Himara, kjo gonxhe e bukur në trupin e atdheut tim - Nga Tahir Tanushi
Kam shëtitur në shumë qytete dhe vende të Shqipërisë dhe Italisë, por bukurinë më të rrallë e kam gjetur aty tek ti, perla Himarë. Aty ditët kalojnë pa u ndjerë, me shkëlqimin e përhershëm të diellit dhe valët e ëmbla si prej një simfonie të detit. Si qytezë Himara është e vogël, si hapësirë shtrihet në gjerësi e gjatësi gjatë vijës bregdetare të Jonit, duke filluar nga Palasa, që është në kufi me Llogaranë dhe deri thellë në Jug, në kufi me Sarandën. Himara ka një klimë të admirueshme gjithëvjetore, por pranvera, vera dhe vjeshta janë si qershia mbi tortë.
Në verë aty zbarkojnë pushues nga e gjithë Shqipëria dhe pothuajse nga shumica e vendeve evropiane, veçanërisht nga Italia, Greqia, Gjermania, Anglia, Rusia, Çekia apo Rumania dhe më pak nga Amerika, pasi ata që vijnë nga përtej Atlantikut, kryesisht janë shqiptarë të emigruar pas viteve ‘40 dhe pas viteve ‘90.
Po ta shohim me kujdes, në atë qytet të vogël kanë ndodhur ndryshime të mëdha, veçanërisht në infrastrukturë dhe vendet e akomodimit të pushuesve vendas dhe të huaj, ku vlen për të theksuar se në qytet, pothuajse aktivitetin turistik himariotët e kanë ngritur mbi pronat e tyre, ndërsa në periferitë e afërta dhe të largëta, biznesi turistik zotërohet nga shtetas të tjerë të qyteteve të Shqipërisë, aktivitet ky i ngritur mbi pronat e palasiotëve, dhërmijasve, qeparotësve dhe borshiotëve, qoftë nëpërmjet zaptimit të tyre apo dhe shpërblimeve, blerjeve dhe strategjive të zhvillimit të aplikuara nga politika nëpërmjet qeverive përkatëse.
Por kjo sëmundje nuk është se ka prekur vetëm Himarën, ajo është një epidemi e madhe që kurrë nuk do të gjejë shërim, sepse mbyllja jonë prej gjysëm shekulli kultivoi dhe shpërtheu babëzinë, oreksin e pangopur dhe kriminalitetin. Çfarëdo ndryshimi politik të ndodhë në Himarë apo Shqipëri, pronën e tij himarioti dhe qytetarët e qyteteve të vendit tim kurrë nuk kanë për ta marrë, sepse mbizotëron fuqia financiare e atyre oligakëve të montuar më parë, duke filluar nga Mane në Palasë, që ndërtonte “murin kinez” natën, me bekimin qeveritar, deri tek bizneset verore që lëvizin me çadrat e vendosura mbi troje, që punojnë për t’i hapur rrugëtimin tregëtimit të drogës, qoftë asaj me porcione apo dhe tranzitit të prodhimit të ri drejt vendeve “mike” të Evropës.
Himarën unë do e vlerësoja për tri cilësi kryesore: Për jetën; për këngën dhe për detin. Sa kohë që kam jetuar dhe punuar aty, nuk kam parë një vrasje, grabitje apo vjedhje të bërë nga një himariot. Ata nuk janë të prirur për vepra kriminale, sepse një himariot vlerëson më shumë jetën se gjithçka tjetër. Çdo krim i kryer nga ky komunitet ka qenë i çastit, i pa vullnetshëm apo dhe prej njerëzve me shëndet të sëmurë mendor apo nga individë jo himarjotë.
Në një rast unë kam mbetur i shashtisur kur pashë që një himariot mbi Stacionin e Policisë mori armën (çifte) dhe u sul drejt vëllait të tij për ta vrarë. Bërtita fort nga oborri dhe këte të bërtitur e dëgjoi dhe shefi im që ishte në zyrë dhe më pyeti çfarë ka? Ia tregova. Ai nga dritarja më thotë: “Mos u shqetëso se nuk janë vrasës dhe dërgoje shërbimin për të bllokuar armën dhe personin”. Po të kishte qenë në zona të tjera të vendit tim ajo grindje do kishte shënuar një krim. Rastet i dinë vetë himariotët dhe nuk ia vlenë të përmenden e cilësohen në këtë episod që ka si qellim shfaqjen e bukurive të rralla të kësaj treve me det.
Për këngën do të përmendja grupin famoz “Bejkë e Bardhë të Pilurit, që u ideua, lartësua dhe mori njohje kombëtare dhe ndërkombëtare nga i pavdekshmi Lefter Çipa si dhe grupi i Himarës që drejtohet nga Kristo Çipa, vëllai i Legjendë së Bregut dhe Kombit tonë. Por edhe këto dy grupe e kanë një shembull të madh, atë të Neço Mukos, ose Nestor Muko Marioti, i cili që në vitet ‘30 ka bërë inçizimin e këngës himariote në pllaka gramafoni në Paris. “Vajza e Valëve” dhe “Bejkë e Bardhë” mbeten pikat më kulmore të arritjes së polifonisë shqiptare. Artistë të vërtetë, të talentuar dhe përcjellës të melodisë së këndshme mbeten marrës e kthyes të këngëve, por veçoj Dhimitër Varfin, Qirjako Bala, Katina Bejleri, Gërdhuqt, Milto Gjiçali, e sa e sa të tjerë që kanë shkëlqyer e kanë qetësuar shpirtëra me ato këngë dhe melodi.
Deti, pasqyra e atij gadishulli të vogël himarjot i jep Himarës pamjen e një qyteti serioz, të bukur dhe hyjnor. Nuk gjen një fjalë të tillë si “ky det në këtë vend nuk më pëlqen”, sepse duke filluar nga Palasa dhe deri në Borsh njeriu para detit fytyrën e tij si në pasqyrë e sheh. Dhërmiu përherë ka patur frekuentues të shumtë, por kohët e fundit kanë dalë në pah veç të tjerave edhe Jali e Llamani sikurse mbeten të pëlqyer edhe Qeparo e Borshi. Grama është një “ishull” i qetë si plazh ku bënin dikur pushimet vetëm perenditë.
Nuk e di pse mendoj që Himara në verë duhet të jetë një qytet i madh veror, ndoshta me mbi njëqindmijë banorë. Sa më shumë kalojnë vitet aq më tepër perfeksionohen shërbimet në akomodim, kulturë dhe çmime, të hoteleve, resorteve dhe banesave private himariote si dhe trajtimi ushqimor i turistëve. Shpesh dëgjojmë se Himara ka çmime të shtrenjta dhe reklamojnë një faturë, ku një omletë me vezë kushton 7 euro, por më tepër kjo është një antireklamë për të dëmtuar sezonin veror turistik himariot, i cili nuk i kalon 45 ditët si aktivitet.
Për t’u përmendur dhe vlerësuar si shembull, Himara mbetet nga qytet më të mirë përsa i përket respektimin të hapësirave të lëna për plazh publik duke filluar nga Spilea, Potami dhe në të gjithë plazhet e tjerë të ngritur në vijën bregdetare që administrohet nga Bashkia Himarë.
© Tahir Tanushi (Ish-oficer i Policisë së Shtetit) 30.07.2023