Trashëgimi

Made in Albania

Produkte shqiptare si këto i kërkon gjithë bota 

E keni parasysh kur hani sallatë domate dhe nuk ju shijon si më parë? Nuk ka as aromën e domates së dikurshme. Madje dhe formën e ka shumë të bukur për të qenë e vërtetë. Kjo sepse nuk po hani domaten me farë shqiptare, të rritur natyrshëm në kopshtet e shumë fshatrave shqiptare. Është ajo shtrembaluqja me fund jeshil dhe gjithë tul në brendësi dhe plot lëng që zëvendëson edhe dy lugë salcë.

Po mollët e zonës së Korçës i mbani mend? Apo jeni mësuar me mollët nga Argjentina? Fshatrat e Devollit janë të mbushura plot me mollë bio pa kimikate. Më mirë një xhiro në Progër sesa të blesh në marketin e lagjes mollë “Fuji” të lyera me parafinë. Nuk ka si produktet e shëndetshme shqiptare.

Shumë produkte janë të njohura edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Madje për disa prej tyre aq e lartë është kërkesa saqë kush banon në Shqipëri i siguron me porosi. Nami bëhet për sherebelën, gështenjën dhe boronicën e Tropojës.

Lajthia e kultivuar në Fier gjithashtu është e kërkuar. Por në Shqipëri ka plot produkte të kultivuara ose të gjendura në natyrë të cilat ne nuk i vlerësojmë sa duhet ngaqë jemi mësuar ti kemi, dhe hedhim sytë nga “pula” e botës se duket më e mirë. Por nga ana tjetër konsumatori ka edhe të drejtë, pasi shumë herë në Shqipëri është abuzuar me produktet vendase për hir të fitimit.

Shqipëria ka ullinj Berati apo Peqini fantastikë. Gjela Baldushki dhe Peqini të lakmuar për çdo festë. Liqeni i Pogradecit ka peshkun Koran të cilin as Mbretëresha e Anglisë nuk ka luksin ta hajë çdo ditë. Edhe Liqeni i Shkodrës ka Krapin që vetëm në Shkodër mund ta shijosh si duhet.

Nëse jeni mishngrënës, mish qengji e keci si të Gramshit nuk gjeni askund, të rritur në natyrën e virgjër e të pahelmuar ende në ato zona, ku edhe barinjtë janë po aq të urtë si delet e tyre. Por Gramshi njihet edhe për mbarështimin e bletës. Mjalti i prodhuar sidomos në zonën e Vërçës është i një cilësie të lartë me vlera kurative.

Kur zbret nga Gramshi në Cerrik e vazhdon në Elbasan duhanpirësit kujtohen për fushat e kultivimit të duhanit në këto zona, të cilat i eksportojnë gjithandej dhe janë të kërkuar në botë për cilësinë e parë. Nëse shkon drejt jugut, mund të ndalesh rrugës për shalqinjtë e Lushnjes e të arrish në Vlorë për të provuar rrushin Vlosh. E pastaj ku ka si portokajtë e mandarinat e Sarandës të qendisura dikur brezareve prej vullnetarëve nën tingujt e këngëve partizane apo edhe të festivaleve. Aq të mira janë mandarinat e Konispolit, Xarrës dhe Mursisë saqë organizohet edhe festivali i mandarinave çdo vit, dhe të nesërmen fluturojnë për eksport. Po po, të huajt ua dinë vlerën.

Ne nuk i kemi përmendur të gjitha produktet bashkë me të gjitha zonat përkatëse.

Por qëllimi ynë është t’ju kujtojmë se sa vlera prodhon Shqipëria, qoftë edhe vetëm përmes tokës apo ujrave të saj, të cilat pak apo shumë nuk promovohen.

Prandaj nëse jeni në Shqipëri apo kur të vini në Shqipëri kërkoni gjithmonë produkte vendase që të jetoni me shijen e tokës pjellore shqiptare.

 

 ©FlasShqip.ca