Gjuhë & Letërsi

Gjuha shqipe për fëmijë: Mësimi 5 - Shkronja B

Përgatiti: Danjela Lumani

Si e kaluat këtë javë të dashur? Shpresoj që të ketë qenë një javë e dobishme, sidomos në aspektin shpirtëror. Të gjithëve bashkë na është dashur të ndryshojmë stilin e jetesës, dikush për shkak se punon vetë, por fëmijët nuk shkojnë në shkollë, e dikush tjetër ka sfidën e të ndihmuarit të fëmijës gjatë orëve online. Për këtë arsye ne këshillojmë që ora e shqipes të zerë maksimumi vetëm një orë dhe idealja do ishte në mëngjes pasi të keni kryer edhe ritualin e mëngjesit. Bëjeni më argëtuese bashkëpunimin tuaj duke e nisur për shembull me pak aerobi të shoqëruar me të preferuarën e fëmijëve “Detective Pikachu dance”. 

Shoqërojini lëvizjet me udhëzime në shqip. (Psh.: Kërcë, hapi këmbët, shtriji krahët etj, etj)

Shkronja B

Tema mësimore: Punimi i shkronjës B

Situata e të nxënit: Abetare, erdhën shkronjat-Shkronja B

Rezultatet e të nxënit sipas kompentencave të orës mësimore:

  • Shkruan shkronjën B të shtypit sipas modelit
  • Shkruan rrokje, fjalë
  • Formon fjalë duke bashkuar rrokjet
  • I përgjigjet pyetjeve shkurt
  • Ndan fjalinë në etiketa.

Fjalët kyçe: shkronja B, balona, bretkosa, breshka, babi, biçikleta, bleta

Teknika dhe strategji: Punë dyshe, demonstrim, punë individuale, analizë-sintezë fjalësh, fjalish, lojë

Burimet e informacionit dhe mjete: Shkronja B (mundësisht e laminuar) fletore me vija të ngushta, etiketa me fjalë, figurat e printuara, kompjuter, dërrasë e bardhë, ngjyra, fletore vizatimi.

Lidhje me fusha të tjera: Fiskulturë, matematikë, gjeografi

Përshkrimi i situatës

Hapi 1: (Diskutim)

Diskutohet për balonën. Si e ndërtoi balonën? A e fluturoi jashtë balonën? Kush e ndihmoi ta ndërtonte balonën? Cila ishte pjesa më e rëndëisishme e balonës që e bënte të fluturonte? (Pyetje të tilla që e bëjnë të mendohet dhe që përmbledhin ato çka u përmendën herën e kaluar).

Hapi 2: (Punë dyshe)

Te pjesa teatrale “Erdhën shkronjat”, cilët janë dy personazhet, dy kafshët e veçanta, dy shokët e ngushtë?

-Një xhirafë dhe një luan

Si quheshin ata?

-Kiki dhe Koko.

Cila ishte kafsha që dinte gjithçka?

-Breshka.

Cili ishte vendi që u tha breshka?

-Pema e jetës.

Për të mësuar sekretet, çfarë ju duhej Kikit dhe Kokos?

-Fuqia e shkronjave.

Pra pasi shohin pjesën hyrëse të videos e cila përsëritet në çdo episod. I bëjmë pyetjet e mësipërme.  

Hapi 3: (Stuhi mendimesh & demonstrim)

Pasi dëgjojmë pjesën e dytë të pjesës teatrale, fëmijët përpiqen që të fiksojnë fjalët që nisin me shkronjë B.

B e madhe e shtypit, b e vogël e shtypit dhe e demonstrojmë me etiketat e përgatitura.

Pasi nxorëm fjalët e mësimpërme bashkë me fëmijën, i shkruajmë në një dërrasë të bardhë me shkronja të mëdha.

BORA 

BAR

BLU

BARDHË

BOJËQIELLI

BIÇIKLETA

BRETKOSA

(Paraprakisht mirë është që të kemi përgatitur etiketa me fjalët e mësipërme të cilat i lidhim me figurat përkatëse). Më pas bëjmë fjali të shkurtra përshkruese, ose krahasuese si:

E bardhë si bora.

Blu si deti.

Bojëqielli si qielli.

Çfarë ngjyre është biçikleta jote?

Po mami a ka biçikletë?

Si bën bretkosa?

Çfarë ngjyre është bretkosa?

Si rezultat i pyetjeve të mësipërme, fëmija arrin të kthejë përgjigje të shkurtra. Nuk harrojmë përsëri të motivojmë fëmijën, përveç lojës së guralecave, mund të marrim edhe stickers, të cilat ia ngjisim në fletore. Pas çdo numri të caktuar guralecash në kavanoz, apo sticker-ash në fletore, fëmija shpërblehet me diçka që e ka përzemër ose nëse te lista e dhuratave për Krishtlindje mund të shkruajë një dëshirë. (motivojeni ta shkruajë në shqip).

Hapi 4:

Dëgjojmë këngën dhe më pas e këndojmë bashkë me fëmijën. E përsërisim dy herë. 

Balona që lart fluturon

Balena që në det noton

babi që në punë shkon

me shkronjën b fillon

B si balli

B si breshka

B si bufi

B si bebi

B si babi

B si bleta

Me balonën ta thërras

Pedaloj me biçikletë

Me babin unë notin mësoj

Me borë me shokët unë lodroj

Pasi e mbaroni e komplimentoni: Sa bukur!

Hapi 5: (demonstrim)

Në këtë hap do përqëndrohemi te shkrimi i shkronjës B të madhe dhe b të vogël të shtypit. Shikon demonstrimin në video dhe e ndjek hap pas hapi. Nëse ka dëshirë mund të provojë edhe të dorës.

Hapi 6: (Lojë)

Më pas ashtu si dhe personazhet tona na sugjerojnë gjeni bashkë me fëmijën sa më shumë fjalë që nisin. me shkronjën B. Ndalojeni videon, provojeni vetë më pas kontrollojini fjalët që keni gjetur me personazhet e pjesës teatrale.  

BRETKOSA, BISHTI, BALLI, BARKU, BALONA, BARI, BUZËT, BRINJËT, BELI, BËRRYLI, BARKMADH, BUKA, BRUMI, BISKOTA, BYREK, 

KAFSHË: BIZONI, BUFI, BILBILI, BULKTHI, BRUMBULLI, BRESHKA, BALENA, BALENA BLU, BALERINË, BIOLOG, BASKETBOLLIST, BOKSIER, BERAT, BURREL, BULQIZË, BUDVA, BRUKSEL, BELGJIKË, BRAZIL, BULLGARI, BANANE, BAJAME, BORONICA, BIZELE, BROKOLI, BAMJE. 

Fjalët e mësipërme mund t’i shkruani te fletorja e fjalorit nën shkronjën “B”. 

Ushtrim

Ku e kanë shkronjën “B” fjalët e mëposhte? 

BAOBAB, GABIM, ELBASAN, KUMBULL, KRIMB

Pasi dëgjoni gjëegjëze shkronjash:

“Eshtë e vogël, është insekt, po të mendohesh e gjen lehtë, lule më lule fluturon dhe me nektarin që grumbullon, mjaltin e shijshëm e prodhon, sigurisht me gërmën “B” fillon”, e ndalon dhe përpiqeni të dy bashkë ta gjeni. Nisur nga disa fjalë kyçe, si mjaltë, insekt, lule më lule, fëmija mund ta gjejë.

(bleta) 

Detyrë shtëpie: Në një moment kur është fëmija i lirë, kujtoni bashkë gjëegjëzën dhe fëmija vizaton përgjigjen, pra bletën.

 

Duke ju falenderuar për vëmendjen ju lë takim ditën e Premte, më datë 17 Prill për të vijuar me mësimin e gjashtë. Një përqafim të ngrohtë për fëmijët nga mësuese Danjela. 

10 Prill 2020, ©FlasShqip.ca