Ekonomi

Fatos Çoçoli: Një miliard euro bono nga Diaspora?

  • Published in Ekonomi

Sipas Institutit kombëtar të Statistikave INSTAT, jashtë vendit kemi 1 milion e 680 mijë qytetarë, anëtarë të Diasporës.  Kemi 661 mijë qytetarë në Itali, ose 40 përqind të Diasporës. Kemi 593 mijë qytetarë ne Greqi, ose 35 përqind. Në Gjermani ndodhen 70 mijë qytetarë tanët, por numri i tyre po rritet fort ne dy-tre vitet e fundit. Në 23 vite (1998-2020), këta përfaqësues të Diasporës sollën 24.6 miliardë euro në ekonominë e Shqipërisë. Ishin dërgesa parash për familjet e tyre në Shqipëri dhe u përdorën shumica për konsum.

Vetëm për vitin që kaloi 2020, përfaqësuesit e Diasporës sollën 1.4 miliard dollarë ose 1.14 miliard euro. Të gjitha këto fonde janë për mbijetesë dhe konsum të familjeve përfituese. 23 përqind e familjeve në Shqipëri mbahen kryesisht nga dërgesat e Diasporës. Edhe pse fondet duken të qëndrueshme (të tilla kanë qenë në 10 vitet e fundit), e ardhmja afat-mesme dhe afatgjatë e zhvillimeve në Diasporë e kërkon që këto para të vijnë gradualisht duke u pakësuar, ngaqë do të vijojnë bashkimet familjare.

Një “Eldorado” e vërtetë fondesh për vetë përfaqësuesit e Diasporës dhe për ekonominë e vendit tonë janë kursimet e tyre. Sipas studjuesit të mirëfilltë shkencor dhe më të përgatiturin që kemi për lëvizjet e Diasporës sonë, Dr. Ilir Gëdeshi, kursimet e përfaqësuesve të Diasporës sonë me të hollat që ata dërgojnë tek të afërmit në Shqipëri janë në një raport 5.5 me një. Kjo do të thotë se për çdo euro që ata dërgojnë në atdhe, kanë lënë mënjanë, i mbajnë në shtëpi ose në bankat tregtare të vendeve ku jetojnë 5.5 euro.

Nëse shumëzojmë pastaj dhjetëra miliarda eurot që kanë sjellë në këto tre dekada përfaqësuesit e Diasporës në atdhe me 5.5, kuptohen qartë përmasat e “Eldorados”, fondeve të pamata nga kursimet e saj. Sfida qëndron si mund të tërhiqen këto fonde në Shqipëri, në të mirë në rradhë të parë të vetë përfaqësuesve të Diasporës dhe në rradhë të dytë, të ekonomisë dhe shoqërisë sonë. Këtë duhet ta vendosim tani. Duhet të jetë një nga përparësitë kryesore të qeverisë që do të marrë votëbesimin nga parlamenti i ri në shtator 2021. Së bashku me votimin real të Diasporës në vitin 2025.

Nëse marrim një mesatare modeste të kursimeve të Diasporës për banor prej 10 mijë euro për banor, duke ditur sa kursimtarë jemi ne shqiptarët, të pranuar dhe nga studime të bankave qendrore të Italisë dhe Greqisë, stoku i kursimeve të momentit në Diasporë është 19.3 miliardë euro. Vetëm në Itali regjistrohen nga Ministria e Punës e këtij vendi 34 mijë e treqind biznese të shqiptarëve për Dhjetorin 2020.

Në Greqi, sipas të dhënave të Dhomës së Tregtisë teë Athinës, ndodhen 23 mijë biznese të shqiptarëve, ku 80 përqind mbajnë emra shqiptarë dhe pjesa tjetër funksionojnë me emra grekë. Interesi mesatar i depozitave bankare kohore në Shqipëri është 1.2-1.5% në vit, ndërsa në Itali dhe në Greqi është pak më i ulët, përkatësisht 0.8-1.2% në vit dhe 0.9-1.3% në vit. Vetëm dhe thjesht për këtë diferencë shumë të vogël interesi, kursimet e përfaqësuesve të Diasporës nuk mund të vijnë në Shqipëri, pranë bankave tona tregtare.

Nevojitet një mekanizëm tjetër, një Levë Arkimedi që të thyhet muri i mosbesimit dhe frikës lidhur me (pa) sigurinë e investimit të të hollave të tyre në Shqipëri, të ushqyera këto tashmë prej tre dekadash me gjithfarë lloj legjendash urbane, disa dhe me baza historish të vërteta të hidhura, por që nuk ndodhin vetëm tek ne, në Shqipëri. Leva e vërtetë e Arkimedit ka formën e një sfurku tridhëmbësh.

Së pari, është mundësia e hapjes, me kontribut edhe të shtetit tonë, të një banke investimi, bankë zhvillimi. Një qasje të tillë zgjodhi Maqedonia e Veriut për Diasporën e saj dhe i ka shkuar deri tani shumë mirë.

Së dyti, janë fondet e investimit që mund të tërheqin kursimet e Diasporës. Shembulli më klasik përbëhet nga fondet e investimit, fillimisht të hapura me garanci shtetërore dhe pastaj të kaluara tërësisht në duart e strukturave private, në Irlandën e viteve 1980-2000. Këto fonde investimi, që aplikonin përqindje interesi të larta dhe që tërhoqën shuma të konsiderueshme të kursimeve të qytetarëve irlandezë jashtë vendit, sidomos në SHBA, u përdorën për investime të rëndësishme dhe kontribuan në boom-in ekonomik të Irlandës në këto dy dekada.

Së treti, janë bono, letra me vlerë për kursimet e Diasporës, të lëshuara nga Shteti ose nga kompani të mëdha private. Bono të Diasporës ka lëshuar shteti i Izraelit që në vitin 1951. Arriti të mbledhë mbi 25 miliardë dollarë. Bono shtetërore ose private ka lëshuar me sukses edhe India. Mblodhi 11 miliardë dollarë amerikanë me dy emetime (dalje) për Diasporën.

Tek ne, interesi mesatar i titujve të korporatave shqiptare (kompanive të mëdha shtetërore dhe private), edhe pa patur ende një bursë funksionale, shkon nga 4-6% në vit (në Lekë). Kjo përqindje mund të provohet tërheqëse për kursimet e përfaqësuesve të Diasporës, nëse investimi i fondeve të Diasporës ka fillimisht një garanci nga Shteti ynë.

Janë mundësitë që të nisim të zbulojmë dhe shfrytëzojmë këtë “Eldorado” kursimesh, në të mirë të Diasporës dhe të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Një shembull mund të na zgjojë interesin. Bashkia e Tiranës prokuroi ndërtimin e 16 shkollave në vitin 2018, me formën e partneritetit publik-privat, me kompani private ndërtimi këtu. Në kontratën e partneritetit, privati fuste si shpenzime për t’u përballuar nga Buxheti i Shtetit edhe shumën 5.5% interes vjetor të kredisë që privati merrte nga bankat tregtare këtu, për të ndërtuar shkollën.

Përfaqësuesi apo përfaqësuesja jonë e Diasporës në Itali dhe Greqi mund të japë me shumë dëshirë kursimet e tij apo saj për investime të tilla, edhe me 3.5-4% interes vjetor. Është para e dhënë me dashuri, që ka nevojë për shumë, shumë siguri. Këtë siguri duhet ta japë qeveria jonë e tretë e socialistëve.

Le të jetë programi i 1 miliard eurove bono të Diasporës sonë, dhe jo më 1 miliardë euro të programeve të partneriteteve publik-privat (PPP) - çmenduria e vitit 2017 -, që e pamë mirë sa shtrenjtë na dolën.

Burimi: Gazeta Shqiptare

©Fatos Çoçoli