Vende & Zakone

Heronjtë e heshtur të turizmit shqiptar dhe buzëqeshja që akoma na mungon - Nga Arenc Leka

Arenc Leka - New York

Gjatë muajit të pushimeve në atdhe më rastisi të bisedoja me një mikun tim që shkoi një javë në Greqi.

-Si t’u duk? - e pyeta.

-Njësoj si në Shqiperi, veçse buzëqeshje pa fund, në çdo vend.

-Po shërbimi si ishte?

-Shumë i mirë, por… nga shqiptarë që buzëqeshnin më shumë.

Unë mendoj se Shqipëria duhet inkurajuar, sepse shërbimet janë përmiresuar. Pashë shumë shembuj pozitivë, të djemve punëtore, të shpejtë dhe disa prej tyre edhe të qeshur. Pashë një vajzë të vetme, që bënte punën e dhjetë djemve.

Nëse punohet mirë, punonjësit paguhen mirë edhe buzeqeshja do të vijë natyrshëm. Pagesa ështe rritur, por akoma ka vend për ta bërë më atraktive, që punëtori i mirë mos të shkojë jashtë shtetit, por të punojë brenda shtetit me pagesë edhe më të mire se sa jashtë shtetit.  Paraja lëviz indidvidin, e bën atë të vlerësuar dhe pse mos ta bëje edhe të kërcejë e buzëqeshë kur punon?

Tashmë në Shqiperi ka pak restorante që konkurojnë edhe me botën jashtë, qoftë si gatim ashtu edhe si standard. Kjo është referencë shume e mirë, që nxit standardin e lartë, kërkesën e llogarisë dhe punësimin e kualifikuar.

Nuk mbulohet dielli me shoshë. Tashmë njerëzit duan atë që shohin në Itali, Francë e kudo në botë ... Standard - Kulturë - Profesionalizëm.

Në bisedë e sipër me punëdhënës, bie në sy preokupimi që kanë për klientin. Duan ta shohin të kënaqur, deri aty ku ata kanë mundësi.

Kjo është një kthesë e mire, në raport me arrogancën ndër vite që ka kapluar Shqipërinë.

Pashë gjithashtu që kishte mangësira në organizim tek disa restorante të sapohapur.

-Nuk ka punëtorë të kualifikuar - ishte përgjigja, ndërsa në restorantet përreth, pronari i rri në kokë biznesit 24 orë. Këta janë heronjtë e heshtur.

-Ështe e vështire të punosh me njerëzit - më tha dikush - janë të papërgjegjshëm disa, ndërsa të tjerë punojnë vetëm kur jam unë prezent, por kur paguhen mirë, kanë një angazhim tjetër, pozitiv.

Konstatova që kishte përparim në paraqitjen e pjatave, tavolinave, ambientit përreth. Gjithashtu verërat italiane i shihje kudo.

Pijet e miksuara janë akoma në fazën fillestare. Rrallë pata rastin të pija një pije të mirë, por nëse baristët fokusohen në masa të rregullta në përzierjen e pijeve, rezultati është i thjeshtë për t’u arritur.

Sidoqoftë, Shqipëria po mëson nga fqinjët, por të bësh biznes nuk do të thotë se mjafton vetëm të hapësh një restorant. Një restorant është art më vete, që nga gatimi dhe dashuria për guzhinën, e deri te prezantimi, profesionalizmi, mënçuria në komunikim me gjithfarëlloj njerëzish, durimi për të anashkaluar situata të pakëndshme të krijuara pa dashje dhe me dashje dhe në fund… buzëqeshja, që akoma na mungon…

P. S. Klikoni fotot më poshtë.

©Arenc Leka - New York