Dimri polar i Korçës kur ishim të vegjël - Nga Agim Xhafka
Sa herë lexoj apo dëgjoj fjalën Poli i Veriut, më vjen ndër mend dimri i Korçës kur isha i vogël. E mbaj mend të acartë, me ngrica, të akullt dhe të bardhë nga dëbora. Por nga ajo lloj bore që edhe kur doje ta bëje top e të luaje me shokët, nuk mblidhej, rrëshqiste mes gishtave si rëra e plazhit. Ngaqë i ftohti nuk i linte të lidheshin kristalet me njëri tjetrin. Qe dëborë e thatë, më e ftohtë se akulli, dëborë që të vret.
E ndjeja shumë ciknën se vishesha me tuta të trikotazhit dhe kur temperaturat zbrisnin shumë gradë nën zero, shtoja disa rrecka poshtë tutave bezhë, ose kaki. Këto ngjyra ishin masive për ne fëmijët në ato mote. Na lëviznin dhëmbët prej ftomës se dhe ushqeheshim pak e me gatime sa të mbanim frymën. Mbaj mend mëngjeset me një fetë me ca sheqer e ujë sipër, ose qeshë me fat nëse shtroja mbi bukë pak marmallatë të holluar. E shtonte gjyshja me ujë në tenxhere dhe e ziente ngadalë si fasulet, fup, fup disa orë.
Mëngjeset më gjenin veshur e ushqyer mos më keq, por erës së acartë sa dilja nga shtëpia i tregoja vrapin. Doja ta konkuroja, të ecja më shpejt se ajo, mos më kapte fshikëllima e kamxhikut të egër. Dhe kur më shfaqej para vrapoja më fort, më rridhnin lotë nga sytë, por egërsohesha më keq se ajo, luftoja e deri te shkolla fitoja unë. Ngaqë faqet më skuqeshin, zemra më hidhej përpjetë gati të braktiste kraharorin e ca djersë më bulëzonin mbi ballë si diell pranvere.
Në shkollë kishim një sobë që flakëronte nga drunj të trashë ahu. Nuk mbaj mend mos kishim ngrohje në klasë. Kështu deri në drekë mbushnim trupat tanë të vegjël me zjarrllëk. Se do më duhej në shtëpinë time akull.
Për ato kushte që shfaqte Shqipëria, ne si familje kishim një apartament të madh mund të quhej, jo më shumë se 65 m2, por ama qe ndarë në dy dhoma e një kuzhinë. Nuk flinim secili dhomë më vete, ama prindërit qenë veç e ne tre fëmijët me gjyshen flinim veç. Jo si te Et’hemi p.sh. që kishte një garsonierë e aty hanin, loznin, flinin e kërcenin ai dhe e shoqja bashkë me pesë fëmijë. Kemi fat për këtë bollëk, thoshte babai. Por dimrit ajo shtëpi ngrohej veç me frymën tonë.
Ishim kati i sipërm i pallatit, mbuluar me çati, por tavani ynë qenë ca cm kallma, ose rrogoz i suvatuar. Në shumë vende kur dëbora vinte me suferinë e hynte mes tjegullave në shtëpi te çdo dhomë shfaqeshin harta krijuar nga uji që hapej pasi shkrinte dëbora mbi tavanin tonë. Vëllai çdo njolle ia gjente shpjegimin gjeografik. Ja harta e Francës, thoshte, ja e Italisë. Ndërsa motra i shpjegonte me zogj. Të gjitha i dukeshin si pëllumba, nga që tavani qe i bardhë e njolla pak e hirtë.
Në kuzhinë frymonim plot gjashtë vetë. Qe e vogël, as 3mx3m. Në mes soba dhe tavolina. Në krah një minder bërë me dërrasa dhe shtriheshim të gjashtë. Hahaha, shtriheshim jo normal, por vinim karrike anash dhe kokën te minderi. Këmbët afroheshin te soba. Rrinim ngrohtë dhe tregonim secili si e kaloi ditën. Duhej të ishim mjeshtra se kur njëri fliste nuk pipëtinte miza, dëgjohej me vëmendje. Kur mbaronim s’hanim fruta, pinim kafe e cola, se as në ëndërr nuk na shfaqeshin. Nisnim e këndonim. Një serenatë, pastaj dy e kriste koncerti deri sa na rrëzoheshin qepallat.
Aty fillonte tortura. Jo se do shkonim në banjë e kaq. Dy minuta punë qe shurrosja, por krevati ishte mjeti më torturues që kam provuar. Kam parë plot filma me rrahje, me djegie mishi, me shkulje thonjsh. Por e them me provë se tortura më e madhe ishte shtrirja në krevat, sidomos pesë minutat e para. Dhoma ku flinim kishte një komodinë. Mbanim një gotë me ujë natën se fëmijë ishim, por në mëngjes gota brenda mbante...akull. Si ato katrorët e frigoriferit që formohen sa i vendos brenda te ngrirja. Çarçafët ishin si kockë e bardhë. Nuk hepeshin, s’merrnin formë, si teneqe të papërthyeshme.
Kur mbulohesha me jorgan më dukej sikur më godiste era e mëngjesit, ajo e kamzhikut të hollë, si thupër hardhuce. Dhëmbët çoroditeshin e godisnin njëri tjetrin si sharrë elektrike që çmendet nga gazi kur shkon në thellësi të trungut. Ashtu futeshim tre fëmijët e gjyshja, dy nga këmbët e dy nga koka e deri sa qetësoheshim nuk ndjehej as gëk as mëk. Pastaj ca pasthirrma, ca gjysma fjalësh deri sa ia krisnim muhabetit pa guxuar të nxjerrim as hundën nga jorgani.
Një mot u bë kaq ftohtë sa babai dhe dritares në kuzhinë i vuri batanije. Se era që hynte në dërrasat e shtrembëruara na dukej sikur na priste fytyrën me brisk. Nuk kuptonim në ishte ditë a natë. E në atë tmerr ose ditënetë Groenlande, nëna na bëri dhuratën. Ishte më poetikja, më shprehësja, më emocionuesja, më instiktivja. Kur po këndonim se na këndohej, por edhe se ngroheshim nga pak nëna doli nga kuzhina. Pandehëm se shkoi në banjë e prisnim të kthehej me vrap dhe mbështjellë me batanijë kokë e këmbë. Në fakt u harrua. Dhe ne nuk po flisnim për të, kërciste, “O vemi, o s’vemi...”
Pas nja dhjetë minutash babai na e bëri me shenjë, gjumë d.m.th. U ngritëm me tmerr. Ashtu thuajse me rroba vrap e bëlldum në krevat. Mbuluam kokën urgjent dhe aty brenda, në mjedisin e muhabeteve tona, na u shfaq nëna. Me ajër të ngrohtë, me aromë mamaje, me të qeshurën që nuk i shqitej. Na priste brenda e mira ime. Kishte hyrë qysh para dhjetë minutash dhe si një kalorifer i madh na ktheu krevatin si në shkollën time, me sobë që bubulonte nga zjarri. E mbërthyem të gjithën si ata të mbyturit e Titanikut që kapeshin pas varkave të porsahedhura në stuhi. Gëzoheshim e ndjenim kaq lumturi sa luteshim që ajo të rrinte me ne deri në mëngjes. Por pas shumë minutash, kur vala e nxehtësisë na mbylli qepallat, dëgjuam babain:
-Hajde grua,hajde se e ngroha krevatin.
Iku vrap, dëgjuam zhurmën e krevatit. Aq të fortë sa na u duk që nëna u hodh në dashuri... Aq me nxitim sa nuk e mati peshën dhe largësinë. U mbështollën dhe ata poshtë jorganit të tyre dhe...
Më zuri gjumi derisa gjyshja më përkëdheli flokët:
-Çohu bir,çohu! Ka rënë dëborë.
Hera e parë që atë bardhësi e pashë me dashuri. Kudo mes kristaleve dukej nëna ime e bukur...
©Agim Xhafka