Trashëgimi

Gjuha shqipe nën trysninë e standardit dhe Realizmit socialist - Nga Behar Gjoka

Gjallimi i shqipes, si ligjërim gjuhësor dhe letrar, edhe në kapërcyellin e shekullit të njëzet e nji, paraqitet i ndërliqshëm dhe me shumë gjasa, në zgripin e vetë ekzistencial. Hymja në shtjellat e problematikës së mprehtë, që bart kjo rrethanë, ma tepër e nji ngulfatje mbijetese, kërkon qi të shpështillen, përkitazi pak së paku, katër çashtje thelbore të pranisë së kësaj materie:

A - Gjuha shqipe, ka mbërri momenti me e pa si sistem diakronik dhe sinkronik, po kaq edhe si një vetëdije parake e genit arbnor.

B - Gjuha standard, e veças koha dhe rrethanat që e përlindën atë, marrëdhania e saj me shqipen si tanësi dhe si sistem unik, që pa ma të voglin dyshim ngërthen të gjitha variantet dhe të folmet.

C - Realizmi socialist, si një model i vetëshpallur letrar, me kohështrirje nga vitet e Luftës së Dytë Botërore e gjer më tani, qi përpos përtharjes së ligjërimit letrar, gjoja sanksionon dhe vulos gjuhën e njësuar.

D - Marrëdhënia e ndërsjellë dhe tepër e rrokshme, ndërmjet standardit dhe Realizmit socialist, si dy vatrat frymëmarrëse, dy kështjellat e mbrame, mbetun në kambë të sistemit monist.

Parashtrimi, kaq pranshëm, i fatit të gjuhës dhe letërsisë shqipe, të cilat ekzistojnë vetëm si të bashkëlidhuna, ka vlerën e nji tejqyre me kundru prapa fasadës, hijedritat e pranishme mbi këto dy anë të ekzistencës së shqipes, si vula ma përfaqësuese e genit arbnor. Nji nga pasojat e krijueme, kryesisht prej gjuhës së standardit, kinse largimit të gjithçkaje tjetër, para dhe mbas tij, është vënia në dyshim e vetë sistemit të shqipes, me gjasë zavendësimi i saj, me një pjesë të tij. Pra, tashma ai ekziston me ligjërimin e standardizuem. Dhania e përgjigjes, mbi atë që shënon shqipja si sistem, domosdoshmërish, kërkon kthjellimin e këtyre momenteve:

-Përlindja e shqipes së shkrume si një ind përfaqësimi, që materializohet në dy vatra, me gjasë dy variante ligjërimi, gegnisht, që zë fill me Mesharin e Buzukut, 1555, arbënishte-toskënishte, me librin ‘E mbsuame e Krështerë’, e Lek Matrëngës, që përkon me vjetin 1592.

-Procesi i funksionimit të shqipes, si një sistem unik, fonetik, morfologjik, sintaksor, leksikor dhe fjalëformues, që shpalohet në tre variante letrare, përkatësisht, gegnisht, toskënisht dhe arbënisht, çka është e rrokshme në lavrimin letrar, si dhe në ligjërimin e folun, me nëndialekte dhe të folme dhe, po ashtu ka të pranishme edhe nuancat e nji gjuhe të lavrume nëpër kaq shekuj.

-Rrethanat e unifikimit gjuhësor, pa mëdyshje edhe të vetë sistemit të shqipes, pra të të gjithë formave të ekzistimit të saj, zanë fill dhe kulmohen me Kongresin e Manastirit, të motit 1908, qi ndjeu ma së miri, madje mbrrini me përcaktu kahjet e mbijetesës së gjuhës shqipe, si një vatër përbashkuese e alfabetit latin, e cila qysh në krye nuk përjashtonte asnji alternativë, gjuhësore dhe letrare, që përçonte gjithë ngjyresat e gjëllimit të shqipes.

Përpjekjet e mëpastajme, gjithnjë në kërkim të unifikimit, shkrimor dhe shqiptimor, të cilat fillas marrin udhë me vendimin e Komisisë Letrare, të vjetit 1915, duke vu elbasanishten si variant zyrtar, një nëndialekt i gegnishtes, qi pa mëdyshje ishte pikë kontakti dhe kufini, përndamës dhe përbashkues, me toskënishten, në fakt këto përpjekje marrin goditje asgjësuese me vendosjen e sistemit monist. Këto kundërvënie të vazhdueshme dhe shtysa jashtëgjuhësore, pra të faktorëve të politikës moniste, çuan gjer në vitin 1972, qi përkon me mbajtjen e Kongresit të Drejtshkrimit. Gjuha e standardizueme, në distancë kohore, përjetohet nga palët, në dy ide dhe hipoteza përjashtuese:

-Që shënon kulmin dhe një ngjarje epokale në të gjithë historinë e shkrimit të gjuhës shqipe.

-Ndërprerje e lëvrimit organik të varianteve letrare, si dhe të konvergimit të ndërmjetshëm, që do të vinte si rrjedhoja gjuhësore.

Ndërmjet palëve në debat, ku në tryezat shkencore dhe ma gjanë se sa kaq, mbizotëron ma tepër zemrata e pikëpamjeve të përkundërta, gjoja shkencore, aq sa janë zbardhur në media, duket se standardi, ka realizue unitetin kombëtar, me gjasë edhe paska vënë në dyshim, por është fakt që në emër të tij, ka prishur ekuilibrin natyral, gjuhësore dhe letrar të shqipes. Ndërkaq, në distancë kohore, vihet re, se gjuha standarde, ka një ekzistencë të bashkëlidhun me modelin e Realizmit socialist, që po e sundon skenën e letrave shqipe, në harkun e 65 viteve të fundit. Fillesa e Realizmit socialist, lidhet me kohën e luftës, e sidomos me vitet e para mbas lirimit të vendit prej pushtuesve, kur pa grimën e mëshirës goditet Fishta, Konica, Skiroi, Koliqi etj.

Në kapërcyell të shekujve, tash asht e qartsueme se duke goditë Fishtën, e veçan poemin “Lahuta e Malcis”, pra poetin epik të gjuhës shqipe, është goditun edhe varianti letrar i gegnishtes, ma i hershmi variant i shkrum i shqipes. Fillesat e tij, që me Buzukun, Budin, Bardhin dhe Bogdanin, vepra e të cilëve, atëherë e mjerisht edhe tani, vlerësohet si fakt gjuhësor dhe historik, dhe gati lihet në heshtje prania e vlerave letrare. Pra, gegnishtja ndonëse është varianti i parë, gjuhësor dhe letrar, me librat e shkruem nga Buzuku e deri te Martin Camaj e Anton Pashku, si një lavrim i pandërpremë, prej vitit 1972, në hapësirat e shtetit shqiptar, ndalohet të shkruhet. Pas aktesh të ndryshme, vendime pleniumesh, në vitet 60-70, të shekullit të kaluar, tanimë konsoliduan modelin e letërsisë dhe studimeve letrare, simbas metodës zyrtare të Realizmit socialist.

Poezia e Agollit, Arapit, Kadaresë etj., proza e Kadaresë dhe e shumë autorëve të tjerë, studimet e Rexhep Qoses etj., vërtet bartin një situatë amfibe dhe të dyzueme, por njëherit janë edhe kulmi i Realizmit socialist, ku megjithatë ndeshen edhe hijedrita që shpërfillin normat fikse të atij modeli. Korifejtë e letërsisë së Realizmit socialist, në fakt janë edhe lavruesit ma zelltarë të gjuhës standarde, e prandaj kush me heshtje, e dikush edhe duke ligjërue me mllef dhe zemëratë, janë kthye edhe në kështjellarë të gjuhës së njësueme. Fillas mbasi u dhanë goditjet mbi letërsinë e së shkuemes, një pjesë tu e shpall si reaksionare dhe tu e ndalue, dhe pjesën tjetër, të gjithën pa përjashtim, tu e lexue me kufizime ideore. Ma në fund ia mbërriti me formue tipin e shkrimtarit shërbestar të sistemit, po kaq letërsia e re, nginjur në propagandë ideologjike dhe sociologjike, e sundoi hapësirën e lëvrimit letrar, erdh edhe goditja vendimtare, mbështetun kryesisht në shtyllat e ideologjisë së komunizmit, me Kongresin e Drejtshkrimit, mbajtun në vitin 1972, qi ka lanë pasoja, qi ende janë mjedis nesh:

-Për të parën herë prishet funksionimi i sistemit të gjuhës shqipe, me rrafshet e ligjërimit të folun dhe të shkruem.

-Ndalohet shkrimi i gegnishtes, brenda Shqipnisë, qi me shpejtësi rrufe mandej u shtri edhe në trojet etnike.

-Standardizimi i arbënishtes së hershme, gjithnjë në emën të përshtatjes, realisht ngjau përkthimi i De Radës, Serembes, Darës, pra ma tepër si një akt prapavajtës.

Pamundësia e sendërtimit të versioneve letrare, përmes varianteve të ndryshme gjuhësore, nji praktikë e shkrimit të Kostandin Kristoforidhit, në gegnisht dhe tosknisht, si një dëshmi e lavrimit paralel të dy kryedialekteve, si dhe e praktikës së shkrimit në tre variantet e shqipes, gegnishte, arbënishte dhe toskënishte, në Kohëtoren Albania të Faik Konicës, fakt është humbje e vatrave ligjërimore të gjuhës shqipe, si sistem unik ligjërimor. Faktet shkrimore të lavrimit të poetëve arbëneshë në trajtat e varianteve të arbënishtes, po kaq lavrimi kaq gjerë i gegnishtes nga Martin Camaj, në të gjithë veprën letrare dhe gjuhësore, si dhe i dhjetra shkrimtarëve të tjerë, dëshmon laryshinë gjuhësore.

Po kaq, shkrimi letrar i Anton Pashkut, në të dyja trajtat gjuhësore, në gegnishte dhe në variantin e njësuar, pra duke formatuar dy versione letrare, sidomos në sendërgjimin e prozës, tregon ma së miri, se çashtja e standardit nuk është vetëm gjuhësore dhe e gjuhëtarëve, por ndërkohë është një shenjë e pashkëputshme e lavrimit letrar, në disa variante dhe versione, letrare dhe gjuhësore, pra si gjallim i larmisë letrare. Ngrehina e gjuhës shqipe, që pagëzohet nga Pal Engjulli, në motin e largët 1462, fill mbasi shkëputet nga mugullimat e kohës, mandej endi magjinë e kulturës dhe letërsisë shqipe, e prandej ajo mujti me u kuptu në nivelin e plotë të përfaqësimit, duke shpërfillun digat penguese:

-Gjuhësore të variantit të njësuarishtes, që ndërpret dhunshëm komunikimin me vatra organike të larmimit të shqipes, së të gjithë trajtave dhe formave të ekzistimit.

-Letrare, duke projektuar hierarkinë e vlerave që vijon të ketë në krye Realizmin socialist, që standardit i ka mëveshun edhe atribute të gjuhës letrare.

Gjuha shqipe, sistemi tanësor, ku përfshihet gjuha e njësueme, variantet e shkrueme, si dhe të folmet e larmishme, parëlindun me Mesharin e Buzukut, ngjizun në poemat e De Radës, shqiptuem me rrezëllima në penën e Naim Frashërit, thadruar në vrundujtë zhurmues të Fishtës, ngjyer në sharmin modern të Migjenit, Kutelit, Poradecit, Koliqit, Kadaresë, Pashkut, Trebeshinës, Camajt, Podrimes, Agollit, Arapit etj., pa ma të voglën mëdyshje, gjëllin e përbashkët, si njësi unike. Ky visar, letrar dhe gjuhësor, që tejkalon kohën dhe hapësirën, nuk ka gjasa, që të jetë pronë dhe hipotekë, vetëmse zyrtare. Gjuha e letërsisë dhe gjuha e njësueme nuk ka gjasa që të përputhen, sepse letërsinë nuk e përlind gjuha e njësueme, por gjuha e autorit.

Gjuha shqipe, institucioni i vetëdijes së qenies, nuk i përket vetëm kësaj kohe, por ngërthen të kaluemen dhe ardhmëninë e shqiptarëve. Shqipja, pasuria më e vyeme e trashëgimisë tonë, limfa frymëdhanëse e idealit të kombit, nuk i përket dhe nuk mundet qi të trajtohet si fragment i politikës shtetënore, sepse trojet ku flitet dhe shkruhet gjuha shqipe, janë ma të gjana. Gjuha, pa mëdyshje me të gjitha visaret e saj, ndërkaq nuk ka gjasa që t’u përkasë vetëm gjuhëtarëve, ndonëse janë rojtarët vijëruajtës, siç ka përcaktuar më herët F. De Sosyr; janë pjesa ma e randësishme e studimit, analizës së prirjeve të gjuhës.

Herët a vonë, duke pa përhapjen e paskajores, shtrirjen në ligjërimin bisedor dhe të shkruem, si dhe duke qenë paskajorja një element ligjërimor që zgjeron frymëmarrjen e gjuhës së njësueme, një ditë edhe gjuhëtarët do të debatojnë edhe për të, pra për nyjen gordiane të sistemit të gjuhës shqipe. Duhet të debatohet për paskajoren dhe për disa aspekte të tjera të gjuhës shqipe, si sistem tanësor, qi kanë dalë në pah fill mbas viteve ’90. Gjuha e njësueme, duhet kuptue mirë nga palët në konflikt, madje nga të gjithë folësit, që flasin dhe mendojnë shqip, nuk shënon zanafillën e gjuhës shqipe, por asht një cak, ku përmblidhen arritjet e shqipes së shkrueme, duke shmangun nga udha dy degët themelhedhëse; gegnishten dhe arbënishten.

Gjuha e bukur shqipe, që u mbijetoi kaq shekujve, pushtimeve dhe ndalimeve, në shekullin e ri, simbas optikës zyrtare gjendet e rrezikueme nga vetë shqiptarët. Gjuha shqipe, ndërkaq është atdheu i qenies shqiptare, e prandaj marrëdhania me të, vetiu të sjellë në mend porosinë e Mit’hat Frashërit, kur nënvizonte: “Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë.”; pra për secilën pjesë të sistemit të gjuhës shqipe. Shqetësimi zyrtar akademik asht një përpjekje për ta shpëtue shqipen nga shqipja, me gjasë nga vetë shqiptarët, sepse vlerë dhe pasuri kombëtare asht gjuha shqipe, më të gjithë përbamësit, variantet dhe të folmet, me realizmin e situatës ku edhe gjendena, të materializimit të diversitetit (ndryshueshmërisë) gjuhësor, pra edhe kulturor.

©Behar Gjoka