Bota Shqiptare

Rreziku i nitratit në perime dhe fruta, një sfidë për Shqipërinë me 300 ditë diell - Nga Arenc Leka

Shqipëria është një vend i bekuar me 300 ditë dielli në vit, një mrekulli natyrore që e bën atë një destinacion tërheqës për ata që kërkojnë një klimë të ngrohtë dhe të përshtatshme për bujqësinë. Kjo klimë favorizuese ofron mundësi të shkëlqyera për prodhimin e frutave dhe perimeve të cilësisë së lartë. Megjithatë, një sfidë e rëndësishme që duhet të merret parasysh është rreziku i nitratit në këto produkte.

Shqipëria ka një traditë të gjatë në prodhimin e frutave dhe perimeve, të cilat janë eksportuar në Evropë që para vitit 1990. Prodhimi i sotëm është përmirësuar dukshëm. Klima e favorshme dhe terrenet e ndryshme, si malet, kodrat, fushat, lumenjtë, liqenet dhe detet, krijojnë kushte ideale për kultivimin e një larmie frutash dhe perimesh.

Frutat si banania, kivi, avokado dhe mango tashmë kultivohen në Shqipëri, duke sjellë një risi në raport me prodhimet vendase tradicionale. Po ashtu, shumë biznese të reja po dalin në treg dhe kanë filluar të konkurrojnë në tregjet lokale dhe evropiane me produkte cilësore dhe aromatike.

Rreziku i nitratit

Ndonëse shumica e produkteve janë cilësore, një problem i rëndësishëm është përqindja e lartë e nitrateve. Nitratet janë substanca kimike që përdoren për të përmirësuar rritjen e bimëve, por përdorimi i tepërt mund të ketë pasoja të dëmshme për shëndetin. Në Shqipëri, disa perime apo frutam si patllixhani, qepa, karrota, patatja, shalqini dhe pjepri, kanë një përqindje të lartë të nitratit, që ndonjëherë arrin deri në 2800 mg/kg, ndërkohë që norma e lejuar është vetëm 90 mg/kg.

Përdorimi i tepruar i nitratit mund të rezultojë në formimin e nitriteve, të cilat janë të lidhura me probleme shëndetësore si sëmundjet e kancerit dhe shqetësimet e sistemit të tretjes. Ky është një shqetësim serioz për konsumatorët dhe një sfidë për fermerët që përpiqen të prodhojnë produkte të sigurta dhe të shëndetshme.

Për të adresuar këtë problem, është e rëndësishme që të përfshihen ekspertët dhe autoritetet përkatëse. Agronomët profesionistë duhet të japin udhëzime të qarta dhe të ndihmojnë fermerët në përdorimin e saktë të nitratit. Po ashtu, shteti duhet të luajë një rol aktiv në monitorimin dhe kontrollin e sasisë së nitratit në produktet bujqësore, duke siguruar liçensimin dhe mbikëqyrjen e përdorimit të materialeve kimike në bujqësi.

Një tjetër hap i rëndësishëm është edukimi i fermerëve me praktikat e qëndrueshme të bujqësisë, që mund të ndihmojnë në uljen e përqindjes së nitratit dhe në përmirësimin e cilësisë së produktit. Investimet në teknologji të avancuara dhe metoda të reja të kultivimit gjithashtu mund të ndihmojnë në prodhimin e perimeve dhe frutave më të shëndetshme.

Shqipëria, me klimën dhe kushtet natyrore të favorshme, ka potencial të madh për të zhvilluar më tej bujqësinë dhe për të ofruar produkte cilësore për tregjet vendase dhe ndërkombëtare. Megjithatë, për të siguruar që këto produkte të jenë të sigurta dhe të shëndetshme, është e domosdoshme që të menaxhohet me kujdes përdorimi i nitratit dhe të merret çdo masë për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve. Kjo do të kontribuonte në favor të një bujqësi më të qëndrueshme dhe një industrie të ushqimit më të sigurt për të gjithë ne.

© Arenc Leka

Tagged under Flasshqip.ca Arenc Leka