Trashëgimi

Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk është kanuni i turpit - Nga Gëzim Zilja

Të studiosh Kanunin do të thotë të studiosh historinë e popullit shqiptar, qysh nga zanafilla në periudhën e fiseve deri në ditët tona me të mirat dhe të metat. Kanuni ka qenë boshti, “Kushtetuta” e parë shqiptare që me ligjet e veta bëri që populli shqiptar të mos asmilohet, të ruajë identitetin, gjuhën, tokën dhe fisin si njësi fillestare administrative.

Ndoshta nuk do të isha marrë fare me këtë “polemikë” që nuk ia vlen barra qiranë, sepse e di mirë se ç’ka qenë Kanuni për Shqiptarët, nëse diku nuk do të kisha gjetur në faqet e internetit emrin e Kadri Sherifit, që shkruante se Kanuni i Lekë Dukagjinit është Kanuni i Turpit për shqiptarët dhe më tej vazhdon:  Nga një sondazh ku shtrohet pyetja se a e bartin me vete kosovarët mentalitetin e gjakmarrjes në vendet ku imigrojnë, del se ata që u identifikuan me kanunin dhe e lavdëruan, e bënë e këtë gjë sepse nuk e kishin lexuar. Asnjë nga ata që e lexuan nuk u identifikua më me të. Në të kundërtën, të gjithë e ndien veten të TURPËRUAR”. Pra, nga kjo ide e turpit e kemi zgjedhur këtë titull, Kanuni i turpit.”. Libri është fare i shkurtër dhe ka tri intervista. Në tërësinë e vet intervistat mbështeten kryesisht në nenet mbi trajtimin e gruas dhe gjakmarrjen, si ligje barbare që e turpërojnë shqiptarin.

Për rëndësinë, që ka studimi i historisë në përgjithësi po citoj një thënie të CICERONIT Marco Tullio (106-43 P.K.) orator, prozator, politikan, filozof romak: Nescire qui quam sis acciderit, id est semper esse puerum. (Të mos njohësh ato që kanë ndodhur para se të lindje ti, është si të mbetesh gjithë jetën kalama.)

Lidhur me titullin që i ka dhënë z. Sherifi si “Kanun i turpit,” i kujtojmë se në parathënien e Kanunit të Lekë Dukagjinit të kodifikuar në vitin 1933, nga At Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta shkruante: “Jo vetëm kundërshtarët e kombit, por edhe shumë do pedanta vendas e muhaxhirë të shtetit shqyptar, Kanunin e mbajnë ligjë barbarë e popullsinë ku kanuni pat vlerë juridike për njerëz të egjër… Ligjet e Kanunit të Lekë Dukagjinit përkojnë me ato të Romës, Bizantit, të Kanunit doksuer të teutonëve, të sllavëve, hindianëve, që nuk hyjnë në rrethin e ligjeve barbare. Përfundimi është i qartë: Nuk ka sesi ndryshe nga gjithë popujt e botës vetëm Kanuni ynë të jetë ligj barbar.”

Në Kanunin shqiptar gruaja blihej, nuk kishte asnjë të drejtë trashëgimie, madje bashkë me pajën i jepej një fishek, me të cilin burri e vriste në rast tradhëtie dhe sjellje të keqe ndaj mikut. Mirëpo në ligjet e gjermanëve të vjetër ndëshkimi ishte më i tmerrshëm për të njëjtin faj. Gruaja digjej mbi pleh e gjallë ose lidhej nga këmbët në bishtat e dy kuajve që e ndanin më dysh. Për faje të tjera në Kanunin e gjermanëve të vjetër përdorej tortura për njerëzit, ndërkohë që në Kanunin shqiptar tortura nuk ekziston.

Por ka edhe më te libri i Kadri Sherifit. Për fjalën Besa thuhet se ka kuptimin “Tërbim” ose “I tërbuar,” Në një shtëpi kosovari në Kanada që mbante Kanunin, Marie Nika, psikologe e diplomuar, me doktoraturë në antropologji, kur i tha të lexonte nenin 19 (28 në Botimin e tretë) për trajtimin e gruas, kosovari pasi e lexoi, e mori librin e Kanunit dhe e hodhi në plehra, me neveri, duke theksuar se ky është një sharlatanizëm i neveritshëm dhe nuk ka vend në shtëpinë time. Po aty theksohet se Kanuni i Lekë Dukagjinit është i huazuar apo i ngjashëm me Kanunin afgan të fiseve Pashtun, që zbatohet edhe sot etj., etj. Kush është i interesuar mund ta ndjekë intervistën në Internet duke kërkuar: Kadri Sherifi, Kanuni i turpit.

Së pari, dua të them se Kanuni shqiptar është unik dhe nuk është i kopjuar nga kanune të tjerë. Ai nuk gjykohet dot me mendjet e sotme sepse ka të bëjë me zanafillën e njerëzimit (3000-3500 vjet më parë) kur njerëzit jetonin të organizuar në fise. Së dyti, në Kosovë dhe në Shqipëri njerëzit gjykohen në bazë të Kodeve civile e penale e jo me Kanun. Ende ruhen nga persona të veçantë disa zakone dhe ka raste kur keqtrajtojet gruaja, ndodh gjakmarrja ose ngujimi i fëmijëve në rast vrasjeje. Po këto dukuri janë të rralla dhe zbatuesit e Kanunit dënohen me ligj. Por a është Kanuni si mëton Kadri Sherifi, me të intervistuarit për t’u zhdukur, hedhur në plehra se është i neveritshëm, se është turp ta mbash në shtëpi, është turpi i shqiptarëve etj., etj.?

Në hulumtimet e albanologëve vendas dhe të huaj Kanuni i Maleve por edhe ai i Labërisë, vlerësohen për lashtësinë dhe vlerat e tyre të padiskutueshme dhe sidomos për ruajtjen e identitetit të shqiptarëve. Në themel të tij Kanuni ka pasur tri fjalë: Besë, Tokë, Gjuhë. Më vonë me ndryshimet shoqërore të kushteve ekonomike, politike dhe lindjen e fees, thelbi i kanunit kaloi në fjalët: Besë, Fe, Atdhe. Në shumë krahina ku turku nuk mundi të hynte është qeverisur sipas kanuneve përkatës. Mbas shpallje së pavarësisë Kanuni mori karakteristikat e zakonit, traditës, duke u zëvendësuar gradualisht me ligjet e qeverive shqiptare   

Po citoj pa koment një pjesë të parathënies së Kanunit të Lekë Dukagjinit, botimi III, 2022, shkruar nga një mendjendritur, At Bernardin Palaj (1849-1946), vdekur në burgjet e komunizmit. Më 5 nëntor 2016, në sheshin pranë Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër, ai u pranua si shenjtor nga Vatikani.

“… E po kje  se qysh në kohën e Iliro-Trakvet e deri në ditët tona kjo rraca janë shqiptare qindroi e pashueme në këtë breg të Adriatikut, do t’u njihet njatyne fiseve që qysh në Hot deri në Sul të Janinës, që prej Dibre e në Labëri ngujue ndër bjeshkët ma të thepisuna, vendet e tyre i bënë qytetza të pamërrijëshme prej anmikut; kështu gjakun ujë s'e banë, gjuhën e doket e trashigueme kurrë s’e harruen brez pas brezi tue e mbajtë të gjallë ne të kerthnesët, trashgimin ma të çmueshmin që tata ia la djalit, për djalë aty te shtrati i dekës: Besë e fe e gjuhë kurrë mos me i lëshue…. Mjafton me i lëshue një sy folklorës popullore të Shqipnisë për me njoftë personalitetin e kombit tonë e botëkuptimin e tij sipas Kanunit. Kush nuk i njef këto visare ai nuk e kupton as nuk e çmon shqiptarin pse nuk e njeh: aq më pak ka me dijtë me e eduku në kjoftë edukator si shqiptar, tue ia ruejtë personalitetin e dalluar si kombë ndër kombet e tjera Ariane të kontinentit të vjetër të Europës. (Vijon)

© Gëzim Zilja