Nën diellin e Jonit - Nga Ndue Dedaj
Ndue Dedaj
Shënime nga Llogaraja, Dhërmiu, Vunoi, Himara etj.
Vlora e Flamurit është një rajon mesdhetar nga më të lakmueshmit, për detin, lagunën e Nartës, ishullin e Sazanit, gadishullin e Karaburunit, kalanë e Kaninës, malin e Llogarasë, bregun e Jonit me hotele dhe plazhe të pafundme, Kurveleshin dhe zonën tjetër malore plot histori e monumente. Është tërhequr ushtria që dje kishte zënë kodrat më të bukura me transhe, gryka topi e bunkerë dhe ka nisur epoka e turizmit bregdetar, jo pak i kritikuar për ndërtimet pa vend.
Një shëtitje në fundjavë, nëpër disa nga qendrat turistike të Jonit, tani kur pritet të fillojë sezoni turistik i verës, ngjan si në fushimin e një “ushtrie” që përgatitet për betejën e radhës të detit, deri sa të ndodhë vërshimi i turistëve, aq sa të mos kesh ku të hedhësh kokrrën e mollës, kudo në brigjet e pamata joniane. Sezoni, në të vërtetë, ka nisur, jo vetëm se tek Uji i Ftohtë në Vlorë e ke të vështirë të kalosh me makinë në mesditë nga trafiku i rënduar i automjeteve që shfryjnë nga ecja “ca-ca” (gjurmë-gjurmë) mbi asfalt, por dhe se janë ngritur çadrat e para në plazhe, duke nisur nga Lungomarja, që siç duket nuk do të thirret ndonjëherë në shqip, dhe pse gjuhëtarët këshillojnë pareshtur. Ardian Vehbiu shkruan: “Ta zëvendësosh fjalën e bukur shqipe shëtitore me pedonale, apo bregdet me lungomare pa një pa dy është nënvlerësim i gjuhës tënde”. Por nuk do të ndalemi më tej në kundrimin gjuhësor. Një rrugë e re për në rajonin bregdetar të Jonit (për të cilën ka filluar puna) dhe ai tuneli i premtuar, që do të fusë “kryet” në Fushën e Dukatit e do të dalë në Palasë, është më e pakta “shpëtimi” nga kthesat e Llogarasë. Atëherë, Tiranë-Dhërmi nuk do të ishte më shumë se dy orë.
Vlora ofron njëherësh, brenda një ore, turizmin malor dhe atë bregdetar. Mjafton të ngjitesh apo të zbresësh një mijë metrat e Llogarasë. Parku Kombëtar i saj është një pasuri e rrallë pyjore, natyrore dhe turistike. Fëmijët, pasi kanë “folur” me drerët në kopshtin e tyre dhe i kanë ushqyer me dorën mbushur me kokrra drithi, pyesin se ku është e famshmja “pisha flamur”. Nuk ke nevojë ta kërkosh patjetër atë, pasi era bjeshkëtare ka krijuar shumë të tilla. Dreka, në njërin nga resortet e Parkut, është e shijshme, me gatimet e traditës vlonjate etj. Nuk është e vështirë ta vëresh ndryshimin, krahasuar me pesë vite më parë, kur kemi qenë herën e fundit këtu. Rruga që e përshkon Llogaranë ka sjellë zhvillim dhe urbanizim, ndryshe nga disa qendra të tjera malore të djeshme, me shtëpi pushimi për punëtorët, ku rruga “këputet” aty.
Dhërmiu është tashmë një kështjellë e turizmit jonian. Pas një natë gjumëlehtë, në njërën nga bujtinat turistike, kafeja e mëngjesit në breg, si në kuvertën e një anije, të shijon aq sa dhe peizazhi blu i detit që nuk mund t’ia ndash sytë asnjë çast. Një kaltërsi që vetëm Joni ta dhuron. Ke pasur rastin ta shijosh atë që para dyzet vitesh, student vullnetar për një muaj në brezaret e Lukovës, kur imazhi i “vajzës së valëve” nuk do të ishte më tragjik si në baladën e rapsodit Neço Muka, por jetëdhënës si vetë flladi i Rivierës, që befas do të bëhej emri i bijës tënde të sapoardhur në jetë në Veri. Si pa e kuptuar ishe bërë dhe ti hisetar i diellit të këtij bregdeti të përkryer nga natyra, por jo gjithnjë të mirë-ujdisur nga dora e njeriut.
Deti dhërmiot sot është zgjuar disi i zemëruar, kushedi pse Poseidoni, ndryshe nga ne, nuk ka fjetur mirë. Dallgët vijnë e thërmohen në bregun shkëmbor, duke u ngritur stërkalat deri në dhjetë metra lartësi. Valët tërhiqen mbrapsht pasi kanë lënë bregut një “dëborë” shkumëzuese. Nëse për ne të rriturit, kjo marrëdhënie e bregut me detin është poetike, për fëmijët që presin me padurim të futën në ujë e të lahen, nuk është kështu. Ata poezinë e detit e duan kur bëjnë detyrat e shkollës dhe jo kur kërkojnë ta “pushtojnë” pash më pash vetë detin. Ai, për ta, i ka të gjitha lodrat, mjafton të kredhën në ujërat e tij, për të mos thënë se është “lodra” me e madhe argëtuese e tyre.
Shpella e Piratëve është gjithnjë aty, në gjirin shkëmbor të Dhërmiut, guva me stalaktite që Petro Marko e “eksploroi” për lexuesit e vegjël në njërin nga romanet e tij. Duket se ngrehinat po ia humbasin disi misterin asaj. Hotele pa numër. Përherë e më shumë beton, përherë e më pak breg me rërë për t’u larë. E lajmet me “piratë” të detit nuk kanë sosur as sot. Herë pas here në brigjet e Karaburunit zihen gomone me drogë etj. Një lajm i tillë është dhënë dhe këto ditët nga mediat. Mali i futur i tëri në det, që në hartë ngjan si gishti i madh i dorës, jo rrallë është përdorur si një “depo” natyrore e trafiqeve të paligjshme.
Por jemi nisur në kërkim të monumenteve të së bukurës joniane, ndaj nxitojmë. Befasi pas çdo kilometri. Vunoi, fshati i skalitur në faqen e pjerrët të vargut malor të Çikës, të shëmbëllehet me një shqiponjë që ka fluturuar nga lartësitë dhe është ulur aty për të kundruar detin, ullishtet e begata, nën hijet e të cilave tani “mrizojnë” plot makina-shtëpi të turistëve të huaj. Manastirit të Shën Theodhorit i vijmë përreth duke i fotografuar muret, pasi është mbyllur dhe nuk mund ta vizitojmë. Ai ka nisur të ndërtohet në shkullin XIV, në një kodër të gjelbëruar nga ullinjtë dhe qiparisat dhe, sado e çuditshme të ngjajë, ka përfunduar pas pesëqind vitesh. Mbas Luftës faltorja e lashtë e Zeusit dhe Artemisit iu dha ushtrisë shqiptare, që në vitet ’60 e bëri bazë ushtarake për aleatët sovjetikë, miq-armiqtë tanë të asaj kohe. Aty afër është Kanioni i Gjipesë, që grish vizitorët e çdo moshe. Më tej shkëlqen Jala, si një margaritar i rrallë turistik i këtij bregdeti.
Himara është një tjetër oaz mahnitës i Jonit, këndellur mes detit dhe malit të Vetetimës. Më 1949, një burrë shtatimët që quhej Mark, kishte marrë rrugën e largët nga Shëngjergji i Mirditës për të kryer shërbimin ushtarak këtu për tre vjet, pa qenë as i pari dhe as i vetmi mirditas që kishte shtegtuar në këto anë, për pak kohë a përgjithmonë. Në shkrimet historike për Himarën thuhet se kjo zonë ka qenë gjithmonë e banuar nga popullsi autoktone shqiptare, kryesisht me origjinë nga Labëria, e, duke filluar nga shekulli XV, dhe me gjind të ardhur nga treva e Mirditës dhe ajo e Krujës. Nuk kemi ndonjë adresë apo të njohur, ndaj takojmë vetëm njerëz të rastit. Një burrë që shiste një dorë portokalle dhe disa qese me rigon mbledhur në mal, na thotë se Himari nuk ka asgjë tjetër, veç detit!... Nuk e kupton menjëherë, por ai, si për të shmangur keqkuptimin, nxiton të thotë se në këtë stinë kanë mbaruar prodhimet e priten vetëm të ardhurat nga plazhi. Pyesim për kalanë në kodër dhe na thonë se bileta kushtonte sa në kalanë e Gjirokastrës apo të Beratit.
Kudo që vemi na shoqërojnë kujtimet e njerëzve që kemi njohur nga këto anë, jugorë të shumtë që kanë shërbyer në rrethet e Veriut para 90-ës, por dhe miq të mëvonshëm. Në Radhimë kujtohemi për inxhinierin e galerive të bakrit në Mirditë, Devi Radhima, që u akuzua për sabotim në ekomoni dhe u dënua me shumë vite burg. Iu nxi jeta pa pasur kurrëfarë faji dhe u shua pa u mplakur buzë detit të tij. Joni bashkon Vlorën me Sarandën, në më shumë se 80 kilometra bregdet. Hedh sytë në horizont, mes malit e detit, atje ku duhet të jetë Fterra, vendi i lindjes së profesor Ismet Elezit. I telefonuam më 5 Prill të këtij viti, në shtëpinë e tij në Tiranë, për t’i uruar 101-vjetorin e lindjes, sigurisht pa i gjetur fjalët e duhura, pasi si mund t’i gjesh ato për një njeri që e ka zhvlerësuar urimin tradicional “U bëfsh njëqind vjeç!” Dhe a e dini si na u përgjigj? “Të gjithë shqiptarët rrofshin më shumë se Ismet Elezi!”
Një tjetër mik i çmuar, kritiku i njohur i dramës dhe teatrit në vitet ’70, Miho Gjini, sot mbi të 80-at, prej vitesh emigrant në Athinë, kudo që ka qenë, në Tiranë, në burgun e Spaçit, apo jashtë vendit, muzën e ka marrë gjithnjë nga vendlindja, Piqerasi, ku kthehet herë pas here. Nuk jemi njohur nga afër me poetin Lefter Çipa nga Piluri, edhe pse kemi pasur një shtrëngim dore, gjatë një veprimtarie në Tiranë kushtuar sivëllaut të tij Gjok Beci, por ngado Bregut dëgjohen “bilbilat” e këngëve të tija, dhe tash që ai nuk është më, ashtu siç “bejka e bardhë” piluriote shtegton si një perlë e visarit polifonik kombëtar. Dhe mbase nuk mund të ketë një mbyllje më kuptimplote të këtij shkrimi se kujtimi i pashuar i këtij bardi të shquar të lirikës shqiptare, mbrujtur në magjen e folkut jonian, nën diellin e Jugut.
Largohemi nga Himara e Dhërmiu, për t’u kthyer përsëri aty dhe në vende të tjera bregdetare të Jonit, pa harruar të marrim me vete poezitë e detit të Fatos Arapit, ku shtjellat e dallgëve i vinin, nga përfytyrimi i hershëm fëminor, “si kope të çuditshme, të panumërta kuajsh të bardhë”...
©Ndue Dedaj