Autizmi nuk është tragjedi, injoranca është
Shkruan: Dafina Daka
Çdo shënim i ditës së Ndërgjegjësimit Botëror mbi Autizmin më kujton retorikat e njëjta se si duhet ti ndihmojmë komunitetin e të prekurve me Autizëm (Familjet e tyre) e në realitet bëhet shumë pak në atë drejtim. Jam munduar në ketë postim të përmbledh me pak fjalë atë se çdo të thotë të ndash të njëjtin ambient me individët në spektër Autistik.
Të jetosh me persona që i përkasin spektrit të autizmit, nuk do të thotë vetëm të jetosh me ta. Të jetosh me autizmin do të thotë të nisesh drejt një dritareje komplet të panjohur për ty dhe të mësosh ta pranosh atë si diçka që e ke njohur gjithë jetën edhe pse nuk përkon me pikat e realitetit që ti percepton. Të jetosh me autizmin nënkupton të jesh i gatshëm të dalësh jashtë epidemisë së shpjegimit të çdo procesi ose cikli jetësor, të duash dhe të pranosh diçka që nuk mund ta shpjegosh e ta pranosh vetëm në kontekstin e ekzistencës dhe të ushqehesh nga energjia e pastër që këta njerëz kanë. Ata nuk njohin sarkazëm, nuk njohin intrigën, nuk njohin hipokrizinë, por njohin procesimin e sinqertë njerëzor. Ne gjithëherë kemi nevojë të ndjehemi të pranuar; të ndjehemi që ekzistenca jonë është e këndshme për rrethin, gjë e cila është njerëzore. Kur ndjehesh i pranuar nga një individ me autizëm është ndjenjë që diferencohet nga të gjitha ndjenjat e tjera për shkak të pastërtisë emocionale që kjo ndjenjë reciproke e mundëson. Autizmi shihet si çrregullim dhe ka disa teori se si ky çrregullim zhvillohet. Ekspertet e fushës dhe familjarët e personave me autizëm punojnë shumë drejt gjetjes të formulave për trajtim dhe për një gjuhë të përbashkët duke u bazuar në modelet e tyre të sjelljes. Ketë rrugë e pengon injoranca ndaj diversitetit njerëzor dhe perceptimi ynë se çka duhet te jetë ”normal”, që ka krijuar paragjykim toksik ndaj çdo personi që nuk përkon me konceptin gjeneral të “normales”. Është e paimagjinueshme se sa ne të tjerët kemi mësuar nga individët me autizëm. Mësuam: durimin, empatinë, elaborimin e proceseve motorike, të sjelles, kognicionin deri në detajet më të imta, pranimin, tolerancën, diversitetin, ngjashmëritë, punën e vërtetë të shqisave tona. Pra duke pranuar ata ne mësuam si ta njohim botën më mirë dhe po ashtu edhe veten tonë duke kontribuar për të krijuar një gjuhë të përbashkët, mësuam se ndonjëherë gjuha verbale nuk është patjetër për tu kuptuar, ne mësuam të pranojmë se dashuria manifestohet në forma të ndryshme dhe nuk ka një manifestim gjeneral, mësuam ta identifikojmë dashurinë e individëve me autizëm edhe pse shumë njerez e keqkuptojnë një individ me autizëm si të kufizuar për sa i përket emocioneve pozitive humane gjë që nuk është e vertetë, ata i përjetojnë ato emocione, ata i shprehin ato emocione, por në trajta të ndryshme. Të jetosh me prezencën e autizmit në jetën tënde nuk është tragjedi, nuk është fatkeqësi. Ata nuk janë viktima. Autizmi nuk është tragjedi, injoranca është. Autizmi është aq njerëzor aq sa është edhe potenciali i ëndrrave tona.