen e mirëfunksionimit të mekanizmit të realizimit të një Shërbimi Shëndetësor cilësor.
3. Krijimi i kushteve më optimale të infrastrukturës së shërbimeve spitalore e ambulatore si dhe i pagesës, për personelin shëndetësor në ofrimin e përkujdesit ndaj të sëmurëve prej tyre, do të zbusë shpejtësinë e frikshme të “brain-drain”, pra të largimit të mjekëve, infermierëve, teknikëve imazheristë, stomatologëve, farmacistëve, drejt mundësive më mbrothësuese profesionale e financiare të tyre.
Balanca midis idealizmit të një profesioni human dhe pragmatizmit, për të jetuar optimalisht jetën në të gjitha aspektet e saj, sa vjen e anon nga kjo e dyta. Nuk jemi vonë për të ndërhyrë, që ky trend negativ për ardhmërinë e ofrimit të Shërbimit Shëndetësor të zbutet, sepse është e pamundur të ndalohet. Pagat dinjitoze dhe hartimi i legjislacionit perspektivë-hapës të ecurisë në karrierën profesionale vetëm mbi bazën e meritës dhe jo të përkatësisë politike apo nepotike, të “mosfosilizimit” të titullarëve në postet e tyre, të jetë një faktor ndihmues në zbutjen e “brain-drain”.
Pseudo-rritjet e pagave nën nivelin edhe të “indeksimit” vjetor të tyre në raport me inflacionin, i shërbejnë retorikës politike, por jo zgjidhjes reale të një vlerësimi monetar dinjitoz të një profesionisti.
4. Dijedhënia e dijemarrja, në letra është cilësuar shumë pas 22.03.1992, por në realitet një gjë e tillë nuk qëndron. Nuk ofrohen praktikat mjekësore nëpër korridoret, ballkonet, lulishtet apo në kafenetë e QSUT (Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë), apo të Spitaleve të tjera Universitare.
Statusi i Shërbimeve Universitare e bën të domosdoshëm rekrutimin vetëm të mjekëve të nivelit universitar për t’u punësuar në to. Në klinikat universitare duhet që të mos ekzistojë emërtesa “akademik mësimdhënës” dhe “prakticien spitalor”.
Është jashtë logjikës së punës klinike të mos respektohet ky parim. Studentët dhe specializantët në çdo shërbim kohën më të madhe e kalojnë më shumë pikërisht me këta “prakticienë spitalorë”, se sa me “trupën akademike”. Trajtimi moral/statutor dhe financiar i njëjtë për të dyja kategoritë e mjekëve të Shërbimeve Spitalore Universitare, do të sjellë një karakter përftimi të dyfishtë si të dijedhënies po ashtu edhe të dijemarrjes.
Diçka jo normale për mua mbetet mospagesa e të gjithë specializantëve, përgjatë viteve të shkollimit e të punës së tyre. Është një praktikë pune që nuk njeh shëmbull të dytë në botë. 6 vjet studimi universitar dhe 4 vite të studimeve pas-universitare janë një barrë e madhe financiare për familjarët e këtyre specializantëve.
Shpresoj që të dëgjohem dhe të mirëkuptohem për gjthçka shkruaj më lart.
Together forever!
©Tritan Kalo