Vende & Zakone

Gomarllëqe shqiptareske - Nga Edison Ypi

Shqipëria është vendi me pozicionin më strategjik në botë, vendi që përcakton fatet e planetit.

Ky pohim është gomarllëk. Megjithatë shumica e shqiptarëve e thonë dhe e përsërisin pa u lëvizur qerpiku si diçka me të cilën krenohen, si diçka që po e the nuk mban asnjë përgjegjësi, po e bërtite nuk të gjen asgjë e keqe.

Shqiptarët janë njerëzit më inteligjentë, më punëtorë dhe më produktivë të rruzullit.

Edhe ky është një gomarllëk i pashoq. Por, si gjithë gomarllëqet e tjera shqiptareske, me të drejtë të plotë qytetarie dhe katunarie.

Në Shqipëri sa më tepër punëra të mëdha të bësh, aq më pak vota të japin. Nuk është paradoks. Është gomarllëk shqiptaresk.

Të shohësh cilët janë sot bartësit e konservatorizmit tonë, nga stili inekzistent, fjalori për ibret, gjuha e drunjtë, pozat e neveritëshme, mburrjet e gërrditëshme, të merr malli i Zërit të Popullit të viteve '70 e '80, dhe nga dëshpërimi mbytesh në lot.

Mirëpo nga ana tjetër, mutërit qesharakë në fjalë, grehalucët pa absolutisht asnjë ndikim në publik për të cilët Shqipëria nuk është më e madhe se kafeneja, kompromentuesit e pandalshëm të konservatorizmit, janë flori për pinjollët e diktaturës, të cilët, tani që kanë pushtetin po fërkojnë duart nga ndihmesa falas që po marrin nga rraca e çuditshëme e kundërshtarëve aleatë.

Gjendja e mjerueshme në fjalë me komunistë të pamëshirshëm dhe konservatorë budallenj, kjo kujë e kjo lemeri për fatet e Kombit, nuk është gomarllëk, është realitet. Por edhe gomarllëk po ta jetë, s'është ndonjë qamet.

Ndër gjytyrymët që preokupohen për fatet e Shqipërisë dallohen ca që llomotitin nga jashtë. Janë ca gomerë që hiqen për gjenialë. Ca që një minutë po ti dëgjosh bindesh se atje ku ndodhen i ka hedhur Sigurimi. Kurrë si fakt. Gjithmonë si gomarllëk.

Pa folur për Leskovikun, Ersekën, Ballshin, Laçin etj. që janë kthyer në arkivole ose vende për të xhiruar filma me fantazma. Duke nisur me Durrësin, e duke vazhduar me Lushnjen, Fierin etj. nuk sheh këmbë polici. Duket sikur këto qytete kanë arritur një gradë aq të lartë civilizimi sa policia nuk u duhet se rendin e ruajnë vetë.

Nga këto qytete, nga më frikacaku tek më trimi, nga më budallai tek më i squti, heshtin si peshq para çdo krimi, dhe në Polici nuk shkojnë. I ruan vetëdija gjithpërfshirëse se po të flasin edhe një fjalë të vetme i gjen belaja nga mafia. S'ka problem se është i pabesueshëm si haber. Është i besueshëm si gomarllëk.

Të rinjtë nuk bëhen drogaxhinj nga edukata e munguar ose e keqe e prindërve por sepse e tillë është koha moderne.

Ky pohim që të ngjall zemëratë nuk duhet marrë si diçka tjetër por vetëm si gomarllëk, përndryshe çmendesh.

Rrjetet sociale po shërbejnë më së miri si rast i mrekullueshëm që shoqëria ua jep falas budallenjve për të krijuar një të dytë, të tretë, të katërt, të pestë, të njëqintë, një numur të pafund identitetesh inekzistente por të lakmuara.

S'ka asnjë rëndësi nëse është a s'është i vërtetë ky turp identitar me përmasa kolosale sa kohë fare thjeshtë mund të merret për gomarllëk.

Ka në Shqipëri territore ku ndodhen fshatra të panumërt që shtrihen gjatë dhjetra kilometrave. Në këto nahie mijëra shqiptarë punojnë, mbjellin, korrin, ndërtojnë shtëpi, kultivojnë vreshta, pinë raki, dehen, dashurohen, martohen, bëjnë kalamaj, trashëgohen.

Por kanë një të keqe, nuk bëjnë gjurulldira, sidomos nuk vrasin njëri-tjetrin. E duke mos u vrarë me sho-shoq, nuk prodhojnë lajm. Duke mos prodhuar lajm nuk dalin në media. Duke mos dalë në media nuk ekzistojnë. Nuk ekzistojnë në pikëpamje mediatike, por ekzistojnë si gomarllëqe shqiptareske të autorit të këtyre radhëve.

©Edison Ypi