Fëmijët e Diasporës: Olta Aleksi - E lindur për suksese!
Prej dy vitesh, kryeredaktorja e Flasshqip, Jeta Dedja ka ftuar fëmijët dhe të rinjtë e diasporës shqiptaro-kanadeze, t’i përgjigjen pyetësorit "Fëmijët e Diasporës", një format cikël standard me 30 pyetje. Qëllimi është angazhimi pak nga pak i fëmijëve shqiptarë në një media komunitare për t’u njohur me njëri-tjetrin. Ju ftojmë të njiheni me Olta Aleksin, vajzën 15 vjeçare që është mësuar kaq shumë me medalje e çmime për arritjet e saj shkollore, sportive e artistike saqë nuk i thekson ato në këtë intervistë. Megjithatë, Flasshqip do t’i kushtojë një herë tjetër Oltës një profil më të detajuar, të pangjashëm me këtë pyetësor të strukturuar.
Pyetje 1: Ma prezanto pak veten; kush je ti, ku ke lindur, ku banon dhe në ç’klasë je?
Unë quhem Olta Aleksi, jam një vajzë 15 vjeçe. Kam lindur dhe banoj në Toronto, Kanada dhe jam në klasë të 9-të ose viti i parë në gjimnaz.
Pyetje 2: Ç’vend zë origjina e prejardhjes tënde kur prezantohesh me dikë për herë të parë?
Kësaj pyetjeje dua t’i përgjigjem me një episod të bukur. Para disa vitesh, isha dhe më e vogël, ishim në Santa’s Village dhe kur takova Santën dhe po më pyeste: “Where are you from?”, Nga je, nga ke ardhur? Unë iu përgjigja: From Albania. Nga Shqipëria. Ai qeshi dhe tha: “I don’t think you came all way up North from Albania. (Nuk besoj ke ardhur deri këtu në Veri nga Shqipëria). Në qeshem dhe i thashë - Nga Toronto.
Pyetje 3: Sa kohë harxhon për t’u bërë gati për në shkollë?
Më merr rreth 30 min për t’u bërë gati për në shkollë.
Pyetje 4: Çfarë të përbashkëtash dhe diferencash ke me shoqen e ngushtë ?
Të përbashkët me shoqen e ngushtë kam se jemi nga Shqipëria, shkojmë në të njëjtën shkollë, kemi histori bashkë që të vogla 2 vjeçe, kemi të njëjtin sens humori dhe kuptohemi shumë mirë, pëlqejmë apo nuk pëlqejmë të njëjtët njerëz, na pëlqen të shkojmë në pushime bashkë. Diferencat janë më të pakta: unë kam dëshirë kërcimin ndërsa ajo ka dëshirë ecjet.
Pyetje 5: Cili është hobi yt dhe lënda e preferuar në shkollë?
Siç edhe e thashë më parë, hobi im që prej fëmijërisë është "dancing". Që e vogël kërceja me babin, madje bëja dhe koncerte në shtëpi, ku u shisja bileta mamit, babit dhe vëllait dhe bëja shfaqje. Pastaj mami më organizoi në klasa më profesionale se sa ato të shtëpisë. Në shkollë, lëndët e preferuara janë matematika dhe shkenca. E kaloj kohën e lirë duke zgjidhur ushtrime me babin ose vëllain.
Pyetje 6: Më përshkruaj pak mësuesit e shkollës tënde, si komunikojnë me nxënësit, si vishen, çfarë dënimesh japin, etj.
Mësuesit e shkollës sonë janë shumë të mirë, të respektueshëm, të kuptojnë, të shpjegojnë mësimin shumë mirë dhe të ofrojnë ndihmë dhe jashtë orarit të shkollës. Ndoshta në fillim të klasës së 9-të ishin më të çuditshëm pasi nuk na njihnin dhe vinim nga shkolla elementare dhe na quanin më të vegjël, por duke na njohur dhe afrimi dhe vlerësimi ishte më i mirë. Personalisht kam marrëdhënie të mira me të gjithë mësuesit. I respektoj duke menduar që mami im është mësuese, gjyshja ime ka qenë mësuese dhe e di sakrificën, dhe ato më respektojnë. Si na dënojnë? Po ja përshembull; Nëse vij në klasë pak minuta me vonesë merret masë ose qëndrim mbas mësimit, nëse nuk ke bërë detyrat qëndrim mbas mësimit t’i përfundosh, deri në njoftim të prindit. Këto kam vënë re.
Pyetje 7: Ma përshkruaj veten pas 10 apo 20 vjetësh, në aspekte të ndryshme të jetës.
Në 10-20 vjet e shikoj veten time që cfarë do që do bëj do e bëj me sukses dhe dashuri. Dua të bëj shumë gjëra, dua të bëhem avokate jam mirë në argumentim në të dyja anët. Të hap një studio kërcimi për fëmijët, të bëhem designer, arkitekte meqë e vogël ndërtoja me blloqe dhe vizatoj. Pra ka dëshira që vinë e shkojnë, por dëshira që më ka ndjekur që e vogël dhe nuk është zbehur është dëshira për t’u bërë mjeke, edhe në kopësht kur bëmë “rrugëtimin e karrierës” unë zgjodha mjeke, kirurge zemre kam dëshirë. E ndiej që do bëhem se e kam dhe mundësinë akademike ta realizoj. Mendoj që në 10-20 vjet do kem shëtitur edhe më shumë të njoh botën. Do të doja gjatë kësaj kohe të kisha krijuar familjen time.
Pyetje 8: Cilën fjalë apo shprehje përdor më shpesh në anglisht?
“Everything happens for a reason"- Çdo gjë vjen për një arsye. E përdor për veten shumë dhe ua them dhe shoqeve shpesh në situata të ndryshme. Ka disa kuptime të besosh mund të mësosh nga çdo situatë.
Pyetje 9: Cila është fjala ose shprehja më e pëlqyer në gjuhën shqipe?
Përshëndetje! Më duket shumë “funny” (e lezetshme ).
Pyetje 10: Ç’lloj punësh shtëpie bën?
Në fakt nuk kam shumë kohë të lirë por jam e bindur që mami do t'i përgjigjej më mirë kësaj pyetjeje. Rregulloj krevatin në shumicën e herëve, përpiqem ta mbaj dhomën time të rregullt, nëse jo, mbaj derën mbyllur. Nxjerr qenin për ecje të shkurtra. Ngre pjatën time nga tavolina. Përpiqem.
Pyetje 11: A kërkon të shpërblehesh për këto punë? Pse?
Në fakt nuk kërkoj pagesë se nuk janë shumë ato që bëj por kërkoj shkëmbim. Nëse bëj këtë a mund të kem më shumë kohë me shoqet?
Pyetje 12: Më thuaj një tipar që nuk të pëlqen te shqiptarët dhe një tjetër që të pëlqen.
Një tipar që më pëlqen tek shqiptarët është ofrimi i ndihmës. Janë të gjendur në nevojë. Çfarë nuk më pëlqen: këmbëngulja, mos pranimi i Jo-së. Duan me patjetër të të bindin, të të ndryshojnë mendjen.
Pyetje 13: Çfarë të ka mbetur në mendje nga Shqipëria?
Më bën përshtypje kudo që shkojmë njerëzit na njohin, na përshëndesin, na takojnë. Janë shumë miqësorë.
Pyetje 14: Më thuaj një të drejtë që duhet ta kesh sipas teje, por që të shkelet.
E drejta për të patur një vëlla ose motër më të vogël, më është shkelur vazhdimisht. Ngela duke kërkuar këtë të drejtë. (Qesh)
Pyetje 15: Kujt do t’i ankoheshe nëse do kishe ndonjë problem?
Për një problem do t’i ankohesha vëllait të madh të parit. Ai më kupton dhe zgjidhjet e tij janë afër pritshmërive të mia, si më i ri që është, është më afër me mua.
Pyetje 16: Më thuaj një libër për fëmijë në shqip që ndodhet në bibliotekën tënde?
Vëllimet e Çufos.
Pyetje 17: Si e kalon kohën e lirë ?
Kur nuk kam dance, kohën e lirë e kaloj me shoqet duke dalë, duke shkuar në palestër, pikturoj, i bie pianos, lexoj shumë, dal me familjen.
Pyetje 18: Cili është ushqimi yt i preferuar ?
Pula.
Pyetje 19: Cila është frika jote më e madhe ?
Frika ime më e madhe ka qenë aeroplani, por që kur kemi filluar në shkollë të mësojmë për fizikën dhe aerodinamikën më ka ikur. Përpiqem mos t’i stimuloj vetës frikëra, nuk kam kohë të mendoj gjëra negative.
Pyetje 20: Cila është ëndrra jote më e madhe?
Ëndrra ime më e madhe kur isha e vogël ishte të shkoja në Hollywood, tani është zëvendësuar me të bëhem kirurge zemre e famshme nga ata që dëgjojmë në lajme që bëri një operacion të vështirë, për herë të parë me sukses. Të bëhem ashtu si ëndërrojnë prindërit e mi për mua dhe ca më shumë.
Pyetje 21: Çfarë të mbush me gëzim ?
Udhëtimet. Ato më japin shumë kënaqësi, për vendet e reja apo jo ku shkojmë, çdo herë është një emocion i ri. Mezi i pres.
Pyetje 22: Cila është ngjarja më e bukur që të ka mbetur në mendje ?
Kur bashkë me vëllain e madh, shkuam pa lejen e prindërve dhe blemë me kursimet tona një qen. E sollëm në shtëpi, mami bërtiti shumë, babi nuk dinte kë anë të mbante. Dhe me mamin ishte dakord por dhe me. Ndërkohë që unë qaja dhe premtoja me vëllain që do kujdeseshim shumë për qenin. Mami s’kishte çfarë të bënte, kështu që na e fali.
Pyetje 23: Pse shumica e të rriturve duan të kenë fëmijë?
Mendoj që fëmija është ai/ajo që të kompleton familjen, dhe vazhdon ciklin e jetës. Është vazhdimësia jote.
Pyetje 24: Më shoqëro me fjalën e parë që të vjen në mendje fjalët:
Familje-dashuri
sport-disiplinë
Kanada-shoqëria
politikë-sherr
shkollë-dije
internet-pa fund
libër-botë të tjera
rrugë-aventura
shtëpi-ngrohtë
Shqipëri-nëna, gjyshi.
Pyetje 25: Më identifiko një nga tiparet e personalitetit tënd që të bën të ndihesh shqiptare?
Krenaria, këtë e kam kuptuar që është genetike shqiptare.
Pyetje 26: Pse disa të rritur kanë mall për fëmijërinë dhe thonë “Ah sikur të isha edhe një herë në atë moshë!
Fëmijëria është periudha më e bukur se nuk ka kokëçarje, strese e shqetësime, ato i kanë prindërit. Është dhe periudhë e shkurtër. Në pjesën më të madhe të jetës e kemi si të rritur. Ndaj ata kanë mall për atë periudhë, për naivitetin e saj, për lirinë që ke, për pastërtinë e mendimit dhe shprehjes, për kohën pranë prindërve dhe dashurinë e tyre dhe të gjyshërve. Fëmijëria është periudha që merr thith dashuri, kur rritesh jep atë.
Pyetje 27: Çfarë i streson më shumë të rriturit?
Mendoj pritshmëritë i stresojnë shumë. Duke marë përsipër të bëjnë shumë gjëra në pak kohë.
Pyetje 28: Çfarë i mërzit më shumë fëmijët?
Fëmijët mërziten kur nuk kanë vëmendje.
Pyetje 29: Çfarë këshille do t’u jepje të rriturve dhe fëmijëve që po të lexojnë?
Të rriturve do u thoja: Gjithmonë të shkojnë mbrapa në kohë dhe të kujtojnë si ishin dhe çfarë dëshironin kur ishin në atë moshë. Ta kujtojnë sa më shpesh fëmijërinë pasi është energjizuese si moshë. Ta mbajnë gjallë fëmijën brenda tyre. Fëmijëve do u thoja ta shijojnë sa më shumë moshën dhe të rriten sa më ngadalë.
Pyetje 30: Nëse do të të kërkohej të shkruaje apo flisje për një problem, cili do të ishte?
Edukimi fëmijëve në programe jashtëshkollore. Faleminderit.
Shënim:
Falenderojmë prindërit për bashkëpunimin dhe fëmijët e të rinjtë shqiptarë për seriozitetin dhe çiltërsinë. Nëse jeni të interesuar të merrni pjesë në rubrikën “Fëmijët e Diasporës”, lutemi na kontaktoni në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. ose në faqen tonë në Facebook. Intervistat e fëmijëve do të jenë një kujtim i bukur për ta kur të rriten. Faleminderit!
©Flasshqip.ca