Vende & Zakone

“Himalaja” e Korçës - Nga Agim Xhafka

Kjo kubeja e bukur gjendet veç në Korçë. Dhe nuk i përket ndonjë institucioni kulturor apo fetar. Është shtëpia e dr. Polenës, kirurgut me nam që njihet sa Karl Gega inxhinieri që projektoi tunele dhe hekurudha malore në Austri. Doktor Polena siç duket donte të ishte i pari jo vetëm në mjekësi, por dhe në arkitekturë. Ndaj ndërtoi shtëpinë e tij pallat, që kur lexonim përralla me kështjella me 40 dhoma në përfytyrim na dilte ky art.

Sa isha i vogël kaloja shpesh atje se në këtë kube, bash në majë, banonte lejleku i përvitshëm. Ardhja e tij ishte si zilja e orës, lajmëronte pranverën.

Ndër vite qyteti u zgjerua. U rrit popullsia. U ndërtuan plot vila. Por kubeja ngeli më e larta. Qysh atje lejleku shihte Moravën, Qarrin, malin Ivan dhe Ostrovicën. Ajo majë u bë kufiri i lartësisë, pika që nuk duhej kaluar.

Nuk di në vjen më lejleku te ajo kube. Por brezi im atë vend me harqe e njeh si shtëpia e shtegtarit këmbëhollë, por dhe si zyrë urbanistike. Ku u vendos që Korça do shtrihej, do zgjerohej, por nuk do klithte në lartësi. Çatia Polena është Himalaja e Korçës. Të tjerat më poshtë si bijat e kësaj ndërtese të hijshme dhe hijerëndë.

Edhe në ëndërr më del ky pallat. Sa prapa ka rrëshqitur vendi. Sot ndërtime të tilla nuk i bën dot kush. Se duhet para e madhe. Keqardhje, më të pasur paskemi qënë.

Do ikin vitet dhe disa gjëra Korça do i ketë unike. Mësonjëtoren dhe vilën Polena. Askund në Evropë s’e gjen. Nga që evropianë të vërtetë si Polena banuan në Korçë.

© Agim Xhafka