Aktualitet

Propozim Ministrit Majko: 30 emra nga Diaspora Kanadeze

Editorial

Së shpejti do të krijohet një organ konsultativ i qeverisë shqiptare lidhur me çështjet e mërgatës, Këshilli Koordinativ i Diasporës. Diaspora do të ketë aty përfaqësuesit e saj, 15 anëtarë, të cilët mendohet se do të jenë një zë pse jo i fortë, përballë qeverisë shqiptare për çështje të ndryshme që prekin interesat kombëtare.  

Flasshqip.ca, në rolin e një medie të diasporës shqiptaro-kanadeze, po i ndjek me interes gjithë fazat e këtij procesi, që prej miratimit të ligjit e në vazhdim. Tashmë jemi në kohën e propozimeve të kandidatëve. Kanadaja mund të propozojë plot emra, përderisa ka kapacitete njerëzore, mjafton të jenë më tepër se 4 kandidatë, prej të cilëve do të zgjidhen vetëm 2.

Tagrin e përzgjedhjes së kandidaturave sipas pikës 6 të VKM 340/2018, e kanë ambasadorët në bashkëpunim me organizatat e diasporës, të njohura e të regjistruara sipas legjislacionit të vendit pritës.   

Portali ynë, po monitoron ecurinë e këtyre propozimeve dhe nga komunikimet që kemi patur me bashkëatdhetarë në vende të ndryshme të botës, kemi konstatuar që ambasadat shqiptare, përgjegjëse për procesin, nuk e kanë bërë atë publik. Përjashtojmë ambasadën e Londrës, e cila me transparencë apelin e kandidaturave e ka bërë bërë të njohur përmes faqes zyrtare në Facebook. Të tjerat mesa duket “po i zhvillojnë seancat me dyer të mbyllura”. 

Na lind e drejta të hamendësojmë se në mungesë të njoftimeve publike prej ambasadave, listat e kandidatëve do të jenë të pakonsultuara publikisht, dhe ndoshta do jenë as më shumë e as më pak, por të përbëra nga emra të kryetarëve të shoqatave, ish kryetarëve apo anëtarëve të bordeve drejtuese.

Nga informacione të verifikuara që kemi, kjo po ndodh deri tani në Kanada. Madje ka dhe shoqata të tilla, si Albanian-Canadian Excellence (emri është shumë i madh), ku edhe pse thuajse të gjithë themeluesit janë larguar për shkak se kryetari i zgjedhur në themelim refuzon të organizojë zgjedhje (këtë e detyron legjislacioni i Ontarios brenda tre viteve nga themelimi), kjo nuk e ka penguar këtë të fundit të vetëpropozohet. Urojmë të gabohemi dhe në fund lista e kandidaturave që do të përcillen pranë Ministrit të Diasporës Pandeli Majko të mos ketë emra të tillë apo vetëm emra kryetarësh dhe ish-kryetarësh!

Të jemi të qartë. Nuk jemi kundër kandidimit të drejtuesve, sepse kontributi i tyre është i padiskutueshëm. Në rastin konkret jemi kundër kandidimit ekskluziv të tyre, sepse me atë që kemi lexuar e kuptuar, ligji kërkon më shumë sesa mbështetja e kandidaturës nga një shoqatë e caktuar.

Diaspora shqiptaro-kanadeze meriton më tepër se një numër të kufizuar emrash dhe ne besojmë se në Kanada jetojnë e punojnë personalitete që mund të përmbushin më tepër se një kriter për të qenë kandidatë. 

Ndodh që njerëz të njohur, emra të mëdhenj të artit, kulturës, shkencës, biznesit, filantropisë e komunitetit, nuk kanë preferuar të grupohen apo të rreshtohen, por kjo nuk i ka penguar të ofrojnë vlerat e tyre për komunitetin, për diasporën dhe vendin e origjinës. Dikush përmes muzikës apo artit koreografik a figurativ, dikush përmes letërsisë apo medias, një tjetër në shkencë, biznes apo bamirësi. Këta mund të jenë aq të mëdhenj në vlerat e tyre, saqë kurrë nuk pranojnë të bëhen pjesë e lobimeve për një vend në një këshill.

Nisur nga ky fakt, ne si media rezervojmë të drejtën të propozojmë publikisht emra që nuk do t’i propozonin asnjëherë sidomos organizata që pretendojnë se promovojnë ekselencën shqiptare, por emrat ekselentë u vlejne vetëm si fasadë për aktivitete më të cilat mbase duhen justifikuar fondet e marra. Sepse ky është difekti, të mos themi më i madh, por një difekt i madh i komunitetit shqiptar kudo jeton. Mungesa e bashkimit për kauza që janë edhe më të mëdha se mendja e një njeriu apo 2 a 4 njerëzve.

A mund t’i propozojë apo sugjerojë një media ministrit? Sipas logjikës, diçka që ligji nuk e ndalon, e lejon. Ne i ofrojmë mundësinë ministrit Majko të përzgjedhë mbi një listë të kompletuar e të larmishme. Në fund të fundit, kjo është detyra e ministrit të Diasporës. Përzgjedhja e kandidatëve më të mirë.

Përfaqësuesit e diasporës shqiptaro-kanadeze të cilët Flasshqip.ca propozon të jenë anëtarë në Këshill, përmbushin këto cilësi:

  1. Aktualisht asnjë prej tyre nuk është drejtues shoqate, gjë që bën të mos kenë konflikte interesi në pozicionet e tyre;
  2. Sipas nenit 20 të ligjit 16/2018 “Për Diasporën”, të gjithë janë njerëz me integritet të lartë dhe reputacion në komunitet;
  3. Të gjithë i kanë aftësitë për të përmbushur detyrat për mbajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendit të origjinës e diasporës;
  4. Shumë prej tyre kanë spikatur si në Shqipëri ashtu edhe në Kanada në fushat e arsimit, shkencës, teknologjisë, kulturës, sportit, etj., apo janë të suksesshëm në fushën e biznesit;
  5. Gjithashtu në Kanada ka edhe persona të njohur në fushën e filantropisë që kanë kontribuar në çështje që lidhen me diasporën apo vendin e origjinës;
  6. Si dhe plot persona aktivë në forume organizative të diasporës në vendet pritëse;

Po rendisim sipas rendit alfabetik emrat që Flasshqip propozon (lista nuk është shteruese dhe është e pamundur të hartohet një e tillë), duke ia lënë në dorë Ministrit Pandeli Majko të zgjedhë mes tyre (dhe emrave të tjerë që do ti propozohen) dy përfaqësues për Kanadanë.

Për mendimin tonë, është shumë e rendësishme që ai të marrë gjithashtu në konsideratë edhe faktin që njëri nga emrat e përzgjedhur prej tij të jetë nga shqiptarët e Kosovës me banim në Kanada. Kjo i shërben jo vetëm kohezionit tonë si komb por edhe konsolidimit si komunitet shqiptaro-kanadez. Mbetemi të hapur për të kontribuar në vazhdimësi për një proces të hapur e transparent.

Më poshtë lista:

 

  1. Ajet Nuro - këshilltar financiar, veprimtar aktiv komunitar, Montreal;
  2. Alban Merepeza - mjek, ish-fizioterapist i ekipit kombëtar të futbollit të Shqipërisë, veprimtar aktiv komunitar, Port Hope;
  3. Alban Zenelaj - mësues i gjuhes frënge, kontribues si mësimdhënës në shkollën shqipe, Montreal;
  4. Altin Nani - fusha e biznesit, drejtues i kompanisë “Duka Property Management”, kontribues në komunitet, Toronto;
  5. Anton Brunga - avokat dhe filantrop, Toronto;
  6. Anxhela Paparizo - drejtuese e departamentit të Kulturës, Bashkia Burlington;
  7. Arben Kallamata - gazetar dhe publicist, Toronto;
  8. Ardiana Fishta - Mesuese, drejtuese e shkollës shqipe “Foleja e Shqiponjave”, Calgary;
  9. Ardian Radovicka - inxhinier Bashkia Toronto, veprimtar aktiv komunitar;
  10. Augustin Simoni - violinist, kontribues në komunitet, Toronto;
  11. Bardhyl Gjevori - kornist në Orkestrën e Operas Toronto, kontribues në komunitet;
  12. Bujar Llapaj - dirigjent dhe kontribues në komunitet, Vancouver;
  13. Genc Tirana - gazetar, ish-konsull i nderit i Shqipërisë në Toronto;
  14. Gjergji Hasa - avokat dhe kontribues në komunitet, Montreal;
  15. Hysni Marku - Mjek veteriner dhe veprimtar aktiv komunitar, Montreal;
  16. Ilir Lena - Drejtor dhe producent i programit televiziv “Pasqyra Shqiptare”, Toronto, veprimtar aktiv komunitar;
  17. Ina Xoxa - mësuese dhe organizatore e festivalit të përvitshëm muzikor të fëmijëve shqiptarë në Toronto;
  18. Jani Papadhimitri - violinist, kontribues në komunitet, Toronto;
  19. Julian Dyrmishi - District Manager, DEL Property Management, kontribues në komunitet, Toronto;
  20. Kostandin Ristani - inxhinier, funksionar i lartë në Ministrinë e Mbrojtjes Kanadeze, Ottawa;
  21. Liliana Cingi - valltare, dekoruar “Nderi i Kombit, kontribuese në komunitet, Toronto;
  22. Paulin Marku - fusha e biznesit, Zv. President i “Century Building Restoration”, filantrop dhe veprimtar aktiv komunitar, Toronto;
  23. Petro Karanxha - pedagog në George Brown College, veprimtar komunitar, Toronto;
  24. Përparim Kapllani - shkrimtar, publicist dhe kontribues në komunitet;
  25. Rudin Dakli - mjek filantrop, Toronto;
  26. Teuta Haxhillari - fusha e biznesit, Property Realtor, veprimtare aktive komunitare, Toronto;
  27. Vangjush Saro - shkrimtar dhe publicist, Vancouver;
  28. Vangjush Ziko - shkrimtar dhe perkthyes letrar, Mississauga;
  29. Ylvi Kollari – PHD në muzikologji dhe ish-arbitër i FIFA-s, drejtues i “Kollari Institute of Music”, kontribues në komunitet, Toronto;
  30. Zeqirja Rexhepi - piktor, kontribues në komunitet, Halifax;

 

@FlasShqip.ca