Trashëgimi

Princi i Polifonisë: Postrekuiem për poetin Lefter Çipa - Nga Avdulla Kënaçi

Avdulla Kënaçi

Sa hyj në Bregun e Detit Jon, pas vdekjes së poetit dhe këngëtarit Lefter Çipa, 18 shkurt 2021, më kap një ndjesi e çuditshme, më ngjan se pas çdo kthese, papritur do të shfaqet një burrë elegant, i përkorë, truphollë, me kostum të bardhë dhe bisht cigareje të shuar mbi buzë. Është kurmi fluid i Lefterit, i bërë njësh me Bregun e Detit…

Për mua Lefter Çipa është simbol i polifonisë, i Rivierës, i detit dhe shkëmbit, monument i Pilurit dhe fllad i këndshëm Bregu. Nuk ka rëndësi sa frymoi, por sa kujtohet e do të mbretërojë në kulturën shqiptare. Ai do të rrojë sa të rrojë Polifonia, se asaj i kushtoi rininë, frymëzimet dhe tërë jetën e tij të tendosur si një fije e hollë çeliku.

E njoha në organizimin e Festivaleve të Gjirokastrës, por kalimthi nga që në ato kohra, të dy ishim të zënë me punë gjer në grykë, unë me reportazhet e gazetës dhe ai me drejtimin e organizimin e grupit të tij polifonik. Ca kohë më vonë, një mbrëmje maji, në fshatin Fterrë, qëndruam së bashku më gjatë. Ai kishte ardhur me grupin e Pilurit për të marrë pjesë në inaugurimin e muzeut të fshatit. I shkathët si një skifter mali, i gjallë, energjik dhe autoritar brenda bandillëve pilurjotë, megjithëse gjysmët e grupit i kishte më lart në moshë se vetja e tij, ishte i kudogjendur. Në atë inaugurim kishin ardhur një pjesë e mirë intelektualësh fterrjotë me punë e banim në Tiranë. Thuajse Lefteri i njihte të gjithë. Kishte diçka për të thënë për secilin. I pëlqente t’i dëgjonte dhe i nderonte për arsimin dhe kulturën e tyre.

- Ja, këtë kanë më shumë nga ne fterrjotët, shkollat dhe pas shkollës vjen kultura, - më tha me zë të ulët. E kuptova mirë se çfarë donte të thoshte.

Fterra në arsim e kulturë ishte shumë më përpara se dy fshatrat tanë. Qysh atë mbrëmje ne u bëmë miq që e kërkonim njeri-tjetrin kudo që të ndodheshim. Kishim të njëjtin vështrim për progresin, artin, kulturën dhe përparimin e vendit tonë të vogël, por shumë të dashur për të dy. Lefteri këngët dhe vjershat e tij i botonte në ca libra të vegjël si fletore xhepi. I kam të gjitha me autografin e tij në bibliotekën time në Tiranë. Sa herë botonte, mendoj se isha ndër të parët që i lexoja. Ah, jo, ai kishte një idhull që e respektonte dhe e nderonte pa masë, gazetarin dhe poetin Xhevahir Spahiu. Me të e lidhte talenti i madh, Vlora nga që Xhevua ishte rritur e shkolluar në Vlorën e tyre të përbashkët.

Erdhi një kohë që ai nuk mund ta takonte lehtësisht Xhevon. Jeta e mikut të tij dhe tonit, u rrezikua shumë. Atë e dënuan “nga lart” për “shfaqje të ideologjive borgjeze në krijimtarinë e tij letrare”. E larguan nga gazeta duke e ndëshkuar me punë të detyruar në minierën e qymygurit të Valiasit. Lefteri u prek pa masë për goditjen që iu bë mikut të tij dhe tonit. Nga mënyra se si pyeste për të dhe shprehja e syve të përlotur, mësoje se në shpirtin e tij të trazuar ishte hapur një gropë e thellë dhe e zezë. Pastaj pyeste për Bregasin e Madh, shkrimtarin Petro Marko, fqinji im, edhe ky në shënjestër të pandërprerë të tehut ideologjik të Partisë në pushtet. I tillë ishte Lefter Çipa, mik i madh për ditë të zezë. Për Dritëro Agollin nuk ishte e nevojshme të pyeste sepse me të ardhur Lefteri në Tiranë, Dritëroi i linte të tëra punët e zyrës dhe do ta gjeje ulur në ndonjë kafene periferike, aty ku i pëlqente më shumë mikut nga Bregu, në zjarr e tym dhe raki të fortë fshati. Ishin të dy pijedashës që flisnin pa rezerva, mbarë e mbrapsht për punët e shtetit dhe të vjershërimit.

Lefterit iu dha për menaxhim artistik një xhep vend, aq sa ishte vatra e kulturës në fshatin Pilur, por ai diti ta bëjë zjarr të madh, të ndiçojë dhe të përhapë në gjithë Shqipërinë emrin dhe famën e këtij fshati të vogël blegtoral, rrëzë Mali e buzë Deti. Krijoi një grup polifonik me më të zgjedhurit djem e vajza, shumica me lidhje gjaku dhe të afërm të tij. Zbuloi tek ata shpirtin e këngës polifonike, gjeti dhe akordoi harmoninë midis zërave duke u përqendruar në katër elementë, marrësi, zakonisht grua ose vajzë, kthyesi, hedhësi dhe iso. Qëndroi për dyzet vjet drejtues artistik i grupit të Pilurit, por kontribuoi edhe në Himarë, Bënçë, Dhërmi, etj.

E kam ndjekur nga afër në prova të ansamblit dhe për habi vura re se ai e dirigjonte këngën labe duke lëvizur me një thupër në dorë, si dirigjentët e filarmonisë së Vjenës. I korrigjonte zërat, i ëmbëlsonte, i harmonizonte në atë mënyrë sa ata të dukeshin si një zë i vetëm. Futi në këngën polifonike instrumentin popullor, fyellin. Melodive himarjote të Neço Mukës, të regjistruara në disqe në Paris, u veshi një kostum të ri, më ritmik e modern, i ngriti në stad tjetër. Kënga e tij, disa herë drodhi bedenat e muret e rënda të Kalasë së Gjirokastrës dhe u bë hit, nga Jugu në Veri. “Vjersha duhet të këndohet këngë…” thoshte ai. Mendoj se pikërisht kënga polifonike e nxiti dhe e frymëzoi të shkruajë poezi me vargun gjashtë e tetë rroksh, gjithmonë me refren:

Duke tundur, zbret nga zalli/ Me shami hedhur te balli,

Bejk’e bardh’ e bor’e malit/ Ti je ilaç i çobanit

Gjithë natën e beharit/ Cula dëgjohet tek stani/ I bie djalë çobani….

Në pamjen e parë këto vargje duken të thjeshta, por brenda tyre lëviz një botë e tërë drite dhe ndjenjash të kulluara. Si në një film hollivudian përftyroni një idil dashurie në natyrë, midis dy të rinjve, bariut me fyell në buzë dhe vajzës që zbret krenare “me shami hedhur tek balli” nëpër rrëpirën me zallishte. Pra, vajza është zanë, është fllad që shkon e vjen. Autori nuk thotë zbret shtegut, por zbret nga zalli. Përfytyroni hapat e një vajze bregase midis zallit që zhurmon e zhurmon nën këmbët e saj. “Bejk’ e bardhë”, është këngë hit, e cila gjendet sot në internet në qindra variante. Është një këngë që i është “dorëzuar” popullit kokë e këmbë, pa kushte. Lefteri ka lënë mbrapa 18 vëllime me poezi, 1250 këngë polifonike, njera më e bukur se tjetra. “Nga kjo balt’e kësaj toke/ Merr një grusht e shtrydhe fort/ Pika gjaku do kullojë/ Luftën e madhe tregon…” Askush më shumë se këto vargje nuk ka sintetizuar kështu heroizmin e shqiptarëve në shekuj...

Kur realizuam një dokumentar për grupin e tij polifonik, së bashku me regjisorin Halil Kamberi, ai na ftoi në banesën e tij në Himarë. Një shtëpi e thjeshtë e ndërtuar sipas shijeve të tij, brenda dhe jashtë. Jo më kot ai ka studiuar dy vjet për arkitekturë.  Shtëpia e tij ndodhet në anë të Himarës dhe më afër se çdo shtëpi tjetër me fshatin e tij të dashur, Pilurin. Është e pajisur me oxhak, brenda ka plot libra artistikë dhe e kompletuar me relike e figurina artistike prej dru ulliri, lisi e panje, të gdhendura me merak nga duar mjeshtrash popullorë. Aty në qoshe “po flinte” një makinë e vogël shkrimi portative, me një fije të bardhë letre “në buzët e saj”. Më bëri përshtypje portreti i poetit Rilindas, Naim Frashëri dhe m’u kujtuan vargjet e Lefterit në këngë: “Naimo, more Naim Shqipëria/ Bilbil i vendeve të mia…”. Në vatër bubullon zjarri dhe mbi çati valvitet një flamur i kuq kombëtar me shqiponjën dykrenare, i cili shquhet që përtej nga kalaja e Himarës. Dhe unë i bëj pyetjen delikate; si është e mundur që ata të Kalasë pretendojnë se janë grekër? Dhe ai përgjigjet:

- Bregu ka shtatë fshatra, tre prej tyre flasin shqip-greqisht dhe katër vetëm shqip, por nuk e shpjegojnë dot pse janë dygjuhësh. Shqipja është gjuhë e lotit, e shpirtit, e hallit. Edhe ata këndojnë e qajnë vetëm shqip. Mua, Petro Markon e Neço Mukën na kanë bërë hasha se kemi deklaruar botërisht që jemi vetëm shqiptarë. Zullum i madh të mohosh vetveten. Himara nuk është shtatë fshatra, por 54, është Labëria e madhe, janë banorët e Akrokeraunëve. Disa erëra që fryjnë nga deti duan të na çkulin themelet. Po është e vështirë, i kemi themelet në shkemb.

Pastaj biseda rrjedh natyrshëm tek kënga polifonike. Lefteri këtu, me këtë temë është princ në fushën e vet. Dhe vazhdon:

- Nuk është e lehtë të shkruash këngë për polifoninë. Jugu e ka fjalën muzikalitet. Mendimi i vjershërimit është filozofik. Nuk bën dot Polifonia në vend tjetër. Polifonia fillon këtu, vazhdon Lumit të Vlorës, Kurvelesh, Tepelenë e përfundon në Malëshovë të Përmetit. Unë për hesapin tim e quaj fosforinë, se e tillë është, dritë, fosfor. E kam të trashëguar vjershërimin, e kam brenda ADN-së. A e di që për herë të parë Polifonia është incizuar nga dy burra, emigrantë shqiptarë në Çikago të Amerikës, qysh në vitin 1905? Shiko, e mira jonë na erdhi nga Amerika.

Pastaj ai shpupuris zjarrin me dru përralli, qindra shkëndija i ndriçojnë ballin. Përmes shkëndijave ai ngre një dolli për kujtimin e Rilindasit të madh, Naim Frashëri, librat e të cilit i ka lexuar disa herë. Pastaj vazhdon bisedën. E dëgjojmë të përqëndruar, gjithë sy e veshë, sikur të jetë shenjtor. Një burrë i paktë në trup, thuajse i gjithë vetëm eshtra, por me arsyetim të hekurt. Mbrojtës dhe mentor i Polifonisë, perla e shpirtit bregas.

-  Gruas i ka kënduar Çajupi elegji dhe unë bashkëshortes sime i kam qëndisur një lirikë të bukur. Gruan e kam njohur qysh fëmijë, kur ajo ishte tetë vjeç. Është mësuar me mua. Jemi rritur së bashku. E pranoj, unë jam burrë me huqe, por ajo më begendis kështu siç jam. Nuk bëjmë dot pa njëri-tjetrin.

Lefteri me grupin e Pilurit ishte i mirëseardhur në kryeqytet në çdo jubile dhe festë. Në një nga ato festa, pasi kishin kënduar në koncert, unë i ftova të gjithë në shtëpi, të cilën e kam afër qendrës dhe buzë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Ata ishin sistemuar në një hotel aty afër. Natyrisht që nuk mund ta kalonim darkën pa këngë. Pa më pyetur fare ia nisën polifonisë “Këngët e Atdheut tim, janë ilaç, janë shërim…”. Ia merrte Ermioni Mërkuri dhe ia kthente Qirjako Çakalli. Lefteri kishte të drejtë kur thoshte se këta bandillat e mi kanë zëra qiellorë. Kënga labe shpërtheu dritaret, u derdh në bulevard dhe la pa gjumë një bllok të tërë pallatesh 5-6 katësh. U pasua me lirikat e Lefterit: “Në të zënça moj manushaqe”, “Vito pëllumbesha”, “O shokë vdeksha nga kënga”, etj. Kulmi, kur qielli i Tiranës mori flakë, ishin vargjet:

Kënga jonë, këngë djepi,

Flakërin si shpata,

Sa shumë jeta e deshi,

E ëmbël si mjalta:

Këngët e Atdheut tim,

Jan’ ilaç, janë shërim….

Prita të dëgjoja ankesa e e trokitje në derë, por asnjë rebelim, megjithëse ata të hyrjes sime nuk ishin nga Jugu, por kryesisht nga Shqipëria e mesme, fqinji ngjitur nga Pogradeci dhe e shoqja nga Durrësi, ndërsa njeri, një kat më sipër, nga Tropoja.

- E kam përsëritur sa herë, - tha Lefteri në një intermexo - kënga jonë është qiellore, do hapësirë, kërkon bulevard të gjerë që të marrë vrap. Nuk e shihni që gjitonët na e kanë dhënë lejen me kohë, kanë dalë në penxhere e dëgjojnë? Madje unë kam mendimin se na pëlqejnë shumë. Hajde djema, hajde Mona, çkuljani me radhë, si në Pilur e Himarë!

Ishte çudi, ku e gjenin gjithë atë forcë dhe energji të pashterur. Gjithë mbasditen kishin pritur radhën me durim për të dalë në skenë. Kishin kënduar në pikën kulmore të koncertit qeveritar dhe ishin brohoritur me admirim. Publiku i kishte pritur me ovacione dhe duartrokitje të zjarrta. E tani vazhdonin për qejf në apartamentin tim duke grisur natën kryeqytetëse me zërat e tyre brilantë. Vazhduam deri aty nga ora 3-4 e mëngjesit.

Nuk kishte rast të kaloja nga Bregu i Detit e të mos takoja Lefterin. Takimet me të nuk njihnin orar, janë nga kujtimet e mia më të këndëshme. Në një rast më pyeti për tematikën e grupit të vet, repertorin, çfarë mund të bënte tjetër edhe më mirë.

- Lefter, ti nuk ke lënë gjë pa lëvruar, nga këngët e trimërisë, lirikat e dashurisë, ato të kurbetit, por sidomos patriotiket, por nganjëherë i kemi temat shumë afër e nuk i shohim.

- Çfarë, për shembull?

- Ja ku e ke Kalanë e Ali Pashait, në Porto Palermo, kjo kala është historike, u ndërtua për Vasiliqinë. Aty pati një muaj mjalti, Pashai mjekërbardhë kishte grabitur një grua greke, perri. Dihet, Aliu ishte shqiptari më në zë tek i cili ndaleshin diplomatët europianë, poet Bajroni, piktorët, gjeografët, historianët, etj. Ata shkruanin me nderim për të dhe historinë e bëmat e tij, po ne?

Nuk foli, hodhi sytë nga deti dhe ndezi një cigare tjetër, ashtu siç i thithte, bisht më bisht. U habita kur pas ca kohësh dëgjova këngën për Vasiliqinë dhe Porto Palermon. Po atë ditë që u ndamë, pasi kisha bërë ca hapa drejt xhipit të RTSH, më drejtohet një grua e re, e bukur, bardhoshe. Vetvetiu më shkoi mendja tek kënga hit e Lefterit “Bejk’e bardhë”.

- Jam e mbesa e Neço Mukës, kemi nxjerrë një libër të ri për biografinë e tij, desha të ta bëj dhuratë, me autograf.

Buzëqesha. E falënderova për surprizën. Hodha sytë rrotull se mos shihja kund Lefterin, por ai ishte tretur në horizontin e brigjeve të detit të Himarës.

Në këtë postrekuiem nuk mund të lë pa përmendur një gjest tjetër të tij, kur në vitin e vështirë 1997 morëm guximin të shkojmë përmes Himarës, gjithnjë me besimin se aty na mbron Lefteri. Shkuam në Fterrë së bashku me regjisorin, të ndjerin Piro Vesho. Ai i jepte veturës. Kishte ndërruar jetë halla ime e dashur, Zurua dhe unë duhet të isha patjetër në varrimin e saj. Pirua më erdhi në ndihmë me veturën e tij. Në kthim, gjatë kafes në Himarë, i themi Lefterit se në Tiranë bie miu e thyen kokën, pikë vaj ulliri. Na rekomandoi një kapter ushtrie që mblidhte ullinj e nxirrte vaj. Mbushëm secili nga një bidon katër litrosh. E paguam dhe u kthyem në Tiranë. I gëzuam ata të shtëpisë. Mirëpo gëzimi nuk shkoi gjatë; vaji binte erë nafte. Sigurisht rekomanduesi nuk e dinte këtë fakt dhe as ne nuk e kontrolluam kur e morëm. Kishim besim të palëkundur tek Ushtria Popullore. Ama u turpëruam përpara grave si unë, si Pirua. I dërguam njoftim Lefterit të kishte kujdes nga kapteri. Nuk kaloi shumë kohë dhe një djalë i ri vjen nga Himara dhe na gjen së bashku me Piron në një kafe përballë Televizionit.

- Ja ku e keni vajin, një bidon për secilin, e kam porosi nga Lefteri, - na tha shkurt e prerë.

- Prit të kthejmë vajin e vjetër, ta besojë kapteri që është i përzier me naftë. Sa lekë bën ky i riu?

- Lefteri më ka dhënë këtë porosi dhe unë e solla. Nuk më tha se kërkon para të tjera dhe as bidonat e vjetër me erë nafte.

U shikuam sy më sy me Piron. Të dy e dinim se nuk bëhej shaka e lojra me fjalën dhe besën e Lefterit. Miku ynë i vyer jo vetëm e kishte zgjidhur këtë ngatërresë, por me siguri e kishte sikterisur kapterin dhe e kishte bërë për lumë e përrua. Lefteri nuk dinte të falte në kësi rastesh. Burrërinë e tij e njihja jo vetëm unë, por edhe regjisori Piro Vesho, prandaj nuk e zgjatëm, veç përcollëm mirënjohje e falënderime.

***       

Nga që ndodhem prej vitesh në emigracion, në Kanada, e pata të pamundur të isha në varrimin e mikut tim, Lefterit, tre vjet më parë, dhe as nuk mund të ngushëlloja djemtë e tij nga afër, Sandrin dhe Arbenin që për nga karakteri e zgjuarsia bëjnë beli që janë të bijtë e Lefter Çipës. Pas një viti takova Aleksandrin, ish-koleg dhe zëvendësi im në gazetën lokale të Gjirokastrës. Mendoja se dija gjithçka për atin e tyre, edhe për bijën e tij flautiste, Parashqevinë, edhe për të vëllanë, Kriston, por nuk dija që Lefter Çipa fëmijërinë e hershme e kishte kaluar në stan, pas kopeve të dhive në Çajup. Këtë ma tregoi Sandri. Tani mendoj se kjo është arsyeja që ai ka aq shumë bukuri të natyrës në vjershat e tij; manushaqe, trëndelina, lulehakthi, ujë bore, netë me hënë, blegërima, fyej, cula dyjare, fllad Çajupi e aromë Piluri. E di që jam i vonuar me këtë postrekuiem për Lefterin, por një tregim i vetë atij, më mbron e justifikon:

- I kishte vdekur babai njërit. Kishin kaluar tri vjet dhe ja tek u duk në krye të rrugës së fshatit një mik i tij. Ai po vinte për ngushëllim. “Të mos e presim, tha një nga djemtë e tij, babain e ka harruar fshati pas kaq kohësh. Ku ka qenë ky mik?”. U ngrit një plak që u ndodh aty pranë dhe u tha: Dëgjoni, djema, ky është mik i vërtetë i babait tuaj. Fshati e ka harruar, por ai jo, ja tek po vjen…

© Avdulla Kënaçi

15 Nëntor 2024 - Mississauga, Kanada