Vende & Zakone

Për miqtë e mi nga Çamëria - Nga Bamir Bebeziqi

“Sofiiijeee! Ma hiq kët çun nga çatia se m'i theu qeramidhet!”

Kjo ishte thirrja e zakonshme e nënë Kizes, një nënë çame, e cila jetonte në një dhomë të shtëpisë së gjyshit tim, në Shijak.

Isha i vogël, katër pesë vjeç dhe kujtoj që në një pjesë të shtëpisë së madhe të gjyshit, kishin strehuar dy familje çame. Njera ishte me katër fëmijë dhe njeri nga fëmijët, të cilin e quanin Reshat dhe e thërrisnim Çati, ishte moshatar me mua dhe sa herë që shkoja tek gjyshi, luaja me të.

Ata kishin një dhomë në katin e dytë dhe një kuzhinë me sallon në katin e poshtëm. Në katin e poshtëm, në një dhomë tjetër të madhe jetonte nënë Kizja me të bijën. Nënë Kizen e kujtoj gjithnjë të veshur me tumane, veshjen karakteristike çame,  koken e mbante të mbështjellë me një napë borë të bardhë  e nga pas, dukej një gërshet i hollë, i gjatë, gjysëm i thinjur.

Tek baçja, gjyshi im kishte një man të madh, gjigand dhe unë i vogël sa herë shkoja, shikoja që kokrrat më të mëdha të manave binin tek çatia e dhomës ku banonte nënë Kizja dhe se ku kisha gjetur një palë shkalle e ngjitesha drejt e në çati. Por nuk zgjaste shumë. Dy tre hapa në çati dhe menjëherë dëgjohej e bërtitura e nënë Kizes, e cila m’i njihte hapat dhe fillonte të thërriste nënën time.

Ato dy familje jetuan disa vite në shtëpine e gjyshit, derisa gjetën strehë diku tjetër dhe për mua mbetën përjetë në kujtesë. Nuk di ku behet Çati sot, pasi nënë Kizja, ka kohë që ka ndërruar jetë.

Në shkrimin tim “Diamanti Blu”, kush e ka lexuar me vëmendje, kur i jati i Stefanisë u gjend në port, në New York pa ditur ku të shkonte, Abedini, një çam, rastësisht e gjen dhe e ndihmon shumë për të gjetur strehë dhe punë, në ata vitet e parë e të vështirë të emigracionit. Këtë nuk e kam shkruar pa qëllim. Një çam, ndihmon një familje shqiptare të besimit ortodox. Bëhet fjalë për vitin 1921.

***

Para disa kohësh, një shoqja ime e gjimnazit me të drejtë më pyet a do te shkruash ndonjëherë për çamët. I premtova se do të shkruaj, por në të vërtetë nuk e kisha të lehtë. Të duhet të lexosh shumë, pasi historia e Çamërisë është e komplikuar, është një histori sa tragjike aq edhe e lavdishme. Historinë e Çamërisë, më shumë e kam mësuar nga shkrimet e vetë miqve të mi çamë, nga rrëfimet e tyre e gjithnjë kam vënë re, se kur miqtë e mi çamë flasin për Çamërinë dhe vendin e të parëve të tyre, emocionet i pushtojnë, sytë u mbushen me lot dhe kanë plotësisht të drejtë. T’i mohosh njeriut vendin ku ka varret e të parëve, shtëpitë, pronat e kujtimet, me doemos do të flasë emocioni, brenga, vuajtja, thirrja e të parëve, klithma për padrejtësinë.

Në jetën time kam njohur shumë çamë, kam pasur shume shokë e shoqe, qysh nga fëmijëria.

Të parin shok që kam patur në jetë, ka qenë një çam me emrin Bahri. E kishte shtëpine mu përballe meje, aty ku sot është Amfiteatri në Durrës. Unë dilja tek porta ime dhe Bahriu tek porta e tij. Mund të kem qenë 2 apo 3 vjeç. Ngjitur me Bahriun, jetonte Erveheja me Kitren, ashtu e therrsnim Hysen Haxhinë, notarin e famshëm të Lokomotivës. Edhe ata ishin çamër.

Në vitin 1967, kur isha vetëm 5 vjeç, na u prish shtepia për zbulimin e Amfiteatrit dhe na çuan tek një apartament i vogël, tek pallati përpara Fermentimit të Duhanit.

Ika nga Kopshti 1 Maj e fillova tek 7 Marsi. Aty u bëra me një shok tjetër, një djalë çam. Ishte Elmaz Taka, pinjoll i nje familje të shquar të Çamërisë. Osman Taka, ka qenë stërgjyshi i tij.

Në mëhallen time të re, banonte një familje e madhe çame, me disa djem, Gimi, Mili, Ximi, Dashi. I jati i tyre për disa kohë punonte si kamarier tek Vollga. Nuk besoj se në Durrës të ketë patur historikisht ndonjë kamarier me xhentil, më të saktë e më të shkathët se ai njeri.

Tani, kam një pyetje që nuk mundem t’i kthej dot përgjigje. Ndoshta miqtë e mi të shumtë çamë mund të më ndihmojnë.

“Përse shumica e çamëve janë biondë e me sy bojëqielli? A mos jane shprehje e autoktonisë? A janë shprehje e nje popullsie që vjen në kohët tona, qysh nga lashtësia?"

A ka çam më simpatik, me sy bojëqielli se shoku im më i ngushtë në klasë të parë fillore, Bardhyl Pepeto? Po shoku im, simpatiku me flokë të verdhë Tim Damini, notari i Lokomotivës? Tim të pershendes!

Në Durrës, të gjithë e kanë njohur Gim Çafulin. A ngjasonte ai me gladiatorët e Ilirisë? Po Lutfi Zino, nxënësi i dashur i tim eti a ishte biond me sy bojëqielli? Po Cuf Idrizi, futbollisti, bashkë me të vëllane? Po Tos Haxhia, shoku im i tetëvjeçares? Po i paharruari Fiqiri Kupe?

Po Lum Çafuli, miku im i mirë, i cili u largua para disa kohësh nga kjo botë, a ishte i tille? Eh ku me shkoi mendja tek Lumi! Nuk besoj te kem njohur njeri më të dashur, më të sjellshëm e më xhentil se ai njeri në Durrës! Sa shumë më donte, sa me dëshirë më takonte! Po Mir Kasemi! Ka patur çun më king në Durrës? Mir, me këpucën tënde që ta mora borxh jam martuar, pasi këmbën tjetër e kisha në allçi. Nuk besoj se e harron…

Në gjimnaz kisha një shoqe shumë të mirë, volejbollisten e Lokomotivës Moza Estrefi. Moza, të përshëndes. Po Lad Lamen? A mund të harrosh një artist të lindur humori? Ladi, të përshëndes!

Po profesori im kujdestar në gjimnaz, Kujtim Lluri? Çamët janë shumë inteligjentë e kanë një inteligjencë natyrore, por kur shtohet edhe studimi, ata dalin me të vërtetë shkencëtarë. A është sot shkencëtar Dr. Gentian Lluri, djali i profesorit tim dhe zonjës Desi?

Më thoni, a është e lehtë të gjesh në Durrës, një grua  inteligjente si Luli Basho? Luli të përshëndes!

Mandi Yzeiraj, mos kujto se të harrova. Çam king je edhe ti. Babi juaj, na zbukuroi fisin.

Pak kam njohur në jetë njerëz me nje llogjikë analitike apo inteligjencë, si shoku im i universitetit, Shuaip Isai nga Saranda.

Im atë ka punuar si mësues, disa vite në Plazh, në fund të viteve ‘50 e fillim të viteve ‘60. Ai i njihte të gjithë çamët e Plazhit dhe ata e donin dhe respektonin shumë. A ka ndonje çam plazhi, që nuk e ka njohur tim atë? A ka ndonjë çam plazhi, të cilit sa përmendet mbiemri im, mos të më permendë tim atë? Këtë pyetje mund t’ia besh sot prof. Hajredin Isufit, apo Lutfi Zinos, që citova pak më sipër, apo Lut Sejdinit, futbollistit të Lokomotivës.

Çam kam njohur shumë. Vetem në Facebook kam mbi 20 shokë e shoqe çamë, apo jo Mandi, Moza, Mazi, Ladi, Diana, Luli, Rita, Bardhi, Mir Kasemi, Bujari, Aqif Dino, Miri Shkoza?

Çamët erdhën në Shqipëri të gjymtuar, të plagosur, me femijë të vegjël, me foshnje, e disa prej tyre, të cilët akoma jetojnë sot, kujtojnë krimet çnjerëzore që iu bënë asaj popullsie shqiptare të pafajshme, por megjithatë çamet jane njerëz  vitalë e shumë puntorë dhe të gjithë  e pranojmë, se çamët nuk e kanë patur të lehtë. Kanë vuajtur shumë, por bukën nga guri janë mësuar ta nxjerrin. Ata ditën si të mbijetonin dhe sot, shumë prej tyre janë të suksesshëm në profesion e biznese.

Çamin, sado të përpiqesh ta ulësh poshtë, ta vrasësh, ta përçudnosh, ta djegësh, ta therësh, ai përsëri gjen forca të ringrihet. Kanë të akumuluar në gjak e në kocka, energjinë e diellit dhe të detit Jon prej shekujsh, kanë inteligjencën, kanë instinktin e mbijetesës dhe me shumë, trimërinë.

Në tablonë më poshtë, realizuar nga artisti shijakas Dash Gurabardhi, shihet shtepia e gjyshit tim, mani i madh dhe çatia e dhomës së nënë Kizes.

©Bamir Bebeziqi