Trashëgimi

Përse është i madh Izet Bebeziqi - Nga Besnik Dizdari

Besnik Dizdari

Kam pasë fatin e madh ta njoh personalisht Izet Bebeziqin. Unë fëmijë dhe ai burrë. Një burrë me cullufen rebele të flokëve, duke ndezur cigaret njera me tjetrën, siç e përshkruan historiani Danish Bebeziqi. Unë një gjimnazist i etur për libra, ai një shkencëtar i madh, të cilit ia kishin ndaluar të thirrej i tillë. Unë një i ri 16-17 vjeçar, ai nëpunësi "i rëndomtë" i Bibliotekës së Shkodrës, i cili na këshillonte se çka të lexonim pasi merrte kartelën tonë dhe shënonte titullin e librit dhe ditën kur duhej ta kthenim.

Kështu pra, kam patur fatin e madh ta njoh personalisht Izet Bebeziqin dhe ndjehem i lumtur që kam bart me vete këshillat e tij të vyera. Në atë kohë nuk e kuptoja plotësisht, se si një i madh si ai, detyrohej të bënte një punë aq të rëndomtë. Me vite kam kuptuar se kush ishte Izet Bebeziqi: një kollos i Letrave shqipe, i Albanologjisë, i Patriotizmit, i Shkencës, i Gjuhësisë, i Gazetarisë, i Bibliografisë, i Historisë, i Filozofisë. Sepse përveç gjithë këtyre, ai qe edhe filozof mendimtar, çka i lexohej në vetë portretin e tij tejet tërheqës, me një gjallëri e kthjellim intelektual që i mbeti thuajse i pandryshueshëm edhe kur mosha për ditë e thërriste kah pleqëria.

Izet Bebeziqi është i madh, sepse qysh 16 vjeç arrin të krijojë një bibliotekë për Shkodrën: “Biblioteka Illyria-Bebeziqi, Shkodër 1921”. Kush tjetër e ka bërë një vepër të tillë publike, ku kanë qenë të grumbulluara shumica e librave e shkrimeve për Shqipërinë, prej të huajve e prej vetë shqiptarëve?

Izet Bebeziqi është i madh, jo vetëm sepse në burg i tha Mehmet Shehut “Jam shumë mirë dhe nuk kërkoj asgjë prej jush!” dhe as sepse në gjyq e ngriti kokën lart me vështrimin  e tij të hijshëm që do ta ruante deri në vitet e fundit të jetës së tij, në atë pranverë 1982 kur vdiq në moshën 77 vjeçare, por mbi të gjitha sepse ai i përkiste asaj race shqiptarësh të mëdhenj, të cilët në vuajtje bëheshin edhe më të fortë, sepse i vetëm diti të sfidonte një regjim, një diktaturë, kur kjo dukej e paprekshme.

Nuk pranoi të votonte më 1945, nuk pranoi ti lëvizte një presje botkuptimit të tij demokrat e të lirë edhe ahere kur mori 7 vjet burg si dënim politik së bashku me konfiskimin e pasurisë. Nuk pranoi të përkulej as pas gjithë këtyre kur iu fal sërish Shkodrës, vendlindjes së tij. E paharrueshme figura e tij energjike me shtatin e drejtë, me ecjen e shpejtë rrugëve të qytetit, me shikimin gjithnjë lart në një horizont, të cilin e mbërrinte vetëm ai me sytë e mendjes së tij të gjërë.

Izet Bebeziqi është i madh, sepse është nxënës i Norbert Joklit, madje i preferuari i tij, e më pas bashkëstudiues i veçantë i Albanologjisë si dhe Jokli, studiues i letërsisë arbëreshe, transkriptues i parë i Milosaos së De Radës qysh në vitet 20’, protagonist i një letërkëmbimi të çmueshëm po me Joklin, gazetar i shtypit gjerman e italian gjithnjë për çeshtjen kombëtare të tokës ilirike, prjeardhjen e së cilës ai e argumentonte me një pasion si pak kush.

Izet Bebeziqi është i madh, jo sepse qe një mësues i gjithë Shqipërisë, “i Teknikes së Tiranës, i Tregtares së Vlorës, i Gjimnazit të Korçës, i gjuhës Shqipe në Pejë, në Durrës”, por sepse kudo ku u dëgjua fjala e tij e fuqishme, kudo ku u ndje erudicioni i tij i pakrahasueshëm, kudo ku u dëgjua zëri argumentues i tij për çështjen kombëtare e të Kosovës, nuk pat nevojë ma për një orator të dytë.

Ai ngriti më 1945 një librari të zakonshme në Durrës, po ajo mblodhi rininë dhe kësisoj, ky do të ishte për regjimin një “krim” i parë, i pafalshëm i tij, që do t’i dhuronte burgun, do t’i pengonte gjithçka tjetër: lirinë e të shkruarit, të mësimdhënies, të studimit, të krijimit. E ai prapë mbeti mësues i popullit të tij, shkencëtar i vendit të tij, atdhetar i kombit të tij. Në bibliotekën e Shkodrës ku ai kishte vetëm një të drejtë, të drejtën e nëpunësit që shënon librat në kartelën e lexuesit, ai ishte për ne mësuesi, studiuesi, një përmendore e gjallë kulture e diturie. I mbështetur bash në këto në të vërtetë, në vetveten e tij, ai nuk ndjehej i burgosur, por i lirë. Kjo ishte sfida e Izet Bebeziqit.

Izet Bebeziqi është i madh, sepse ishte kundër diktaturave të të gjitha gjinive dhe me trimërinë e tij, në radhë të parë me trimërinë intelektuale, ai i luftoi ato gjatë gjithë jetë së tij. Madje edhe me mënyra të tjera: ai gris flamurin e Fashizmit në Korçë, është në krye të demonstartave antifashiste në Tiranë, është i internuar i Fashizmit në Ventotene, ku i lind miqësia e madhe me Sandro Pertinin, më vonë president i Italisë, i cili kurrë nuk do ta harronte, duke u interesuar për të, natyrisht aq sa ishin mundësitë, deri në fund të jetës së tij. E burgosin edhe nazistët, e vënë në shënjestër për ta zhdukur edhe komunistët ende pa u çliruar Shqipëria si një kundërshtar i ardhshëm në potence, por tiranasit e thjeshtë e fshehën në një çast mësuesin e tyre, pa ia arritur më pas që t’i shpëtonte ferrit që e priste pas 45-ës.

Izet Bebeziqi është i madh, thjesht sepse Gaetano Petrota e cilësoi “Një ndër pendat më të fuqishme kritike të Evropës” në librin e tij të famshëm për gjuhën e letërsinë shqiptare më 1932, por edhe sepse, me një guxim të pashoq ai nuk u shkëput kurrë nga rinia, nga kontakti me ta si ilegal e legal duke guxuar të jepte dituri të kohës, kur kjo ndalohej e jepte dituri moderne kur ajo mallkohej.

Në dhomën e tij model që rrezatonte kulturë e dije, aty ishin gjithnjë nxënësi, njeriu i thjeshtë mes halleve të mëdha, të cilit profesor Izet Bebeziqi ia ndriçonte shpirtin, si rilindas, siç e ka përcaktuar Lasgush Poradeci madh kur tha: “Jam i fundmi nga rilindasit e mbetur në Shqipëri”, e kjo i përshtatet edhe Izet Bebeziqit.  Merre me mend gjatë jetës shpesh është shok dijesh e fatesh me Lasgushin e Eqerem Çabejn, me Skënder Luarasin e Sandro Pertinin.

Në fund të fundit, Izet Bebeziqi është i madh, sepse përveç të tjerave mbeti njeriu i cili ka punuar, studiuar, hulumtuar, evidentuar, sistemuar, ruajtur arkivin e Katedrales së Shkodrës me një pasion të rrallë prej shkencëtari deri bash atëherë kur afrohej viti inkuizicional 1967. Detyrë që e kreu pa asnjë mposhtje. E pra ka qenë i besimit mysliman. Kthejeni në kohë këtë fakt për të kuptuar më qartë çka qe Izet Bebeziqi, i cili më parë se mysliman i Shkodrës dhe Shqipërisë, ndjehej atdhetar i Shkodrës dhe Shqipërisë.

Nuk i ka merituar kurrsesi kaq vjet heshtje!

©Besnik Dizdari - Botuar për herë të parë te Gazeta RD, 18 mars 1994