Fëmijë diaspore

Fëmijët e Diasporës: Amadis Hali dhe pasioni për të shkruar mbi sportin

Përgatiti: David Shkurti

Në këtë periudhë kur i madh e i vogël ndodhen mbyllur në shtëpi duke pritur ditë më të mira të vijnë, FlasShqip ka ftuar fëmijët/adoleshentët e diasporës shqiptaro-kanadeze, t’i përgjigjen pyetësorit "Fëmijët e Diasporës", një format standard me 31 pyetje. Qëllimi nuk është aspak t’i lodhim e t’u japim detyra shtëpie në shqip, por t’i angazhojmë pak nga pak në një media komunitare për t’u njohur me njëri-tjetrin. Le të shohim një pas një kush janë fëmijët/adoleshentët shqiptarë që jetojnë në Kanada dhe çfarë mendojnë ata. Falenderojmë prindërit për bashkëpunimin dhe fëmijët/adoleshentët për seriozitetin dhe çiltërsinë.

1:  Kush je ti, ku ke lindur dhe ku banon?

Unë jam Amadis Hali, kam lindur në Windsor, Ontario, dhe aty banoj.

Pyetje 2: Në ç’klasë je?

Ne klasën 11, viti i tretë i gjimnazit.

Pyetje 3: Cili është hobi yt dhe lënda e preferuar në shkollë?

Hobi im është sporti dhe të shkruaj për sportin, për audiencën që kam krijuar te faqja ime në Facebook. Lëndët e preferuara në shkollë për mua janë Anglishtja dhe Matematika.

Pyetje 4: Çfarë mendon për shkollën kanadeze?

Mendoj që shkolla Kanadeze është shumë suportuese edhe i jep mundësinë çdo studenti të arrijë suksese.

Pyetje 5: Çfarë ke menduar të bësh pasi të mbarosh gjimnazin?

Vitin tjetër do të aplikoj nëpër universitete me shpresën që do të pranohem në disa vende. Do të mendoj vitin tjetër për cilën degë dua të studioj, por në këtë moment kam interes në biznes.

Pyetje 6: Po ëndrra jote më e madhe cila është?

Që të jem i lumtur në çdo aspekt të jetës dhe që të mos ta humb kurrë gëzimin.

Pyetje 7: Ma përshkruaj veten pas 10 vjetësh, në aspekte të ndryshme të jetës.

Pas 10 vjetësh, unë do të jem 27 vjec. Duke ju afruar shifrës 30, ato vite do të jenë të rëndësishme për të arritur aty ku dua para se të futem në atë fazë të jetës. Do të jem duke punuar fort për të arritur sukses në karrierën time, dhe besoj që do të jem afër krijimit të familjes time.

Pyetje 8: Cila është fjala ose shprehja më e pëlqyer në gjuhën shqipe?

Shprehja në shqip e preferuar për mua është “jetë a je ma”.

Pyetje 9: Cilën fjalë apo shprehje përdor më shpesh në anglisht/frengjisht?

Fjala që përdor më shpesh në anglisht është “awesome”.

Pyetje 10: Më identifiko një nga tiparet e personalitetit tënd që të bën të ndihesh më shumë shqiptar/e?

Tipari i personalitetit tim që më bën të ndihem më shumë shqiptar është pëlqimi për të kaluar kohën me humor gati gjithmonë.

Pyetje 11: Ç’lloj punësh shtëpie bën?

Rregulloj shtratin tim, ndihmoj në mbajtjen e peshave të rënda si arkat e ujit, edhe punoj bashkë me babin në korrjen e barit dhe me pastrimin e borës.

Pyetje 12: A kërkon të shpërblehesh për këto punë? Pse?

Jo, se mami dhe babi lodhen në punë dhe meritojnë ndihmë që mos të lodhen edhe më shumë në shtëpi.

Pyetje 13: Më thuaj një tipar që nuk të pëlqen te shqiptarët dhe një tjetër që të pëlqen.

Një tipar që nuk më pëlqen te shqiptarët është mënyra që diskriminojnë njerëzit e tjerë në bazë të cilës parti politike suportojnë edhe nga cili qytet i Shqipërisë janë rritur. Një tipar që më pëlqen është që shqiptarët e mbajnë fjalën e dhënë dhe janë bujarë.

Pyetje 14: Çfarë të ka bërë përshtypje kur ke shkuar në Shqipëri?

Gjëja që më ka bërë përshtypje në Shqipëri ishte numri i madh i lokaleve që kam parë në çdo rrugë të qytetit, dhe fakti që çdo lokal ka qenë plot edhe pse kanë konkurencë ndërmjet njëri-tjetrit.

Pyetje 15: Më thuaj një të drejtë që duhet ta kesh sipas teje, por që të shkelet.

Nuk besoj që më shkel kush të drejtat e mia.

Pyetje 16: Kujt do t’i ankoheshe nëse do kishe ndonjë problem?

Nëse kam një problem i ankohem babit, mamit, ose motrës.

Pyetje 17: Më thuaj një libër për fëmijë në shqip që do doje ta kishe në bibliotekë?

Unë do doja të kisha librin “Rreth Botës në 80 Ditë”.

Pyetje 18: Si e kaloje kohën e lirë para Coronavirus?

Dilja nëpër vende të ndryshme me familjen ose me shokët e shkollës. Vendet e preferuara për mua janë qendrat tregëtare dhe sallat e ping pong.

Pyetje 19: Po tani çfarë bën gjithë ditën në shtëpi?

Merrem me detyrat e shkollës, dhe pastaj në kohën e lirë luaj “FIFA” në Xbox, shoh disa filma me familjen dhe disa filma vetëm, edhe luaj letra me motrën. Kur është moti i mirë dal pak në oborr me motrën dhe luajmë volejboll.

Pyetje 20: Ke frikë se mos sëmuresh?

Nuk kam shumë frikë që sëmurem vet se Coronavirus-i nuk ka shumë rrezik te moshat e reja, por më shumë kam frikë që e marr virusin pa e ditur edhe pastaj ia jap dikujt nga familja. Kjo është arsyeja më e rëndësishme pse jemi të izoluar.

Pyetje 21: Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje gjatë kësaj periudhe kur gjithë bota ka të njëjtin hall?

Mua më bëjnë përshtypje njerëzit në Amerikë qe nuk kanë problem nga virusi dhe që janë duke dalë në rrugë duke protestuar për t’u kthyer në punë.

Pyetje 22: Cila është frika jote më e madhe? (përjashto Coronavirus-in)

Frika ime më e madhe është humbja e gëzimit dhe e lumturisë.

Pyetje 23: Kur të ndodh diçka e bukur, si e shpreh gëzimin?

Zakonisht e shpreh gëzimin me buzqeshje dhe me duartrokitje.

Pyetje 24: Pse shumica e të rriturve duan të kenë fëmijë?

Besoj që arsyeja kryesore për njerëzit që duan fëmijë është për me pas lumturi në krijimin e njeriut nga gjaku i vet, edhe për t’i dhënë atij njeriu mençurinë dhe sekretet e jetës që ti ke dëshirë, me shpresën që një ditë do të bëhesh krenar nga fëmija jot.

Pyetje 25: Sa fëmijë duhet të ketë një familje?

Varet nga koha që munden prindërit t’i kushtojnë fëmijëve, për çdo familje është e ndryshme.

Pyetje 26: Më shoqëro me fjalën e parë që të vjen në mendje fjalët:

Motra - shoqe

Qiell - horizont

Kanada - oportunitet

Vëllai - shok

Shkollë - dije

Internet - botë

Libër - kulturë

Pemë - frymë

Shtëpi - rehati

Shqipëri - pushime

Pyetje 27: Pse disa të rritur kanë mall për fëmijërinë dhe thonë “Ah sikur të isha edhe një herë në atë moshë!

Sepse me rritjen e moshës vjen rritja e përgjegjësive dhe për shumë njerëz përgjegjësitë janë stresante.

Pyetje 28: Çfarë i streson më shumë të rriturit?

Numri i përgjegjësive.

Pyetje 29: Çfarë i mërzit më shumë fëmijët?

Të rrinë vetëm.

Pyetje 30: Çfarë këshille do t’u jepje të rriturve dhe fëmijëve që po të lexojnë?

Për të rriturit do thoja punoni fort, por mos e lejoni stresin t’ju lodhë dhe t’ju rrezikojë.

Fëmijëve do u thoja mendoni për gjerat që janë më të rëndësishme, dhe gjeni gjërat që ju japin lumturi edhe qetësi.

Pyetje 31: Nëse do mundje të shkruaje një artikull në shqip, për çfarë do të shkruaje në portalin FlasShqip?

Pasioni më i madh për mua është futbolli edhe shoh çdo ndeshje të Kombëtares Shqiptare, kështu që besoj që do të provoj të shkruaj një analizë në shqip të ekipit tonë, njësoj si shkruaj në anglisht për ekipin e Real Madridit tek faqja ime e FB.

 

Shënim:

Të dashur prindër dhe fëmijë, nëse jeni të interesuar të merrni pjesë në rubrikën “Fëmijët e Diasporës”, lutemi na kontaktoni në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. ose në faqen tonë në Facebook. Intervistat e fëmijëve do të jenë një kujtim i bukur për ta kur të rriten. Faleminderit!

©FlasShqip.ca