“Shindleri korçar” - Tregimi i së dielës nga Agim Xhafka
Nuk arrita të çmallem me Faikun, shokun e babait, se i ra celulari atë çast dhe foli me dikë. Por që në fjalët e para që dëgjoi nga përtej pashë po merrte një lajm të keq. Nga që iu nguros çdo muskul i fytyrës aq shumë të rreshkur nga 85 vitet që mbante dhe nga që syri iu njom. Gati të lotonte, por rezervuarin siç dukej e kishte të tharë prej halleve e derteve të jetës dhe nuk iu rrëzua poshtë asnjë pikë. Dëgjova veç:
- Ah,mor Xhuvi, ah,mor kushëri, si na le! Ah!
Pastaj u kthye nga unë e tha:
- Qe më i ri prej meje. Ta kisha lënë pas se kështu ma rëndoi shumë gjoksin ikja e kushëririt tim Xhuvit.
Togfjalëshi “kushëri Xhuvi” më solli ndër mend babain tim. Edhe ai e përdorte gjithnjë dhe te emri Xhuvi fjala sikur i ngopej me mallëngjim e respekt. Kam dashur disa herë të zbuloj cili qe ky kushëri, por babai ishte hermetik. Sa herë e pyesja ma dridhte bisedën, çonte ujë në kopshtije të tjera. Po ja tani mund të merrja një përgjigje nga Faiku.
- Ky Xhuvi, kushëriri yt, a mos qe edhe kushëri i babait tim?
- Po, po, ishte, ishte.
E thënë kaq shpejt m’u duk sikur po më hiqte qafe.
- Xha Faik se po çuditem tani. Si ka mundësi babai im që quhej Alajdin dhe ti që thirresh Faik keni pasur kushëri një ortodoks që ti po më thua e kishte emrin Xhuvi?
- Ka mundësi. Njerëzit janë fis jo veç nga gjaku, por dhe se sa bëjnë për njëri-tjetrin. Ndaj njerëzimi ka fjalën vëlla, por ka dhe fjalën vëllam. Siç ka shokë, ka po ashtu shokë e shkuar shokut. Jeta është si ai gërsheti i vajzave. Lidhen rreth vetes aq shumë flokë sa befasohesh kur sheh sa bukur rrinë gjithë ato mijëra e mijëra fije.
Heshti pak e më rrëfeu:
- Xhuvi në motet e diktaturës punonte në postë. Nga që në familjen e tij vëllai i nënës ishte hero, që kishte dhënë jetën për atdheun, e vunë Xhuvin te sektori i letrave me jashtë shtetit. Korça kishte shumë emigrantë nëpër botë. Sidomos në Amerikë. Atje ikën gjyshërit e prindërit tanë dhe nuk u kthyen më. Një pjesë nuk i lejoi komunizmi ndërsa shumë i druheshin diktaturës. Kështu që çmalleshin me letra. Ato qenë Skype i kohës. Xhuvi me avull hapte zarfat, lexonte çfarë shkruhej në to dhe nëse nuk shahej qeveria dhe ajo jetë e mjerë që bënim i lejonte letrat të nisnin rrugëtimin. Ndryshe qe i detyruar të lajmëronte policinë dhe krejt fisi i atij ose asaj që shkruante vuajtjet e përditshme të popullit internohej. Por ja që Korça pati fat me Xhuvin. Shumicën e letrave ai nuk i hapte fare. U thoshte shefave, ky është komshiu im, ky është familje dëshmori, ky është kushëri dhe letrat fluturonin si dallëndyshet mbi oqean. Dhe kur mbërrinin përgjigjet me ca dollarë brenda Xhuvi i nxirrte paratë, u shënonte emrat, shumën dhe natën pasi postieri u kishte çuar zarfin, Xhuvi u dorëzonte dollarët. Qe një akt heroik, guxim i jashtëzakonshëm. Një marrëzi do e quaja. Shpesh kam pyetur veten nëse do veproja si ai e dëshira më thoshte po, por frika ma priste, budalla je? Po dhe njerëzit e donin aq shumë sa askush nuk e spiunoi. Se në atë kohë sajonte motra për vëllain, apo nipi për dajën.
Pushoi ca minuta, u përqëndrua diku dhe nuk po flste. Siç duket google i tij i kishte të avashta xhirot. Pastaj befas tha:
- Po Gaqon,mësuesin e letërsisë nuk e shpëtoi dot.
- Pse?
- Se Xhuvi qe një javë me grip, pati rënë ai virusi i Hong Kongut. E zëvendësoi dikush nja 5 ditë. Ai dikushi lexoi në letër që Gaqo i ankohej babait të tij në USA se ne jetonim në varfëri, nuk kishim asnjë të drejtë fjale dhe veprimi e kështu e rrasën brenda. Aq gjatë u dënua sa vdiq në burg fatziu. Xhuvi kaq u dëshpërua sa për vite të tëra jo vetëm që sëmundjet i kalonte në zyrë, por nuk bëri asnjë ditë leje të zakonshme. Na do Atdheu në punë, përsëriste sloganin që u pëlqente aq shumë shefave. Ndaj ta quash kushëri është pak. Vëlla e meriton tamam, vëlla i vërtetë.
Pashë që e rrëmbeu një trishtim i madh. Ndërsa mua më erdhi ndër mend filmi “Lista e Shindlerit”. E atij biznesmenit gjerman, që shpëtoi jetën e mijra hebrenjve, ua hoqi nga thonjtë nazistëve. Xhuvi njësoj si ai. Shindler shqiptar që futi në gjoks gjithë qytetarinë e Korçës, u dha atyre mbrojtje me zemrën e tij prej luani.
- Mos e quaj veç kushëri, - e këshillova Faikun. - Thirre shkurt “Shindleri korçar” dhe i ke thënë të tëra.
© Agim Xhafka