Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 23 Janar 2022

Lunenburg - Nova Scotia

British Columbia, kamionistët denoncojnë mungesën e mirëmbajtjes së autostradave

Alberta, paralajmërohen orteqe në masivin e maleve Perëndimore

Nova Scotia, rritje e përqindjes se vlerësimit të shtëpive

Prince Edward Island, krijohet një rezervat i ri në Parkun Kombëtar

Québec, përplasen dy anije në lumin Saint-Laurent

Ontario, mijëra kundërshtarë të kufizimeve sanitare manifestojnë në Toronto

 

British Columbia, kamionistët denoncojnë mungesën e mirëmbajtjes së autostradave

Qindra njerëz iu bashkuan dje (22.01.2022) një autokolone kamionësh midis Surrey dhe Vancouver, autokolonë e organizuar për të denoncuar gjendjen e autostradave të provincës dhe rrezikun që ato paraqesin. Me këtë tubim, West Coast Trucking Association synonte të tërhiqte vëmendjen për kushtet e vështira të trafikut gjatë dimrit. Sipas Jasmeet Dhaliwal, ky dimër ka qenë dimri me kushtet më të këqija në rrugë që ai ka parë në gjashtë vitet e tij të punës si truck driver. “Kur nisemi në punë nuk e dimë nëse do kthehemi apo jo në shtëpi, sepse autostradat nuk mirëmbahen siç duhet”, ka pohuar ai në një intervistë. Gjatë kësaj jave, disa shoferë kamionësh komunikuan me CBC/Radio-Canada lidhur me gjendjen e autostradave malore këtë sezon dimri në British Columbia. Sipas tyre, rrugët kryesore nuk mirëmbahen mjaftueshëm rregullisht, nuk gërryhen sistematikisht pllakat ​​e rrezikshme të akullit dhe nuk përdoren në mënyrë efektive produktet për shkrirjen e tyre.

 

Alberta, paralajmërohen orteqe në masivin e maleve Perëndimore

Avalanche Canada ka publikuar një paralajmërim të veçantë për rrezikun e orteqeve të dëborës për të gjitha zonat malore të Alberta-s perëndimore si dhe për ato jugore të British Columbia. Paralajmërimi përfshin masivet Columbia dhe Purcells, parqet kombëtare Kootenay, Glacier, Banff, Yoho si dhe rajonin bregdetar midis Squamish dhe Pemberton. Qielli me diell dhe temperaturat e larta të parashikuara për ditët në vijim mund të destabilizojnë borën e akumuluar, si në majat e larta ashtu edhe në ato të ulëta, ka deklaruar James Floyer, mbikëqyrës i programit të parashikimit pranë Avalanche Canada. Paralajmërimi i Avalanche Canada do jetë në fuqi të paktën deri nesër (24.01.2022).

 

Nova Scotia, rritje e përqindjes se vlerësimit të shtëpive

Vlerësimet e shtëpive të banimit në Land Register, janë rritur ndjeshëm në provincën e Nova Scotia. Rritjet më të mëdha rezultojnë në bashkitë ku tregu i pasurive të paluajtshme ka ecur mirë. Konfirmimi është bërë nga Zyra e Vlerësimit të Pronave (Property Valuation Services Corporation). Sipas kësaj zyre, pronarët e shtëpive në provincë do kenë mesatarisht një rritje prej 10.8% në njoftimin e tyre vjetor të vlerësimit. Në total, në shkallë province rritja arrin në shifrat 99.6 miliardë dollarë. Për shembull, në Halifax është shënuar një rritje prej 13.4%, ndërsa në Lunenburg, një qytet me zhvillim të ndjeshëm ekonomik, 66 km nga Halifax, rritja ka shkuar në 18.8%. Këto të dhëna tregojnë interes në rritje për blerje banesash në Lunenburg, ka pohuar kryebashkiaku Matt Risser. Ekspertët në Nova Scotia, parashikojnë që prirja në rritje e vlerësimit të shtëpive të vazhdojë. Megjithëse provinca vendos një kufi për taksat që mund të vendosen nga bashkitë, ky kufi hiqet kur një shtëpi shitet ose kur kryhen rinovime të mëdha. Kufiri gjithashtu nuk vlen për ndërtimet e reja.

 

Prince Edward Island, krijohet një rezervat i ri në Parkun Kombëtar

Pas 14 vjet bisedimesh, komunitetet Mi'kmaw në Prince Edward Island dhe qeveria federale, kanë rënë zyrtarisht dakord përmes një protokolli të firmosur, të bashkëpunojnë për krijimin e një rezervati të ri në Parkun Kombëtar. Rezervati do krijohet në zonën Pituamkek (Duna e gjatë e rërës në gjuhën Mi'kmaw) të bregut Veriperëndimor të ishullit. “Dunat e rërës atje formojnë një zonë ekologjikisht të rëndësishme dhe lidhja jonë me këtë tokë është e lashtë dhe e shenjtë. Të parët tanë janë kujdesur gjithmonë për tokën, prandaj dhe ruajtja e një pjese të rëndësishme të mjedisit tonë dhe e një pjese thelbësore të trashëgimisë sonë kulturore Mi'kmaw është jetike për ne”, ka deklaruar Junior Gould, Shefi i Komunitetit Autokton Abegweit, i cituar nga Radio-Canada. Edhe Ottawa, shpreson që rezervati i ardhshëm i Parkut Kombëtar do të mbrojë më mirë integritetin ekologjik të këtij habitati bregdetar, florën dhe faunën e tij, e sidomos speciet e rrezikuara si Charadrius melodus, Myotis septentrionalis, Myotis lucifugus dhe Symphyotrichum laurentianum.

 

Québec, përplasen dy anije në lumin Saint-Laurent

Federal Crimson, anija e madhe transportuese cargo (190m e gjatë, 32,26m e gjerë dhe me kapacitet rreth 58 mijë ton) që lundron aktualisht me flamurin e Singaporit, u përplas dje (22.01.2022) në Québec me pjesën e pasme të akullthyesit Pierre Radisson. Sipas informacioneve të Rojes Bregdetare Kanadeze, trashësia e madhe e shtresës së akullit duket se ka qenë shkaku i këtij incidenti. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30 në afërsi të Sainte-Foy, pranë urave, teksa akullthyesja e Rojes Bregdetare po i paraprinte transportuesit në ujërat e akullta të lumit Saint-Laurent. Edhe pse akullthyesja Pierre Radisson u dëmtua nga përplasja në pjesën e pasme të koracës, për fat nuk pati asnjë depërtim uji në bord dhe asnjë lëndim në radhët e ekuipazhit. Menjëherë pas përplasjes, trafiku i lundrimit në Saint-Laurent u ndërpre për më shumë së një orë dhe rifilloi pas mesditës.

 

Ontario, mijëra kundërshtarë të kufizimeve sanitare manifestojnë në Toronto

Mijëra protestues që kundërshtojnë mbajtjen e maskave, mbylljen dhe vaksinimin e detyrueshëm, u mblodhën dje pasdite (22.01.2022) në sheshin pranë godinës së Parlamentit Provincial të Ontarios. Në manifestimin e pagëzuar “Tubimi Botëror për Lirinë” merrte pjesë Maxime Bernier, kryetar i Partisë Popullore të Kanadasë si dhe deputeti i pavarur Randy Hillier, i përjashtuar nga Partia Progresiste-Konservatore e Ontarios në 2019. “Besoj se është koha për të verifikuar atë që na thanë mbështetësit e totalitarizmit 20 muaj më parë”, është shprehur Bernier, i duartrokitur nga të pranishmit. Ai i akuzoi autoritetet qeveritare se po gënjejnë në shumë pika. Ata na thanë se maskat, mbylljet, shtetrrethimi dhe urdhrat për të qëndruar në shtëpi do të ishin të përkohshme, në pritje të një vaksine, deklaroi veçanërisht Bernier, duke pohuar se e vërteta do të triumfojë. Pas fjalimeve dhe brohoritjeve, demonstruesit filluan marshimin në rrugë, gjë që sipas policisë së Torontos pengoi trafikun.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada/CBC