Trashëgimi

Kur Berati shpallej trashëgimi botërore - Nga Ylli Pango

Rrallë kam lexuar deri më sot, një koncentrat kaq të bukur për Beratin e gjithshka që e rrethon, sa ky i shkruar nga Francesca Massotti në “Lonely Planet”, publikuesi i famshëm i librave e guidave të udhëtimit, botuar nga gazeta “Tema”. Nuk mund të mos prekem sa herë lexoj për Beratin, për arsyet që do ju a them më poshtë.

Lexoni si fillim mes të tjerash dhe në aq pak fjalë, vlerat (jo të gjitha) të këtij qyteti perlë, sipas Lonely Planet:

“Shumica e turistëve që udhëtojnë në Berat, në Jug të Shqipërisë, mahniten me qendrën historike dhe Kalanë e tij, një vendbanim i lashtë i banuar ende sot... Planifikoni një udhëtim në Shqipëri dhe përjetoni aventura të paharrueshme në rrethinat e asaj që konsiderohet unanimisht një nga skenat më të bukura në Ballkan. Xhamitë, manastiret dhe aventurat në kanione. Ju mund të shijoni ushqimin tradicional dhe origjinal në fermat e zonës, të bëni ekskursione në malin e Tomorrit, malin e shenjtë të vendit

Legjendat dhe malet e shenjta. Një vend është magjik kur origjina e tij lidhet me legjendat. Ky është rasti i Beratit, një qytet në Jug të Shqipërisë. Thuhet se dy vëllezër, Shpiragu dhe Tomorri, duke u grindur për një vajzë me të cilën ishin të dy të dashuruar, luftuan për vdekje për të konkurruar për të. Tomorri përdori shpatën për të luftuar, ndërsa Shpiragu u përgjigj me flakë. Nga historia e tyre lindën malet mes të cilëve ndodhet ky qytet i trashëgimisë së UNESCO-s: Mali i Shpiragut që duket i prerë në feta dhe Tomorri me gropat e tij të mëdha. Vajza e pikëlluar për fatin e dy vëllezërve derdhi lotë të shumtë të cilët sipas legjendës i dhanë jetë Osumit, lumit që sot ndan në dysh qendrën historike.

Veçanërisht mali i Tomorrit dominon zonën dhe shoqëron udhëtarët gjatë udhëtimeve të tyre në këtë zonë të Shqipërisë. Është një mal i shenjtë, jo vetëm për shkak të legjendës, por edhe sepse është vendi ku çdo vit, në fund të gushtit, besimtarët bektashinj mblidhen për pelegrinazh, një vëllazëri islame me origjinë sufiste e themeluar në shekullin e XIII - ende e përhapur në të gjithë gadishullin ballkanik dhe në Turqi - e cila e ka selinë e saj në Tiranë (Qendra Botërore Bektashiane, e inauguruar në 2015).

Ata që e duan adrenalinën duhet të vizitojnë Kanionet e Osumit, të gdhendur pranë lumit me të njëjtin emër, 53 kilometra në Juglindje të Beratit. Formacionet shkëmbore, kalimet, ujëvarat dhe shpellat ngjajnë me një miniaturë të grykave të thella amerikane, vetëm se këtu natyra është padyshim më e harlisur.  Kanionet e Osumit janë një parajsë për adhuruesit e aktiviteteve në natyrë: ecjet në shtigjet përgjatë kanioneve.  Një panoramë që është e vështirë të harrohet!

Berati, muze në natyrë. Duke u ngjitur përgjatë brigjeve të lumit, më në fund do të mbërrini në Berat - qyteti i dritareve të mbivendosura. Fjala kyçe këtu është të humbasësh. Minaret, drunjtë, kryqet dhe manastiret fshihen mes rrugëve labirintike të këtij muzeu të hapur, i cili sipas UNESCO-s është shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare shekullore në Tokën e Shqiponjave.

Dy lagjet që përbëjnë shpirtin historik të Beratit, Gorica dhe Mangalemi, ndahen nga Osumi dhe janë shtëpia e shtëpive të lashta tradicionale, kopshteve me lule, kishave dhe xhamive të heshtura, si dhe muzeume interesante. Ashtu si Muzeu Solomon, kushtuar historisë së hebrenjve të shpëtuar nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore - Shqipëria ishte i vetmi vend në botë që nuk i dorëzoi as edhe një hebre nazistëve.

Muzeu tjetër i rëndësishëm në Berat, Onufri kushtuar ikonografisë së piktorit shqiptar me të njëjtin emër, është i mbyllur brenda mureve të Kalasë së Beratit. Për ta arritur atë, ngjitesh në majë të kalasë duke ecur përgjatë rrugëve të heshtura me kalldrëm. Gjithçka duket një magji. Mjafton të vizitoni Kishën e Trinisë së Shenjtë, e vendosur në kodrën pas mbetjeve të kështjellës, për ta kuptuar këtë. Nga këtu mund të shijoni një pamje të gjerë të luginës...” (Gazeta “Tema” 17 prill 2024)

Me stafin e përkushtuar të Ministrisë së Kulturës, dhe institucionet vartëse, veçanërisht Instituti i Monumenteve të Kulturës, jemi krenarë që atë kohë, në 8 korrik 2008 bëmë të mundur që në Québec të Kanadasë, në mbledhjen e radhës së UNESCO-s, Berati të pranohej si pjesë e trashëgimisë botërore të saj. I pandarë nga Gjirokastra e pranuar që nga viti 2005.

Ju them se nuk ka qenë e lehtë. Jo se Berati nuk e meritonte, super e meritonte njëmijë herë, prej kohësh, por duhej një punë e madhe për të përgatitur dokumentacionin voluminoz, për të lobuar në Paris e Québec, për t’u vërtetuar me foto e fakte se kishim shembur ndërtimet pa leje në Berat (dikush na kish akuzuar për këto në UNESCO), për të shkëmbyer një korespondencë intensive Ministria e Kulturës-UNESCO, madje mos t’u duket çudi, edhe për të luftuar kundër oponentëve jashtë por edhe brenda vendit.

Do të mbetet e paharruar puna e Profesorit të nderuar Emin Riza për hartimin e materialit voluminoz për vlerat historike, arkeologjike, arkitekturore etj., të Beratit, lobimi i ambasadores sonë në UNESCO, në Paris aso kohe, zonjës së nderuar Tatjana Gjonaj, e drejtorit të atëhershëm të institutit Lorenc Bejko që e dërguam atëhere në Québec të merrte pjesë në mbledhje. Kur na njoftoi s’andejmi se kishim fituar, nuk i kemi mbajtur dot lotët. Ishim në tension, se veç të tjerash, disa “miq” opozitarë, edhe ndonjë nga ata që vazhdojnë ende kakarisin sot për çdo vezë pëllumbi, ishin tallur në parlament: “të shohim sa do ia arrini…” Për të mos u besuar apo jo? Janë edhe mjaft bashkëpunëtorë të tjerë me kontribut të vyer për këtë qytet, por u kërkoj falje që nuk i përmend dot në kaq pak radhë...

Gjithsesi, për mohuesit e vlerave dhe vjedhësit e punës së të tjerëve, (ka pasur goxha të tillë që atëherë e në vijimësi deri sot për Beratin), për ata që kur u bë deti kos erdhën me qindra në Berat ditën e ceremonisë duke rrahur gjoksin e filluan t’i shpërndajnë dekorata e tituj nderi njeri tjetrit pa bërë asgjë, por mbi të gjitha për miqtë e vërtetë, njerëzit e vërtetë, vlerësuesit e së vërtetës, isha i detyruar ti shkruaj këto sepse aktet nuk ndryshohen dot.

Në dokumentin përkatës të përfshirjes së Beratit, si pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, në përfaqësim të punës së stafit tonë të përkushtuar, është firma ime krahas asaj të drejtoreshës përkatëse të UNESCO-s që erdhi nga Parisi atë ditë vere të vitit 2008 në Berat për ceremoninë e paharrueshme. Atë firmë dëshmi, nuk e shkul dot askush. E sa herë të flitet për Beratin, të shkruhet për të në mijëra vjet, ndër mijërat e njerëzve që e duan e do ta duan Beratin, do të jem edhe unë e bashkëpunëtorët e mi të vyer, që bëmë edhe ne diçka për të. Edhe mijra e mijëra vjet të tjerë Berat! E gëzofshi përjetë Beratin, beratas, shqiptarë!

© Ylli Pango