Gjuha Shqipe për fëmijë: Mësimi 3-Shkronja A
Të dashur prindër, ose kujdestarë të fëmijëve të cilët kenë marrë përsipër mësimin e gjuhës shqipe të fëmijëve, mirësevini në shkollën shqipe online! Kjo është ora e tretë e mësimit të gjuhës sonë të bukur. Uroj të keni kaluar një javë të qetë, me kënaqësi nga ato të voglat, që e përditshmja e këtyre ditëve në këtë normalitet të ri ju ofron. Ashtu siç edhe shpesh e themi apo e mendojmë çdo e keqe e ka një të mirë dhe e mira e këtij normaliteti ndryshe është që të paktën keni mundësi të kaloni më shumë kohë me fëmijët tuaj. Rrjedhimisht është një moment i mirë për të frymëzuar te fëmija juaj pikërisht dëshirën e të mësuarit të gjuhës së të parëve. Uroj që të keni patur mundësinë t’i flisni shqip fëmijës tuaj, sa më shumë të jetë e mundur, në mënyrë që në komunikimet e mëvonshme të vijnë natyrshëm fjalët në gjuhën shqipe.
Në temën e kaluar situata ishte e përqëndruar te shtëpia. Do ishte idealja nëse gjatë javës ju keni përsëritur pikërisht fjalë që kanë lidhje me shtëpinë si: shtëpia, dhoma e gjumit, kuzhina, salloni, pastaj objekte që ndodhen në secilën dhomë. Pyetje që kanë në qendër këto fjalë kyçe si: A mund të më marrësh syzet te dhoma e gjumit, të lutem? (Duke treguar me dorë te vendi ku i mbajmë syzet që ta ketë më të thjeshtë të kuptuarin) Ku është aeroplani? Ku është gota e ujit? etj. Po videon e shkronjave e patë? Si iu duk? Ora e sotme është pikërisht pikërisht për këtë video ku do vazhdojmë të punojmë me shkronjën A.
Tema e sotme titullohet: Punimi i shkronjës Aa (Pyetje që kanë lidhje me videon: “Abetare-Erdhën shkronjat, shkronja A”
Situata e të nxënit: Erdhën shkronjat, shkronja A”
Rezultatet e të nxënit sipas temës mësimore:
- Shqipton shkronjën A
- Gjen dhe thotë fjalë që fillojnë me shkronjën A ose që mbajnë shkronjën A në trupin e tyre
- Përshkruan figurën/figurat kryesore në një pjesë teatrale
- Plotëson sipas figurës shkronjën që mungon
- Vizaton figura që përmbajnë shkronjën A
Fjalët kyçe: aventura, akulli, Alaska, akullore, arançatë, amareta, ajri, arra, arka…
Teknika dhe strategji: Bisedë, vëzhgim, demonstrim, vizatim/emërtim
Burimet e informacionit dhe mjete: kompjuter, fletore, fletë vizatimi, lapsa, ngjyra,
Lidhje me fusha të tjera: Matematika, Gjeografi, Arte
Përshkrimi
Veprimtari Paraprake (bashkëbisedim)
Fillon me një bisedë rreth pjesës teatrale. Cilët janë personazhet e pjesës teatrale? A e gjetën ata pemën e jetës? Cila fuqi u duhej miqve tanë që të lexojnë librin e madh të jetës?
Veprimet në situatë
Hapi i dytë (demonstrim) Shikohet pjesa e parë e videos
Përshkruhet ëndrra fantastike e Kokos, prindi mban shënim fjalët që nisin me A
Aventurë, anije, Amerikë, Antarktidë, Atlantik…
Mbahet një fletore fjalori ku fëmija shkruan të gjitha fjalët që mësohen nga secila temë dhe diskutohet rreth tyre.
Avion-aeroplane- vizatojmë një avion
Amerikë, Antarktidë, Atlantiku- marrim një hartë dhe tregojmë vendndodhjet e tyre.
Hapi i tretë (demonstrim)
“Kënga e Shkronjës A”
ANIJA QË LUNDRON
AVION QË FLUTURON
ABAZHURI QË NDRIÇON
ME SHKRONJËN A FILLON
“A” SI AJRI
“A” SI ARRA
“A” SI ARKA
A A A A
Prindi këndon së bashku me fëmijën këngën e shkronjës A. Memorizohen fjalët që nisin me A.
Ndërkohë që këndoni, tregoni figurat e mësipërme që kanë lidhje me fjalët e mësipërme që nisin me A.
Hapi i katërt (demonstrim) Fëmija shikon pjesën e shkrimi të shkronjës A dhe kopjon/shkruan shkronjën në fletoren e saj/të tij.
Hapi i pestë (vizatim, emërtim)
Shikohet dhe dëgjohet pjesa e gjeagjëzes dhe i kërkohet fëmijës që ta vizatojë frutin për të cilën bëhet fjalë pasi ia ka përsëritur fëmijës edhe një herë vetë gjejagjëzën:
Si boçe pishe formën kam,
me tul të verdhë brenda jam
dhe tul dhe lëng shumë shijoj,
me shkronjën A filloj.
(nëse fëmija ka vështirësi në të kuptuarin e gjeagjëzës, prindi e ndihmon me fjalë në anglisht/gjuha e parë e fëmijës) ANANAS
Detyrë shtëpie
Dëgjohen fjalët e tjera që nisin me shkronjën A dhe me ndihmën e prindit i shkruan te fletorja e fjalorit. Në vend të përkthimit mund të përdorë figura.
aventura, akulli, Alaska, akullore, arançatë, amareta, ajri, arra, arka, Anakonda, ariu, antilopa, artist, agronom, ambienti, arkitekt, astronom, astronaut, asteroid
Abetare-Erdhën shkronjat-Episodi 1_Shkronja A
Duke ju falenderuar për vëmendjen ju lë takim ditën e Premte, më datë 3 Prill për të vijuar me mësimin e katërt. Një përqafim të ngrohtë për fëmijët nga mësuese Danjela Lumani.
©FlasShqip.ca