Aktualitet

Gëzuar Ditën e Falënderimit, kremten e numërimit të bekimeve! - Nga Burim Bardhari

Kthjellimi i mendjes një herë në javë, ditën e mesme, të mërkurën

Që të mos jetojmë tymthi e tekanjozisht por të jetojmë qëllimisht dhe pavarësisht nga ndikimet e jashtme, duhet të kthjellojmë mendjen një herë në javë si fetarisht, ditën e mesme, të mërkurën, sepse fundjava është për pushime. Duke e pyetur veten: ku jam, çfarë bëj dhe
pse? Del gjë e mirë nga kjo, kam leverdi ose jo?

Përndryshe ndryshkemi e kalbemi dalëngdalë ngase ndërhyn “vetëngarësi” ynë psikologjik ose autopiloti subkoshient dhe na shpie ndërdijshëm sipas algoritmit vetjak të paparashikueshëm, ose ku do vetë, ose atje ku na duan tjerët, të nënshtruar si vartës shërbëtor i tyre.

Nëse nuk kemi leverdi ose stresi nuk është i llojit pozitiv, ngase ka stres të mirë ashtu siç ka edhe borxh të mirë (kur përfiton nga ndihma por duke e paguar huanë mbrapsht) sepse na nxit për veprimtari të mirë, përndryshe jemi “infektuar” me stres negativ nga njerëz negativë, prej të cilëve duhet ikur se janë si borxhi i keq, që të heqin poshtë në humnerën e tyre.

Rrjedhimisht, duhet imunizuar veten shërimthi me mendim pozitiv, ndonjëherë thjesht edhe me “ditar-im”, duke shënuar e shkruar përjetimin ose me ushtrime trupore, paj edhe duke qeshur me njerëz të çiltër që janë zakonisht pozitivë derisa të shkarkohet hormoni tronditës stresor “kortizol”, i cili spicon në kulm kur duhet vepruar patjetër se ndoshta na kërcënohet diçka ose dikush dhe atëherë stresi është i mirë, si ligësi e domosdoshme ose bekim i fshehtë, por dëmton nëse niveli mbetet i ngritur - prandaj duhet kthjelltësuar mendja qëllimisht duke e kurdisur veten njëherë në javë si fetarisht, ditën e mërkurë, në mes të javës kur gjen drejtpeshimin shpirtëror.

Stresi domosdo është edhe i mirë, prandaj thuhet se kortizoli si hormoni tronditës i stresit shtytës kulmon në mëngjes, “bjeshkon” lart dy a tre orë pas zgjimit sepse duhen kryer detyrat e ditës dhe pastaj “lugin-on” poshtë kur shteret energjia, ndërsa nëse mbetet niveli i ngritur, atëherë shndërrohet në yndyrën barkmadhe e cila është tejet e vështirë për ta shkrirë dhe nuk shqitet e shkulet as me agjërim dhe as duke ushtruar.

Gabimisht na kanë yshtyr me mendësi gjysëm të pjekur si ajo budiste se vuajtjet janë vetëm negative duke murgeshuar mendjen mes katër mureve dhe mjerisht mjafton nga shqipërimi i fjalës ndjellakeqe që truri të dorëzohet disfatisht duke vdekur me këste dalëngadalë.

Trupi mbron veten duke e përjetuar dhimbjen ose vuajtjen sepse paralajmëron trurin për kundërmasa mbrojtëse. Ndërkaq, dhimbjet janë fisnike, ndërsa vuajtjet e panatyrshme dhe të qëllimshme janë çnjerëzore ngase dërmuesisht janë pasojë e keqsjelljes njerëzore si luftëloja për pushtet dhe pangopësia e pasanikëve të paskrupullt.

Përse duhet të shpërblehemi pa fituar me djersë? Përse të mos vuajmë kur jeta nuk i dhuron falas as milingonës të vockël dhe as shpendit shtegtar?

Filozofikisht, as Zoti nuk punon për ne, por fali gjithë pasurinë duke e ngjeshur çdo gjë në dhe që ta gjurmojmë e gërmojmë vetë ne sipas nevojës, si dhe na bekoi me vullnetin e lirë mbi parimin e përzgjedhjes dhe përgjegjësisë që ta zbulojmë begatinë natyrore si dhe virtytin shpirtëror paj edhe duke gabuar e mëkatuar pahiri. Duke përjetuar dhimbje, përfshirë edhe në fatkeqësi, zbulojmë e jetësojmë aftësitë dhe shkathtësitë tona të panjohura, nëse nuk dorëzohemi disfatisht; ngase duke gjurmuar e gërmuar, shpikur e ndërtuar çmohet edhe vlera e punës që tejkalon ose së paku barazohet me meditimin e tejvlerësuar nga gurutë arsimonjës, përqendrim i cili kryesisht synon zbrazjen e mendjes dhe nuk trimëron zbërthimin e gjendjes për gjetjen e zgjidhjes, madje deri në “fikjen e flakes” sonë sepse “Nirvana” nuk është kopshti i këndshmërisë (Parajsa) siç e kanë keqpërçuar ose keqkonceptuar, por nënktupton shuarje ose “jetëfikje”, që të mos përsëritet rimishërimthi vuajtja përse kjo frikë, kur jeta urtësisht shpërblen me vuajtje dhe me mirënjohje.

Nëse jeta nuk ka vlerë në këtë planet, sipas filozofisë fetare meslindore atëherë pse duhet vdekja të ketë vlerë, përveçse kur vdes si dëshmor i së vërtetës, me nder e Besë, si Mic Sokoli, Sokrati dhe Xhordano Bruno?

Rumi mendjendritur përkujton shumë bukur se fara që mbillet e mbyllet si në varr nuk vdes, por ndërron jetë duke mbirë në bimë edhe për leverdi edhe për bukuri.

Vuajtjet nuk pasojnë ndëshkimthi nga mëshira hyjnore ose nga natyra sepse natyra është kurdisur për vazhdimësi qarkore, ndaj burojnë nga Jeta që shpërblen me vuajtje ndërsa mundimet e papërballueshme shumicorisht janë shkaku i moskujdesit ose mosarsimit dhe vetë njeriut të pangopur edhe pse pasuria e begatia është kudopërhapur, qoftë në tokë, qoftë matanë në qiell, ndërsa nëna natyrë edhe kur shkatërron nuk e bën për mërinë e njeriut, por rilind e rindërtohet, pasiqë materja nuk zhduket e nuk vdes, por shndërrohet, rireshton veten për ribotim e risi.

Në vend që të trishtohemi nga vuajtjet e vegimuara ose të vërteta, duhet së paku një herë në javë të kthjellojmë mëndjen, ose një herë në vit ta shënojmë këtë ditë të uruar me mirënjohje se mbijetuam dhe t’i numërojmë bekimet që na rrethojnë.

Gëzuar, paqe e planet, shëndet e mbarësi!

© Burim Bardhari.