Vende & Zakone

Shënoni edhe Kanionet e Osumit në kalendarin e pushimeve!

Skrapari mund të quhet edhe rrethi i kanioneve madhështore. Në të gjenden dy kanione të mëdha, të dy monumente natyre, midis tyre kanioni i Osumit, më i madhi në të gjithë Shqipërinë, që me të drejtë është quajtur “Koloradoja e Shqipërisë”. Ai gjendet në sektorin Çorovodë–Hambull të luginës së Osumit, është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35m i gjerë, i thellë deri në 70-80m, me shpate vertikale, përfund të cilëve rrjedh “lozonjar” Osumi, duke u “mburrur” me krijesën e vetë. Janë pikërisht ujërat e tij, që me forcën e tyre gërryerrëse dhe tretëse, kanë depërtuar ashtu ngadalë, por pa ndërprerje, në masën shkëmbore gëlqerore të strukturës antiklinale të Çorovodës, duke formuar kanionin me bukuri mbresëlënëse.

Kur udhëton në brendësi të tij mahnitesh nga bukuria befasuese, por edhe nga disa përshtypje të çuditshme dhe të pabesueshme që të krijohen: coprat e qiellit së bashku me pjesë të mureve vertikale të gëlqerorëve gri dhe të bimësisë të blertë pasqyrohen në pellgjet e shumta të lumit, duke krijuar kështu një përzjerje ngjyrash dhe formash të përmbysura, që me fluiditetin e tyre të hutojnë, të çorientojnë dhe të zhytin në një botë krejt tjetër, ireale, por që të ngjallin ndjesi të ëmbla, nga të cilat nuk ke dëshirë të dalësh. Kjo nuk është e vetmja mrekulli e këtij kanioni: në disa sektorë të tij shfaqen ujëvara të mëdha me bukuri befasuese, sidomos në ditët me diell, rrezet e të cilit zbërthehen nga piklat e ujit, duke formuar ylbere, që fillojnë nga qielli, vazhdojnë në shpatet e kanionit, nga ku pasqyrohen në pellgjet e ujit dhe në shtratin e lumit. Në këto raste e ke të vështirë të vendosësh kufirin midis tokës dhe qiellit, të shfaqen ndjesi të tjera edhe më të fuqishme, që të ndjekin nga pas edhe kur del prej kanionit, madje edhe kur je larg tij, ato të ftojnë të kthehesh dhe ta vizitosh përsëri atë.

Në muret vertikale të kanionit ka mjaft guva e zgavërime të formuara nga proceset e karstit. Midis tyre dallohet “Vrima e nuses”, që ndodhet 800 m në afërsi të fshatit të Bigazit dhe që është një zgavër apo ndoshta një shpellë karstike në formën e një galerie me gjatësi 7 – 8 m dhe diametër rreth 2 m. Me siguri në muret vertikale gëlqerore ka edhe shpella të tjera shumë më të mëdha, të cilat presin eksploratorët për t’i zbuluar dhe evidentuar vlerat e tyre të shumta. Ka qenë pikërisht bukuria e veçantë dhe forma interesante e këtij kanioni që rreth tij të dilnin edhe legjenda, të cilat kanë udhëtuar gojë më gojë deri në ditën e sotme. Midis tyre tregohet legjenda e nuses dhe ajo e gjurmës të shenjtit Abaz Aliu.

Legjenda e lidh shpellën e “Vrimës së Nuses”, të përmendur më lart, me fatin e një nuseje që po martohej pa dëshirën e saj, por që ishte e detyruar të zbatonte zakonin e vjetër. Krushqit po ktheheshin me nusen që kishin marrë në një fshat tjetër, kur arritën këtu nusja u thotë atyre se “po e çonin tek burri pa dëshirën e saj”, por krushqit nuk i dhanë përgjigje. Ndaj ajo e mendoi vet planin e ikjes. Duke iu lutur zotit, i drejtohet shkëmbit të kanionit: “Hapu, o shkëmb që të shpëtoj nga sikleti që më ka zënë”. Dhe shkëmbi e dëgjoi, menjëherë hapi një vrimë, zgavër. Nusja u hodh nga kali dhe u fsheh në këtë vrimë. Krushqit u kthyen në fshat pa të. Më vonë kjo vrimë nisi të vizitohej nga nuse të reja që kërkonin të bëheshin me fëmijë.

Legjenda e dytë lidhet me format e çuditshme të krijuara nga karsti (tretja) e gëlqerorëve në ujë. Këto forma janë të ngjashme me gjurmën e një kali dhe të një shkopi. Ato gjenden pranë fshatit Dhores, rreth 5 km larg qytetit të Çorovodës. Legjenda i cilëson ato si gjurmët e shenjtit Abaz Aliu, i cili erdhi në Tomor nga Qerbelaja, hipur mbi kalin e tij të bardhë. Ai fluturoi dhe e la gjurmën e tij në dërrasën e Kajcës, nga ku përsëri fluturoi në malin e Tomorit. Besimtarët bektashianë për të qetësuar shpirtin, kërkojnë ndihmën e gjurmës së shenjtit Abaz Aliu.

Sapo kalon qytetin e Çorovodës dhe merr sipër rrjedhën e lumit, papritmas te shfaqet pamja e mrekullueshme e Kanionit te Osumit. Ky kanion ende i panjohur mire për shkak te mungesës se publicitetit, është një nga perlat e natyrës shqiptare dhe një vend gati tërësisht i virgjër për t’u eksploruar nga turistet si vendas ashtu dhe te huaj. Kanioni nis në vendin e quajtur Hambull afro 18 kilometra nga qyteti i Çorovodës, pëson një ndërprerje pasi kalon fshatin Lapan, për shkak se shtrati i lumit zgjerohet në vendin e quajtur “Mulliri i Babait” dhe prej aty deri në Vaun e Grepckës, gati dy kilometra larg qytetit të Çorovodës kanioni shfaqet madhështor dhe të ofron pamje me të vërtetë të mrekullueshme e të papërsëritshme. Për çdo magji tjetër duket të shkoni ta shihni e provoni vetë!